Bilal Hasa, drejtor i Burgut të Rrogozhinës, është lënë i lirë nga Policia e Elbasanit pasi ka dhënë sqarimet e nevojshme dhe ka rezultuar se nuk ka lidhje me "shtëpinë e barit" që u zbulua dje në fshatin Kurtaj, të njësisë administrative Gjocaj në Peqin.
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në kuadër të operacionit “Kurtaj”, strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, kanë vijuar veprimet hetimore dhe verifikuese.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se, në këtë ambient nëntokësor të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, janë konstatuar 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë e fidanë të dyshuar kanabis, si dhe pajisje të shumta elektrike që shërbenin për këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 23 vjeç, banues në Gjocaj, Peqin, me detyrë faturist i energjisë elektrike, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:
- R. H., 30 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pronar i ambienteve ku u gjetën bimët narkotike;
- E. H., 24 vjeç, banues në Kurtaj (i afërm i shtetasit R. H.), i dyshuar për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;
- E. M., 36 vjeç, përgjegjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
- D. E., 34 vjeç, përgjegjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të tyre. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisje dhe materiale të përdorura për këtë veprimtari kriminale, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua me anë të djegies.