Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vijuar kontrollet në kuadër të hetimeve për skandalin e AKSHI-t, ku të pandehurit akuzohen se kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal, me pengmarrje dhe paracaktim të tenderave.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se Prokuroria e Posaçme ka zbuluar një vilë në Qerret të Kavajës dhe dy banesa të tjera që dyshohet se janë pasuri të fshehura të ish drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur publikisht më herët Karçanajn duke deklaruar se jeton në një banesë me qira, por SPAK thekson se në fakt ajo zotëron pasuri që janë përftuar nga aktiviteti kriminal.
Po ashtu, nga hetimet është zbuluar një apartament që dyshohet se është pasuri e fshehur e ish zëvendës drejtoreshës së AKSHI-t, Hava Delibashi, e akuzuar gjithashtu nga Prokuroria e Posaçme, dhe e cila u la pak ditë më parë nga Gjykata e Posaçme në detyrim paraqitje duke i ndryshuar arresti në shtëpi pasi është shtatzënë.
Kontrollet vijnë një ditë pas atyre të kryera në dy vila në Palasë të dy biznesmenëve Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit. Kujtojmë se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë në kërkim nga SPAK, ndërsa akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kishte për qëllim përvetësimin e tenderave të agjencisë.
Agasi dhe Beqiri akuzohen se drejtonin grupin dhe se u përfshinë në pengmarrje e afera të tjera korruptive.