Kishin krijuar një skemë mashtrimi me faqe false të Postës Shqiptare, arrestohet i riu francez, në kërkim një gjerman

Shqipëria

Kishin krijuar një skemë mashtrimi me faqe false të Postës Shqiptare, arrestohet i riu francez, në kërkim një gjerman

Më: 25 maj 2026 Në ora: 14:23
Foto ilustrim

Policia e Shtetit ka goditur një tjetër rast mashtrimi përmes Postës Shqiptare, me qëllim vjedhjen e qytetarëve, pas të cilëve qëndrojnë dy të huaj.

Faqja false e krijuar dhe mesazh i dërguar qytetarëve

Në pranga u vu një 22 vjeçar francez, ndërsa në kërkim u shpall një 53-vjeçar nga Gjermania. Sipas policisë, këta persona kishin krijuar një faqe të rreme të Postës Shqiptare dhe duke dërguar linqe mashtruese synonin t’u merrnin të dhënat personale e bankare qytetarëve shqiptarë.

Policia sekuestroi  celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente të ndryshme dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari kriminale.

“Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetas të huaj kishin krijuar faqe të rreme që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare dhe, nëpërmjet dërgimit të SMS-ve me linqe mashtruese, synonin të merrnin të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë, me qëllim përfitimin e paligjshëm të vlerave monetare nga llogaritë e tyre bankare.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu, Policia apelon qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe të mosklikojnë linqe të dyshimta si dhe të verifikojnë adresën zyrtare të institucioneve përpara se të plotësojnë të dhënat personale apo bankare.

Njoftimi i plote: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Posta e Rreme 2”, goditet një tjetër skemë mashtrimi kompjuterik përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare.

Strukturat për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik, finalizoi operacionin e koduar “Posta e Rreme 2”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetas të huaj kishin krijuar faqe të rreme që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare dhe, nëpërmjet dërgimit të SMS-ve me linqe mashtruese, synonin të merrnin të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë, me qëllim përfitimin e paligjshëm të vlerave monetare nga llogaritë e tyre bankare.

Në kuadër të operacionit u ndalua shtetasi francez Z. K., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi gjerman T. M., 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.

Gjatë operacionit u sekuestruan celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente të ndryshme dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që:
-Të mos klikojnë në linqe të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale;
-Të verifikojnë gjithmonë adresën zyrtare të institucioneve përpara se të plotësojnë të dhënat personale apo bankare;
-Të mos japin asnjëherë numra kartash bankare, kode sigurie apo fjalëkalime në faqe të paverifikuara;
-Të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, çdo rast të dyshuar mashtrimi online.

Në rastet e mëparshme, disa shtetas kanë rënë viktimë e kësaj skeme mashtrimi, duke pësuar humbje monetare për shkak të vendosjes së të dhënave të tyre bankare në faqet e falsifikuara.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe në mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet online.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat