Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur një zhvillim të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe industrisë ushtarake në vend.
Gjatë një deklarate publike, Rama theksoi se është firmosur një marrëveshje mes kompanisë italiane Fincantieri dhe kompanisë publike shqiptare Kayo për prodhimin e mjeteve detare në Shqipëri.
Sipas tij, ky bashkëpunim synon rritjen e kapaciteteve ushtarake të vendit dhe ripozicionimin e Shqipërisë në rrjetin e industrisë ushtarake, një sektor ku vendi kishte munguar për dekada. Prodhimi do të realizohet në kantierin e Pashaliman dhe do të shërbejë jo vetëm për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, por edhe për forcat aleate.
“Një tjetër moment i rëndësishëm i javës ishte hapja e një rruge tjetër në drejtim të rritjes së kapaciteteve tona ushtarake dhe të ripozicionimit të Shqipërisë në rrjetin e industrisë ushtarake, ku deri para pak kohësh ishim prej dekadash krejt inekzistent.
Firmosëm marrëveshjen mes kompanisë italiane Fincantieri, një nga emrat e mëdhenj të ekselencës industriale europiane dhe kompanisë sonë publike Kayo për prodhimin e mjeteve detare në Shqipëri në kantierin e Pashalimanit, qoftë në funksion të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë, qoftë edhe për forcat aleate.
Ky nuk është vetëm një investim i ri dhe shumë i konsiderueshëm, por është dhe një front i ri punësimi me rreth 400 vende të reja pune të mirëpaguara në fazën e parë.
Një perspektivë konkrete për të rinjtë dhe të rejat, duke filluar nga nxënëset dhe nxënësit e shkollës profesionale industriale të Vlorës, të cilët do të ftohen të bëhen pjesë e programeve të trajnimit për t’u punësuar në kompaninë e përbashkët që lind nga kjo marrëveshje, Fincantieri Albania”, theksoi Rama.