Kryeministri Edi Rama në podcastin “Flasim” foli për procesin e integrimit europian dhe hapat e ardhshëm të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Ai u ndal te data 26 maj, të cilën e lidhi me një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt BE-së.
“26 maji shënoi hyrjen në fazën e re dhe të fundit të negociatave me Bashkimin Europian. Shqipëria ka kaluar nga hapja e kapitujve në procesin e mbylljes së tyre.”-tha ai.
Sipas tij, ky është rezultat i një procesi të gjatë reformash dhe ndryshimesh institucionale.
“Ky është rezultat i një pune të gjatë dhe reformave të vështira, sidomos në drejtësi dhe në forcimin e institucioneve.”-shtoi Kryeministri.
Rama u ndal edhe te objektivat që vendi ka në vitet në vijim, duke përmendur afatet kryesore të procesit.
“Objektivi është mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe anëtarësimi në BE brenda vitit 2030.”-theksoi ai.
Gjithashtu u theksua edhe fakti se ky proces shoqërohet me përgjegjësi të mëdha për institucionet dhe shoqërinë, veçanërisht në forcimin e shtetit ligjor dhe barazisë përpara ligjit.