Merkoçi kërkon më shumë mbështetje shtetërore për shkencën

Shqipëria

Merkoçi kërkon më shumë mbështetje shtetërore për shkencën

Më: 22 mars 2026 Në ora: 10:16
Arben Merkoçi

Akademiku shqiptar, Arben Merkoçi vlerëson se institucionet shtetërore duhet të ofrojnë më shumë mbështetje financiare për fushën e shkencës, pasi siç beson ai pa investime në shkencë e edukim nuk ka të ardhme të sigurt.

Merkoçi në një intervistë për KosovaPress, tregoi për projektet e tij që po i zhvillon si drejtues i grupit të nanoshkencës dhe nanoteknologjisë në e Institutit Katalan të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë në Barcelonë.

Ai me ekipin e tij po zhvillon nanobiosensorë që ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve dhe monitorimin e mjedisit.

Akademiku shqiptar, Arben Merkoçi deklaroi se krijojnë pajisje të thjeshta dhe efikase që mund të përdoren nga të gjithë, duke ndihmuar në monitorimin e shëndetit, trajtimin e sëmundjeve dhe mbrojtjen e mjedisit, me potencial për mjekësi të personalizuar në të ardhmen.

Akademiku shqiptar, Arben Merkoçi, tha se rajoni ka kapacitete të mira shkencore dhe shumë talente, por theksoi se nevojiten më shumë investime në shkencë për të mbajtur studiuesit në vend dhe për ta bërë rajonin më tërheqës për kërkimin shkencor.Sipas tij, edhe të rinjtë në Kosovë kanë potencial të madh për kërkime shkencore, por siç thekson Merkoçi  nevojiten më shumë investime në laboratorë, pajisje dhe bursa në mënyrë që ata të kenë kushte për të zhvilluar kërkimin shkencor në vend.

Profesori i ICREA-së konsideron se mbështetja shtetërore për shkencën duhet të jetë më e madhe, duke shtuar se Kosova dhe Shqipëria investojnë shumë më pak në këtë fushë krahasuar me vendet evropiane.

“Mbështetja që duhet t'i japë shteti fushës së shkencës është shumë e rëndësishme. Dhe për të ardhur keq në zonë, në rajon, edhe Shqipëria edhe Kosova kanë një përqindje domethënë të asaj çfarë shteti i dedikon shkencës dhe edukimit, është shumë e ulët në krahasim me vendet e Evropës. Pra duhet një investim akoma më i madh....Sepse në fund të fundit, gjithçka kemi sot, edhe këto zhvillimet e reja, inteligjenca artificiale, të gjitha kanë mbrapa shkencën. Në qoftë se nuk investohet në shkencë, në edukim, domethënë e ardhmja nuk është e sigurte”, tha ai.

Krahas angazhimeve shkencore në Spanjë dhe në vende të tjera të botës, profesor Arben Merkoçi është i përfshirë edhe në Qendrën Rajonale të Nanoteknologjisë “NanoBalkan”, e cila aktualisht funksionon si një qendër virtuale që koordinon aktivitetet shkencore të rreth 30 grupeve kërkimore në rajon.

Akademiku, Arben Merkoçi gjatë kësaj jave ka mbajtur një ligjëratë shkencore në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës me temën “Nanobiosensorët si gjenerata e ardhshme e pajisjeve diagnostikuese për shëndetin global”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat