Sulmi rusi goditi rezidencën ku banonte ambasadori shqiptar në Kiev, Ministrja e Jashtme: Dorëzuam notë verbale ndaj ambasadorit rus

Shqipëria

Sulmi rusi goditi rezidencën ku banonte ambasadori shqiptar në Kiev, Ministrja e Jashtme: Dorëzuam notë verbale ndaj ambasadorit rus

Më: 24 maj 2026 Në ora: 22:07
Ernal Filo.

Ministria e Jashtme bën me dije se i ka dorëzuar një notë verbale ambasadorit rus në Tiranë, për incidentin e rëndë që ndodhi mbrëmjen e shkuar në Kiev, ku një sulm rus me dronë dhe raketë goditi kryeqytetin ukrainas, si dhe rezidencën ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo.

Në reagimin e zëdhënësit të MEPJ, Alteo Hysi thuhet se ambasadori rus në Tiranë Alexey Zaitsev u thirr për shpjegime dhe për t’iu përcjellë protesta e Tiranës zyrtare për këtë incident të rëndë, ku iu rrezikua jeta ambasadorit shqiptar në kryeqytetin ukrainas.

Reagim i zëdhënësit të MEPJ, Alteo Hysi

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thirri ditën e sotme (24 maj) Ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, Alexey Zaitsev, për t’i përcjellë protestën e ashpër pas sulmeve masive përgjatë natës me dronë dhe raketa, gjatë së cilave u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë.

Gjatë takimit u theksua se sulmet kishin cenuar rëndë sigurinë dhe jetën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë. Ky incident është i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë në çdo rrethanë të sigurisë dhe dinjitetit të stafit diplomatik të akredituar.

Ambasadorit rus iu dorëzua notë verbale dhe iu kërkua që të përcjellë thirrjen e palës shqiptare për të respektuar normat ndërkombëtare pranë autoriteteve të vendit të tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat