Bilal Hasa, drejtor i pezulluar i Burgut të Rrogozhinës, është paraqitur pasditen e sotme në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Më herët këtë të enjte, ai u shpall në kërkim sepse në shtëpinë e tij në Peqin u zbuluan 4.000 rrënjë hashash.
Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë në kuadër të operacionit policor të koduar "Kurtaj", ushtruan kontroll në bodrumin e një magazine në fshatin Kurtaj.
Gjatë kontrollit, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis. Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të Bilal Hasës, ndaj ai u shpall në kërkim.
Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit. Mirëpo, ndryshe nga përgjegjësi i Energjisë, Bilal Hasa është paraqitur vetë në Polici.
Operacioni, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijon, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.