Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, njëherësh dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Mediu, deklaroi në forumin e IDU se situata në Shqipëri paraqet shqetësime serioze për demokracinë dhe funksionimin e institucioneve.
Duke iu referuar një misioni verifikimi të Partisë Popullore Evropiane në Shqipëri, Mediu tha se gjetjet pasqyrojnë një realitet problematik, ku vendi nuk funksionon më si demokraci e mirëfilltë, por po shfaq tipare autokratike.
Ai theksoi se korrupsioni është bërë sistemik dhe se ekziston një ndërthurje e dukshme mes krimit të organizuar dhe strukturave shtetërore, me ndikim të drejtpërdrejtë në proceset zgjedhore dhe përfaqësimin politik.
Sipas Mediut, pastrimi i parave dhe ndikimi i grupeve kriminale po deformojnë ekonominë dhe vendimmarrjen, ndërsa procesi i integrimit europian, në vend që të shërbejë si mekanizëm reformash, është përdorur si instrument politik nga kryeministri Edi Rama.
Në këtë kuadër, ai mbështeti paraqitjen e rezolutës në forum, duke kërkuar që ajo të reflektojë realitetin në Shqipëri dhe të marrë mbështetje ndërkombëtare. Mediu sugjeroi gjithashtu ndryshime në formulimin e saj, duke propozuar që termat “bllokim” të zëvendësohen me “vonesë” në lidhje me procesin e integrimit europian.