Ç’ndodhi në Kuçovë? Hita pezullon 3 efektivët në Kuçovë, nis hetimi disiplinor pas videos në media

Shqipëria

Ç’ndodhi në Kuçovë? Hita pezullon 3 efektivët në Kuçovë, nis hetimi disiplinor pas videos në media

Më: 3 shtator 2026 Në ora: 17:02
Kuçovë

Një situatë e paprecedentë u raportua të ketë ndodhur sot në fshatin Krekëz të Kuçovës, ku një familje me gjashtë anëtarë është përballur me një episod të dhunshëm nga Policia.

Sipas një denoncimi të publikuar nga JOQ, disa efektivë të Policisë së Kuçovës, shoqërojnë me forcë në sy të fëmijëve kryefamiljarin, Dashnor Toska.

Sipas mediave shkak për ndërhyrjen e policisë është bërë suvatimi i mureve të banesës pa leje.

Familja Toska, e cila jeton në kushte të vështira ekonomike dhe me një banesë të amortizuar ishin të detyruar të flinin jashtë për shkak të gjendjes së saj.

Por, në vend të ndihmës, familja thotë se është përballur me një ndërhyrje të dhunshme policore.

Siç shihet edhe nga pamjet, Dashnor Toska është marrë zvarrë dhe shoqëruar në sy të fëmijëve të cilët qajnë dhe bërtasin para efektivëve.

Lidhur me kët ngjarje ka reaguar edhe kreu i Policisë së Shtetit Skënder Hita i cili ka pezulluar nga detyra tre punonjës të Komisariatit të Policisë Kuçovë.

Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit

Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shfaqet shoqërimi i një shtetasi nga punonjësit e Policisë së Komisariatit të Policisë Kuçovë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra 3 punonjësit e Komisariatit të Policisë Kuçovë që shfaqen në video, konkretisht: inspektorët K. M. dhe D. D., oficerë të Patrullës së Përgjithshme, si dhe inspektor A. M., ndihmësspecialist (SPZ).

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në zbatim të kërkesave të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, në DPPSH, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 3 punonjësve të pezulluar nga detyra, për shkeljet “Përdorimi i paligjshëm dhe i paarsyeshëm i forcës” dhe “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.

Ndërkohë, sqarojmë opinionin publik se shoqërimi i shtetasit D. T., që shfaqet në video, nuk është bërë për kryerjen e punimeve të ndërtimit pa leje, por për shkak se ndaj tij është bërë kallëzim për kanosjen e kunatës së tij.

Më datë 20.07.2026, në Komisariatin e Policisë Kuçovë është paraqitur kunata e shtetasit D. T., shtetasja V. T., e cila ka kallëzuar se ky shtetas e kishte kanosur.

Në kuadër të veprimeve procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Kuçovë dhe pas konsultimit me Prokurorinë e Beratit, më datë 03.08.2026, shërbimet e Policisë kanë shkuar në fshatin Krekëz, për të shoqëruar shtetasin D. T., i cili nuk kishte pranuar të paraqitej vullnetarisht në Komisariat, pas njoftimit nga ana e Policisë, për t’u pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.

Në vijim të veprimeve për rastin, materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprën penale “Kanosja”, parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal.

Duke qenë se palët janë në situatë konfliktuale dhe në proces gjyqësor për një pronë (tokë), Komisariati i Policisë Kuçovë e ka trajtuar në mënyrë të vazhdueshme problematikën ndërmjet tyre, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës, duke reaguar ndaj çdo njoftimi dhe duke kryer veprimet procedurale në përputhje me ligjin.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit garanton qytetarët se çdo pretendim për shkelje të ligjit apo të standardeve profesionale nga ana e punonjësve të Policisë do të verifikohet me seriozitet dhe paanshmëri.

Çdo punonjës Policie që konstatohet se ka shkelur ligjin, rregullat e shërbimit apo ka cenuar besimin e qytetarëve me veprimet e tij, do të mbajë përgjegjësi sipas parashikimeve të ligjit dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat