Vijojnë kontrollet në burgun e Fierit, gjenden 10 telefona, shishe uji të mbushura me alkool dhe lëndë narkotike

Shqipëria

Vijojnë kontrollet në burgun e Fierit, gjenden 10 telefona, shishe uji të mbushura me alkool dhe lëndë narkotike

Më: 24 maj 2026 Në ora: 12:08
Droga e sekuestruar

Kontrollet në burgun e Fierit kanë vijuar edhe këtë të diel, ku sërish janë zbuluar dhe sekuestruar sende të paligjshme.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e institucionit, në pjesën e jashtme pranë Godinës “A” u konstatuan dhe u sekuestruan 10 telefona celularë, 10 karikues telefonash, bidona të dyshuar me përmbajtje alkoolike, si edhe lëndë e dyshuar narkotike e gjetur në dy vende të ndryshme.

Po ashtu, gjatë kontrollit ndaj të dënuarit A.M., u gjetën pesë qese të vogla të dyshuara me lëndë narkotike, të fshehura në pjesën e poshtme të një bluzeje.

Njoftimi i plotë: 

Vijojnë kontrollet në IEVP Fier

Nga informacioni i marrë në mënyrë operative nga Drejtoria e Analizës dhe Vlerësimit të Riskut në DPB, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, kontrollet për forcimin e masave të sigurisë dhe parandalimin e futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara kanë vijuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier.

Në kuadër të këtyre masave, Forcat Operacionale të DPB-së kanë ushtruar kontroll në ambientet e institucionit, ku në pjesën e jashtme pranë Godinës “A” janë konstatuar dhe sekuestruar: 10 telefona celularë, 10 karikues telefonash, bidona të dyshuar me përmbajtje alkoolike, si dhe lëndë e dyshuar narkotike e gjetur në dy vende të ndryshme.

Për rastin janë hartuar raportet përkatëse të incidentit dhe procesverbalet e bllokimit, ndërsa është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për ndjekjen e procedurave të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë një kontrolli të kryer nga strukturat e vetë IEVP Fier, të dënuarit A.M., gjatë verifikimit në skaner, iu konstatuan pesë qese të vogla të dyshuara me lëndë narkotike, të fshehura në pjesën e poshtme të një bluzeje. Pas konstatimit, janë njoftuar drejtuesit e institucionit dhe specialistët e Agjencisë, ndërsa i dënuari është shoqëruar në veçim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat