Nis shkatërrimi i shkëmbinjve në malin e Torovicës në Lezhë, prej 8 vitesh rrezikonin jetën e qytetarëve të zonës

Shqipëria

Nis shkatërrimi i shkëmbinjve në malin e Torovicës në Lezhë, prej 8 vitesh rrezikonin jetën e qytetarëve të zonës

Më: 27 mars 2026 Në ora: 13:39
Foto ilustrim

Ka nisur ndërhyrja për shkatërrimin e shkëmbinjve në malin e Torovicës, në Lezhë, të cilët prej kohësh gati 8 vite përbënin rrezik serioz për banorët dhe përdoruesit e rrugës.

Operacioni po zhvillohet nga Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile në Bashkinë Lezhë dhe Policinë e Shtetit.

Fillimisht po kryhet vendosja e rrjetave mbrojtëse pranë shkëmbinjve, dhe më pas do të vijojë shpërthimi i kontrolluar i tyre.
Kjo ndërhyrje synon të zgjidhë një problematikë të hershme, e cila ishte kthyer në një rrezik të vazhdueshëm për zonën.

Kryeplaku i Torovicës e cilëson ndërhyrjen si të domosdoshme, por kërkon që ajo të shtrihet në të gjithë malin përgjatë rrugës së Torovicës.

Në vitin 2017, rënia e një shkëmbi në aksin rrugor Balldre–Torovicë goditi një automjet, duke shkaktuar humbjen e jetës së dy vëllezërve dhe bashkëshortes shtatzënë të njërit prej tyre.

Që prej asaj kohe, rreziku nga shkëmbinjtë ishte evidentuar, por ndërhyrja konkrete erdhi vetëm pas tetë vitesh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat