65 ditë në rrugë, qytetarët i lënë Ramës mesazhin gjigant në shesh

Shqipëria

65 ditë në rrugë, qytetarët i lënë Ramës mesazhin gjigant në shesh

Më: 3 gusht 2026 Në ora: 08:12 Përditësuar në ora: 22:44 më 03.08.2026
Pamje nga protesta

Përfundon protesta e 65-të kundër qeverisë, qytetarët mbyllin marshimin në Sheshin Skënderbej

Ka përfunduar protesta dhe marshimi i 65-të radhazi kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, i organizuar nga qytetarët që kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe largimin e kabinetit qeveritar.

Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin nëpër rrugët kryesore të Tiranës.

Fillimisht ata u drejtuan drejt godinës së Parlamentit, për të vijuar më pas në zonën e 9-Katësheve. Më tej, marshimi kaloi në Rrugën e Barrikadave, ndërsa protestuesit u rikthyen në Bulevardin Zogu I, pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Marshimi përfundoi në Sheshin Skënderbej, ku qytetarët mbyllën protestën e ditës së 65-të me thirrjet që kanë shoqëruar tubimet që prej fillimit të lëvizjes, si “Rama jepe dorëheqjen”, “Fitore” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Edhe në përfundim të protestës, organizatorët ritheksuan se tubimet do të vijojnë çdo ditë deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa i bënë thirrje qytetarëve dhe diasporës shqiptare t’u bashkohen protestave në ditët në vijim.

Protesta kundër qeverisë në ditën e 65-të radhazi, qytetarët i lënë kryeministri Rama shënimin gjigant në shesh

Në ditën e 65-të të protestës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, qytetarët kanë lënë një tjetër mesazh simbolik në bulevardin përpara Kryeministrisë.

Protestuesit kanë formuar me shkrim gjigant në shesh mesazhin “NO DEALS”,  në shqip “Nuk ka marrëveshje!“, duke përcjellë qartë qëndrimin e tyre se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit nuk është e negociueshme.

Mesazhi u shoqërua me pankarta të tjera të mbajtura nga protestuesit, ndërsa qytetarët vijuan marshimin dhe tubimin e përditshëm kundër qeverisë.

65 ditë protestë! Jehojnë thirrjet e qytetarëve: Rama n’burg, Berisha n’burg!

Me parulla, pankarta, simbole kombëtare dhe flamuj në duar, qytetarët vijojnë marshimin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pas protestës së zhvilluar para Kryeministrisë. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, ndërsa ngritën zërin për ndryshimin e sistemit politik.

Gjatë marshimit, i cili po zhvillohet përgjatë një prej akseve kryesore të kryeqytetit, u dëgjuan thirrje të shumta nga qytetarët kundër qeverisë.

“Ju erdhi fundi”, “Nesër më shumë” dhe “Shqipëria kërkon revolucion” ishin disa nga sloganet kryesore të këtij marshimi.

Mes thirrjeve të protestuesve ishin edhe: “Rama, jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Arrestoni Ramën”, “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Ndryshim sistemi”.

Qytetarët deklaruan se do të vijojnë protestat dhe marshimet edhe në ditët në vijim, duke e cilësuar qëndrimin e tyre në rrugë si një kërkesë për ndryshim politik.

65 ditë tubim përpara Kryeministrisë, protestuesi humb ndjenjat, kërkohet ndërhyrja e një mjeku

Ditën e sotme përpara Kryeministrisë po mbahet protesta e 65-të, teksa një protestues dyshohet se ka humbur ndjenjat.

Më pas aktivistët dhe tubuesit kanë kërkuar ndërhyrjen e një mjeku, për të parë gjendjen e personit që humbi ndjenjat.

Një protestuese i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, me qëllim hapjen e rrugës së ndryshimeve.

“Rama, jep dorëheqjen dhe hapu rrugë ndryshimeve që presin shqiptarët”, u shpreh ajo.

Fillimisht protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” e më pas vijuan marshimin në Kryeministri.

Nga aty, ata vijojnë ende fjalimet, për të përmbyllur më pas protestën e 65-të, me marshim.

“Shqipëria digjet, pushtetarët kanë marrë pushimet”- Aktivistja: Rama dëgjo zërin e qytetarëve, dorëhiqu!

Nga sheshi i protestës në ditën e saj të 65-të të rezistencës popullore për rrëzimin e qeverisë dhe klasës së vjetër politike, foli edhe një aktiviste e re.

Ajo deklaroi se pushtetarët kishin nisur pushimet teksa Shqipëria po digjej, kurse qytetarët protestojnë me rezistencë në shesh. Ajo ngriti pyetje ndaj qeverisë dhe kryeministrit se si mund të kërkonte besë të qytetarëve kur këta të fundit e kishin humbur atë besim ndaj tij.

“Ndërsa Shqipëria ka nisur të digjet, pushtetarët kanë nisur pushimet. Por qytetarët janë në shesh, ne jemi në shesh, pensionistët janë në shesh se nuk ia dalin dot për pushime, ata që s’u dalin rrogat janë përsëri para kryeministrisë, në shesh dhe në protestë. Si mund të kërkosh besimin e popullit kur qytetarët e kanë humbur besimin te ty?”, u shpreh e reja nga podiumi i protestës.

Më tej ajo deklaroi se në asnjë vend të botës një qeveri nuk do vazhdonte me kaq skandale. Ajo i dha mesazh kryeministrit që të hapte rrugën, të dorëhiqej dhe të dëgjonte zërin qytetar.

“Në cilin vend të botës zyrtarët e lartë janë të akuzuar në dyert e SPAK dhe qeveria nuk dorëhiqet? Ndaj dëgjo zërin e qytetarëve, dorëhiqu dhe hap rrugën e një ndryshimi të ri. Rama jepe dorëheqjen vjen thirrja çdo ditë nga ky shesh”, përfundoi ajo.

Aktivisti: Kemi dhënë besën, nuk ikim nga ky bulevard pa larguar Ramën dhe qeverinë e korruptuar

Nga bulevardi para Kryeministrisë, në ditën e 65-të të rezistencës popullore, qytetarët i bënë thirrje kreut të qeverisë që të dorëhiqej pasi nuk do largoheshin pa rënien e tij.

Një prej aktivistëve që hapi protestën e sotme, tha nga podiumi se Shqipërinë do e bënin ata, teksa i dha mesazh kryeministrit Edi Rama se nuk do largoheshin nga bulevardi pa u dorëhequr ai.

“65 ditë protestë qytetare kundër arrogancës qeveritare. Ne jemi në shesh kur duhet të ishim me pushime, ditë e jashtëzakonshme sepse ky popull ka energji të jashtëzakonshme. Pavarësisht temperaturave të larta qytetarët përsëri janë në sheshin e protestës. Asnjëherë më parë nuk ka pasur ditë njëra pas tjetrës që të përjetoj kaq lumturi të madhe. Jam i lumtur se këtij populli dhe mua personalisht na është rikthyer shpresa dhe besimi dhe e kemi kuptuar se bashkë me shumë shqiptarë të tjerë kur e kemi thënë se nuk bëhemi, e kemi pasur gabim”, tha ai.

Më tej ai vlerësoi qëndresën kundër arrogancës qeveritare dhe ndezjen e shpresës së Shqipëria bëhet.

“65 ditë qëndresë qytetare kundër kësaj arrogance qeveritare treguan se e kemi pasur gabim se kemi treguar se Shqipëria bëhet dhe ne do ta bëjmë, pasi nuk ka rrugë tjetër veçse ta bëjmë këtë Shqipëri, që këta politikanë dhe ky kryeministër nuk e bënë”, tha ai.

Më tej kujtoi se kjo protestë ishte bërë frymëzim edhe për Evropën. Teksa i dha një mesazh kryeministrit nga poshtë zyrës.

“Jemi edhe frymëzim për popujt evropianë, i kemi dhënë besën njëri-tjetrit se nuk do largohemi nga ky bulevard pa larguar Edi Ramën, pa larguar këtë qeveri të korruptuar. Nuk largohemi nga ky bulevard pa larguar këtë klasë të inkriminuar politike, që për 35 vite nuk e bëri dot Shqipërinë. Kjo është dita, ky është momenti që ne ta bëjmë Shqipërinë e bërë”, vijoi ai.

Në fund lexoi edhe kërkesat kryesore të protestuesve shqiptarë që rezistojnë prej 65 ditësh.

Ai kërkoi:

Dorëheqje e Ramës, qeveri tranzitore 12 mujore, zgjedhje të lira, anulim të ligjeve të zonave të mbrojtura, paketës së Maleve, investimeve strategjike, ndryshime kushtetuese për Kodin Zgjedhor, kryeministri mos të zgjidhet më shumë se dy herësi dhe kontratë me qytetarët.

“Rama e ka mohuar masakrën e betonit!”- Qytetari: Protesta mund të kalojë në mosbindje civile

Në protestën e 65-të radhazi kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, qytetarë të ndryshëm vijuan akuzat ndaj mazhorancës, duke deklaruar se pakënaqësia po rritet dhe se protesta mund të përshkallëzohet.

Një prej protestuesve ka akuzuar qeverinë se ka lejuar një “masakër betoni” në zonën e Nartës dhe se kryeministri e ka mohuar para mediave të huaja, ndër to edhe “Channel 4”.

Më tej ai u shpreh se qeveria shqiptare është qeveria e parë që njihet ndërkombëtarisht se fsheh në Shqipëri para të pista, jo vetëm të mafiozëve shqiptarë, por edhe të mafive të tjera.

Duke folur për vijimësinë e protestës, ai deklaroi se ajo mund të përshkallëzohet në mosbindje civile

“Dua që kjo protestë të zgjasë, pasi është maratonë, jo sprint. Kjo protestë mund të përshkallëzohet vërtet në mosbindje civile anembanë Shqipërisë”, u shpreh ai.

Protestuesi: Këtu nuk di nga t’ja fillosh. Ai që shkatërrim që na nisur në Nartë, që  Rama e ka mohuar masakrën e betonit përpara Channel 4. Kjo është qeveria e parë që njihet ndërkombëtarisht se fsheh në Shqipëri para të pista, jo vetëm të mafiozëve shqiptarë, por dhe të gjitha mafieve.

Dua që kjo protestë të zgjasë, pasi është maratonë, jo sprint. Kjo protestë mund të përshkallëzojë vërtetë, mund të përshkallëzohet në mosbindje civile anembanë Shqipërisë. Do të jetë e vështirë, patjetër, pasi këta kontrollojnë gjithçka. Nuk kemi sindikata. Ju jeni e vetmja media e lirë. Revolta është e vonë, por shyqyr që ndodhi

“Edi Rama i pabesë”- Qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë

Qytetarët shqiptarë nuk u dorëzuan as sot, në protestën e 65-të dhe të muajit të tretë të rezistencës popullore në kërkim të rrëzimit të qeverisë së korruptuar, largimit të kryeministrit Edi Rama dhe klasës së vjetër politike.

Ata marshuan pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej” drejt Kryeministrisë me thirrje, këngë, parulla e pankarta në duar.

Qytetarët kërkuan dorëheqjen e qeverisë, teksa akuzuan edhe opozitën si të shitur.

“Edi Rama dil në Bulevard, Atdheu është i yni, jo biznes privat”, “Ju erdhi fundi”, “Edi Rama i pabesë”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, “Opozitë e shitur”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju me gaz, ne me vezë, Edi rama i pabesë”, “Revolucion”, “Ndryshim sistemi”, “Parlament i krimit”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët”, ishin thirrjet e tyre të përsëritura gjatë marshimit deri te kryeministria.

Pensionisti në ditën e 65-të të revoltës: Rama kujton se Kosova është si Roskoveci! Hapja e Konsullatës serbe në Shkodër, të luash mendsh!

Qytetarët vijuan edhe sot rezistencën e tyre popullore në ditën e 65-të në Tiranë, kundër qeverisë, kryeministrit Edi Rama dhe klasës së vjetër politike.

Nga sheshi “Skënderbej”, një nga pensionistët vlerësoi këtë frymë bashkimi të qytetarëve për mbi dy muaj, duke nënvizuar se po japin shpresë. Ai tha se partia e tyre është Shqipëria e Re dhe se frika është vrarë përfundimisht.

“Është vrarë frika përfundimisht dhe tani njerëzit shprehen lirisht. Falenderoj të gjithë protestuesit që vijnë këtu dhe na japin shpresë, të rinj e pensionistë, për entuziazmin që po japin këtu në këtë shesh. Protestuesit e kanë krijuar partinë e tyre, Shqipëria e re”, tha qytetari.

Sipas pensionistit, kryeministri Edi Rama po sulmon edhe Kosovën, duke kujtuar se ajo është si Roskoveci dhe fut hundët vend dhe pa vend.

Ai është kundër hapjes së Konsullatës së Serbisë në Shkodër.

“Habitem me këtë qeveri këtu që në këtë kohë të hapë ambasadë jugosllave në Shkodër, është të luash mendsh. Ndërkohë që mijëra trupa atje në Kosovë, varrezë masive, është të luash mendsh. Asnjë fjalë nuk thotë Rama për Bujanocin dhe Medvegjën., Ky kujton se Kosova është si Roskoveci, ky njeri nuk ka të drejtë të fusë turinjtë atje, është e çuditshme. Duke hapur konsullatë në Shkodër të Serbisë do të thotë të jesh kundër Kosovës, kur Serbia nuk e ka njohur ende Kosovën. Janë disa gjëra që nuk shkojnë fare, tallet Vuçiçi me kosovarët e shqiptarët atje”, përfundoi qytetari.

Nis organizimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, shqiptarët kërkojnë largimin e kryeministrit

Ka nisur organizimi i qytetarëve në sheshin Skënderbej. Sot bëhen 65 ditë nga lëvizja qytetare ndërsa kërkohet largimi i kryeministrit Edi Rama.

Ajo që nisi si një reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec është shndërruar në një lëvizje qytetare më të gjerë, me protesta të përditshme kundër qeverisë dhe asaj që organizatorët e cilësojnë si “kastë politike”.

Për më shumë se dy muaj, tubimet janë shoqëruar me marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe me thirrje të vazhdueshme për ndryshim politik.

Në protestën e një dite më parë, aktivistët deklaruan se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre. Ata përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa u shprehën se pakënaqësia qytetare po zgjerohet edhe në qytete të tjera të vendit për shkak të reformës së re territoriale, që sipas propozimit të mazhorancës pritet shkrirja e 15 bashkive.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat