Lojëra fati pa licencë, arrestohen pronari i lokalit dhe kamerieri në Divjakë; zbardhen emrat

Shqipëria

Lojëra fati pa licencë, arrestohen pronari i lokalit dhe kamerieri në Divjakë; zbardhen emrat

Më: 26 korrik 2026 Në ora: 13:49
Arrestimi

Policia e Divjakës ka goditur një tjetër rast të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, duke arrestuar pronarin e një lokali dhe një kamarier gjatë operacionit të koduar "Game Over".

Në pranga kanë rënë Altin Çoku, 52 vjeç, pronar i një lokali në fshatin Karavasta e Re, si dhe Edmir Çela, 35 vjeç, i punësuar si kamarier në të njëjtin ambient.

Sipas Policisë, gjatë kontrolleve u konstatua se lokali ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit nëpërmjet kompjuterëve dhe telefonave celularë. Nga verifikimi i telefonit të 35-vjeçarit u gjetën faqe që dyshohet se përdoreshin për baste sportive.

Hetimet zbuluan gjithashtu se Edmir Çela ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme.

Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi pesë njësi kompjuterike, një pajisje DVR, një laptop dhe pesë telefona celularë, të cilët dyshohet se shërbenin për organizimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, në kuadër të operacionit policor të koduar "Game Over", ushtruan kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme që dyshoheshin se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit. Si rezultat i kontrolleve, u evidentua një rast i kësaj veprimtarie të paligjshme.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, pasi në lokalin në pronësi të tij, në fshatin Karavasta e Re, Divjakë, dyshohet se organizoheshin lojëra fati nëpërmjet kompjuterëve dhe aparateve celularë.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi E. Ç., 35 vjeç, kamarier në këtë lokal. Gjatë kontrollit të ushtruar në aparatin celular të tij u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive. Nga verifikimet e kryera rezultoi gjithashtu se shtetasi E. Ç. ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë organeve kompetente. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat