Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në komunikimin me gazetarët pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, u pyet për Bordin e Transparencës dhe çmimet e vendosura për karburantet pas krizës në Lindjen e Mesme.
E pyetur për taksën e qarkullimit, ajo theksoi se kanë vlerësuar se nuk ka nevojë për ndërhyrje.
Po ashtu, ministrja komentoi edhe akuzat e adresuara nga opozita për kontrabandë të naftës, teksa theksoi se janë në monitorim të të gjithë flukseve të karburanteve dhe se ministria e Financave do të fillojë shumë shpejt markimin dhe gjurmimin e karburanteve që hyjnë në vend.
“Qëllim i bordit është që të mos lejojë që çmimet të rriten në mënyrë spekulative por të pasqyrojnë realitetin e bursave ndërkombëtare. Çmimet të mos rriten në mënyrë spekulative se u rrit karburanti. Nuk mendojmë se ka nevojë për ndërhyrje në taksën e qarkullimit. Taksa e qarkullimit mblidhet në këtë formë se është më e drejtë të mblidhet në këtë formë, se ai që konsumon më shumë karburant, paguan më shumë taksë.
Ajo që kemi vendosur me qëllim kontrollimin e çmimit të karburantit është reduktim i akcizës me 20% sa herë që çmimi i karburantit shkon më shumë se 220 lekë. Taksat janë të vendosura me ligje dhe s’ka arsye që t’i deklarojmë në vendimet e Bordit të Transparencës.
Ne kemi bërë analizë të detajuar të të gjithë kostove që lidhet me taksën me naftën në përgjithësi. Në shportën e konsumit, nafta ka peshë rreth 3 përqind. Pra është kosto më e ulët sesa e energjisë elektrike. Sa i përket bizneseve, në tërësi janë që punojnë kryesisht me energji elektrike dhe më pak me karburant.
Rasti i fermerëve kanë në përdorim karburantet. Kontrabandës? Patjetër që ne jemi në monitorim të të gjithë flukseve të karburanteve, shumë shpejt ministria e financave nëpërmjet një shoqërie shtetërore do të fillojë markimin, monitorimin e gjurmueshmërinë e karburanteve që do të rrisë ndjeshëm mekanizmat e evidentimit të kontrabandës. “, tha ajo.