“Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë” – Tensione në protestën e 13-të kombëtare në Tiranë/ Paralajmërohet protestë madhështore për nesër

Shqipëria

“Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë” – Tensione në protestën e 13-të kombëtare në Tiranë/ Paralajmërohet protestë madhështore për nesër

Më: 12 qershor 2026 Në ora: 18:22 Përditësuar në ora: 22:13 më 12.06.2026
Protesta

“Revolucion”/ ‘Uragani’ i protestuesve marshim kilometrik në Tiranë, nuk shihet fundi: Shqipëri e Re! Rama jep dorëheqjen

Protestuesit “ndezin” Tiranën. Marshimi i revoltës së shqiptarëve vijon në çdo cep të Tiranës.

Të vendosur, të pandalshëm, janë të qartë me kërkesat e tyre, mesazhi është një dhe i vetëm, largimi i kryeministrit Edi Rama.

Ky marshim është mbështetur nga të gjithë, të rinj, të reja, të moshuar, prindër me fëmijë, të gjithë bashkë, me një thirrje “largimin e Ramës” dhe “mbrojtjen e Atdheut nga tradhtarët”.

Ata kanë vijuar marshimin në çdo cep të Tiranës.

Për disa minuta protestuesit u ndalën pranë “Sheshi Wilson” me thirrjet Revolucion, Rama jep dorëheqjen.

“U mbush kupa, Rama jep dorëheqjen”/ Protestuesit të pandalshëm, marshim kilometrik në Tiranë, pjesëmarrje historike

Protestuesit vijojnë marshimin e tyre në rrugët e Tiranës. Prej 13 ditësh protestojnë të vendosur kundër qeverisë Rama.

“Edi Rama jep dorëheqjen” është mesazhi kryesor i kësaj revolte që ka bërë bashkë shqiptarët në Shqipëri dhe në të gjitha trevat ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët. Emigrimi është një plagë e shoqërisë shqiptare. Të rinj të larguar nga vendi, për shkak të mungesës së alternativave, zgjodhën të ikin dhe të punësohen në shtete të tjerë, sepse nuk gjetën mbështetje nga shteti i tyre.

Tubimi në Tiranë, vijon të jetë madhështor, me një pjesëmarrje historike, dhe duken të vendosur, deri në largimin e Ramës.

Shqiptarë nga Londra, Italia, Athina, Gjermania, kanë qenë të pranishëm në këtë tubim.

 

Protesta janë zhvilluar edhe në vende ndryshme ku jetojnë shqiptarë, në Zvicër, në Londër, në Itali, në Firence, të cilët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Nesër është paralajmëruar një pjesëmarrje edhe më e madhe, pasi theksohet se pranishme do të jetë edhe Diaspora.

Tupanë flamuj dhe thirrje për largimin e Ramës, vijon marshimi i mijëra protestuesve në rrugët e Tiranës

Pas tubimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mijëra protestues po vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës.

Me thirrjet “Rama dorëhiqu”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi” apo dhe “Shqipëria nuk shitet”, qytetarët dominojnë rrugët e kryeqytetit.

“Është detyra jonë”/ Qytetari thirrje protestuesve: Nesër në orën 10:00 tubim në Rrjoll, pasdite rikthehemi para kryeministrisë

Nga sheshi para kryeministrisë, protestuesit kanë bërë thirrje ditën e sotme për pjesëmarrje në një protestë për banorët e Rrjollit.

Një qytetar iu kërkoi pjesëmarrësve që t’i bashkohen tubimit të thirrur nga banorët e Rrjollit, teksa theksoi se më pas në orën 18:00 do të jenë sërish në shesh për të rrezuar kryeministrin. Sipas tij, nesër do t’u bashkohen edhe shumë emigrantë në diasporë, ndërsa bëri me dije se vetëm nga Mbretëria e Bashkuar, në mbështetje të tyre kundër qeverisë do të vijnë të paktën 3 avionë.

“Një grup qytetarësh nga Rrjoli kanë lajmëruar nesër protestë në orën 10:00. Nesër protestë në orën 10, është detyra jonë është t’u bashkohemi atyre për të hequr gardhin dhe në 18:00 këtu për të hequr kryeministrin.

Rama jepe dorëheqjen. Vetëm në dijeninë time, tre avionë do të vijnë vetëm nga Mbretëria e Bashkuar. Nesër diaspora do të jetë krah nesh dhe ne krah atyre dhe krah për krah do ta rrëzojmë këtë kryeministër“, tha qytetari.

Mbyllet protesta e 13, qytetarët vijojnë marshimin drejt rrugëve të Tiranës

Protestuesit kanë mbyllur tubimin e 13-të para kryeministrisë dhe kanë nisur marrshmin e përnatshëm nëpër rrugët e Tiranës. Pas fjalimeve të qytetarëve të ndryshëm, protestuesit janë larguar nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit për marshuar rrugëve të Tiranës dhe më pas për t’u rikthyer sërish para godinës së kryeministrisë.

Marshimi në rrugët e Tiranës shoqërohet me thirrjet tashmë të kthyera në refren të protestës; “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në Burg”, “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Nesër më shumë”.

Vlen të theksohet se edhe sot kreativiteti është kthyer në armën më të fortë të protestuesve. Me meme, satirë, ironi dhe pankarta që po bëhen virale në rrjetet sociale, qytetarët po i japin lëvizjes një identitet krejt ndryshe nga protestat tradicionale të 35 viteve të fundit.

Ndryshe nga protestat klasike të partive politike, ku dominonin flamujt, militantët dhe sloganet e gatshme, kjo protestë po ndërton identitetin e saj përmes humorit, ironisë dhe memeve që godasin drejtpërdrejt pushtetin politik.

Në shesh janë shfaqur dhjetëra pankarta që kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, duke u kthyer në simbol të revoltës qytetare.

​Protesta për Zvërnecin në ditën e trembëdhjetë në kryeqytet

Në ditën e trembëdhjetë të protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, qytetarët dhe aktivistët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas nëpër bulevard drejt Kryeministrisë.

Nga parullat dhe pankartat e tyre, ata vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve dhe duke u shprehur kundër shitjes së pasurive kombëtare.

Duke vënë theksin tek mbrojtja e natyrës, edhe pankartat e ditës së sotme të protestës sollën në vëmendje dhe problematika të tjera.

“Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Shqipëri e re”, “Nesër më shumë”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe të tjera thirrje u dëgjuan në kor nga protestuesit ndërsa ata marshuan në bulevard.

Në foltoren e ngritur enkas për protestën, përfaqësues të grupit koordinues u bënë thirrje qytetarëve të thërrasin në kor për dorëheqjen e Kryeministrit, duke qenë se ai ndodhej shumë pranë në aktivitetin për 35-vjetorin e themelimit të PS-së në sheshin “Italia”.

Një protestues përgëzoi prindërit që kanë marrë edhe fëmijët në protestë. Ai tregoi se u largua nga vendlindja, duke jetuar në Londër për më shumë se tetë vite. Kur u kthye gjeti rininë të larguar dhe gratacielat në Tiranë. Ai i bëri thirrje diasporës të bashkohet në protestë.

Përfaqësuesja e grupit koordinues bëri thirrje për bojkotim të të gjithë medieve të shitura, duke kërkuar mirëkuptim për mediet që janë në shesh duke bërë detyrën. “Ata janë pjesë e jona”, tha ajo.

Po ashtu, ajo tha se edhe administrata që mori pjesë në takimin me Ramën nuk e do qeverinë po ndihet e detyruar, duke iu bërë thirrje të bashkohen në protestë.

Një tjetër protestues ngriti shqetësimin për drejtësinë që e cilësoi të korruptuar. Sipas tij, SPAK e ka të gjithë mbështetjen e qytetarëve shqiptarë për të bërë drejtësi e për të hetuar politikanët që kanë vjedhur taksat e shqiptarëve.

Kur përpara kryeministrisë mbaheshin fjalimet e zakonshme, në periferi të protestës, te kryqëzimi te kryeministria, ka ndodhur përplasje mes protestuesve dhe një të riu që iu drejtua me ofendime, raporton ATSH.

Koordinatorët e protestës bënë thirrje me megafon që njerëzit të ktheheshin e të mos binin pre e provokimeve.

Tension dhe kaos në protestë, patronazhistët tentojnë të përçajnë protestën, qytetarët përgjigjen me Himnin Kombëtar!

Ndërsa mijëra shqiptarë në protestë dhe revoltë masive të paparë ndonjëherë ishin grumbulluar në bulevardin para kryeministrisë, nuk munguan edhe provokimet në distancë nga grupe ende të paidentifikuara.

Por në momentin që janë afruar, nën dyshimin se ishin mbështetësit e antimitingut ata që provokonin, aktivistët drejtues bënë thirrje që të mos binin pre e tyre.

Por të rrinin në shesh dhe të kërkonin dorëheqjen e qeverisë.

U panë qytetarë që vraponin në bulevard dhe të tjerë që i ndiqnin, por organizatorët e parandaluan me thirrje të përsëritura.

“Rrini të bashkuar, protesta është këtu, qytetarët janë këtu. Mos bini pre e provokimeve, mblidhuni këtu, ne kërkojmë dorëheqjen e qevrisë, le të këndojmë himnin kombëtar”, tha një prej aktivistëve me megafon.

Tensione në protestë, militantët e Ramës provokojnë turmën para Kryeministrisë

Mijëra qytetarë ishin mbledhur në protestën e radhës kundër Edi Ramës kur disa të rinj, të dyshuar si simpatizantë të Partisë Socialiste, shkaktuan incidente me thirrje dhe provokime ndaj protestuesve.

Momente tensioni janë regjistruar mbrëmjen e sotme gjatë protestës së radhës para Kryeministrisë, ku mijëra qytetarë ishin mbledhur kundër qeverisë së Edi Ramës. 

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, incidenti ndodhi pasi një grup të rinjsh, që dyshohet se kishin ardhur nga aktiviteti i 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Sheshin Italia, iu afruan zonës së protestës dhe nisën të provokonin turmën me thirrje dhe komente ironike.

Provokimet shkaktuan reagimin e menjëhershëm të protestuesve, të cilët iu drejtuan grupit të të rinjve. Për disa çaste situata u tensionua, ndërsa një pjesë e turmës nisi t'i ndiqte me vrap në drejtim të bulevardit.

Megjithatë, të rinjtë u larguan me shpejtësi nga zona dhe nuk pati përplasje fizike mes palëve. Falë largimit të tyre të menjëhershëm, incidenti nuk u përshkallëzua në konflikt.

Ngjarja ndodhi vetëm pak kohë pasi kishte përfunduar aktiviteti festiv i Partisë Socialiste për 35-vjetorin e saj, i zhvilluar në Sheshin Italia, vetëm pak qindra metra larg protestës qytetare.

Pavarësisht episodit të tensionit, protesta vijoi normalisht, ndërsa organizatorët u bënë thirrje pjesëmarrësve të shmangnin çdo provokim dhe të mos binin pre e tentativave për ta devijuar tubimin nga karakteri i tij paqësor.

Kjo është dita e 13-të e protestave që po zhvillohen në Tiranë, ku qytetarët kërkojnë largimin e kastës politike.

“Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”/ Protestuesit nuk i ndalin thirrjet

Mijëra qytetarë janë mbledhur edhe sot në Tiranë, në ditën e 13-të të protestës kundër qeverisë.

Të grumbulluar në qendër të kryeqytetit në orën 18:00, protestuestit po vijojnë thirjet e tyre drejtuar kryeministrit Edi Rama, që ndodhet vetëm pak metra larg tyre, teksa këtë të premte po mbahet takimi i 35-vjetorit të Partisë Socialiste. 

Duke u shprehur në kor, qytetarët po kërkojnë dorëheqjen e Ramës.

Ndërsa në duar mbajnë edhe pankarta të ndrysheme.

Pak metra larg

Qytetarët janë grumbulluar në sheshin “Skënderbej”, teksa pritet të nisë protesta e 13 kombëtare. Qytetarët pritet të marshojnë dhe të ndalojnë para kryeminsitrisë, ashtu si në ditët e mëparshme, për të mbajtur fjalime.

Megjithatë, vetëm pak metra larg tyre, tek sheshi”Italia”, kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e Partisë Socialiste pritet të festojnë 35-vjetorin e partisë.

Policia njoftoi se ka marrë masa duke bllokuar kalimin e makinave në disa akse, e po ashtu pritet të krijohet kordon sigurie për të shmangur çdo incident.

Në 12 ditët e mëparshme, protestuesit kanë artikuluar një sërë shqetësimesh që lidhen me qeverisjen, problemet në sistemin shëndetësor, korrupsionin, koston e jetesës dhe çështje të tjera sociale e ekonomike, por gjithashtu, ata janë shprehur edhe kundër të gjithë klasës politike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat