Detaje të reja janë zbardhur nga krimi në familje që ndodhi paraditen e sotme në Tiranë, ku një 58-vjeçare u vra me thikë nga bashkëshorti i saj.
Viktima është Lumturie Patushi, ndërsa autori i dyshuar është bashkëshorti i saj, Hysni Patushi. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:20, në një banesë në rrugën “Panorama”, në një kompleks pranë shkollës “Harry Fultz”.
Sipas të dhënav në banesë në momentin e krimit ndodhej edhe nipi 14-vjeçar i çiftit. Dyshohet se pas një konflikti në banesë, Hysni Patushi i cili ishte në gjendje të dehur ka goditur bashkëshorten me mjet prerës.
Lumturie Patushi u transportua me urgjencë drejt spitalit, por plagët e marra rezultuan fatale dhe 58-vjeçarja humbi jetën.
Pas ngjarjes, Hysni Patushi u largua nga banesa. Policia e ka shpallur në kërkim dhe po punon për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Policia ka shoqëruar gjithashtu dhëndrin e autorit të dyshuar, ndërsa vijojnë veprimet hetimore për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.
“Rreth orës 10:20, në rrugën ‘Panorama’, dyshohet se, pas një konflikti në banesë, shtetasi H. P., 68 vjeç, ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen L. P., 58 vjeçe, e cila ka humbur jetën. Autori i dyshuar, shtetasi H. P., 68 vjeç, është larguar nga vendngjarja. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi Policia.
Policia nuk ka bërë ende publik motivin e konfliktit që parapriu vrasjen. Hetuesit po punojnë për dokumentimin e plotë të dinamikës dhe rrethanave të krimit.