Zjarri në kodrat e Apolonisë/ Gonxhja: Në temperatura kaq të ulëta nuk mund të jenë zjarre që vijnë nga nxehtësia, shkak duhet të jetë gabimi njerëzor

Shqipëria

Zjarri në kodrat e Apolonisë/ Gonxhja: Në temperatura kaq të ulëta nuk mund të jenë zjarre që vijnë nga nxehtësia, shkak duhet të jetë gabimi njerëzor

Më: 22 shtator 2026 Në ora: 19:07
Fotoilustrim

Një operacion i gjerë nga toka dhe ajri është duke u zhvilluar për shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë përfshirë zonën përreth parkut. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë, emergjencat civile dhe ushtria po punojnë pandërprerë për të mbrojtur banesat e rrezikuara që ndodhen në afërsi, ndërkohë që era e fortë po e vështirëson procesin dhe po ndihmon në përhapjen e flakëve.

Pavarësisht situatës alarmante për banorët dhe pasurinë natyrore, përfshirë ullinjtë dhe pemët shekullore të zonës, fatmirësisht nuk raportohet asnjë dëm në monumente, artefakte apo në pjesën muzeale e monumentale brenda parkut.

Ministrit të Turizmit, Bledi Goxhja,u shpreh se ajo që e bën situatën edhe më serioze janë shkaqet e këtij zjarri. Për shkak të temperaturave të ulëta, autoritetet kanë përjashtuar mundësinë e një zjarri natyror të shkaktuar nga nxehtësia.

Të gjitha dyshimet kryesore të çojnë drejt një gabimi njerëzor ose një zjarrvënieje të qëllimshme.

Policia ka nisur tashmë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e kësaj ngjarjeje të pazakontë. Situata mbetet nën monitorim të rreptë për të mbrojtur jetën e banorëve dhe bukurinë natyrore të zonës.

"Nuk flasim dot para kohe ende, aksioni për të fikur gjithë vatrat e mundshme rrotull parkut, po edhe në zonat që janë me rrezik për banesa që janë afër parkut, po vijon, siç e shikoni ndërsa ne flasim. Natyrisht që kjo tani na shqetëson sepse kemi forca të shtuara edhe nga ajri edhe në tokë. Problem: parandalimi, pakujdesia. Në temperatura kaq të ulëta nuk mund të ketë zjarre që vijnë nga nxehtësia dhe kështu që era vërtet e nxit dhe nuk e ndihmon fikjen, por biles e përkeqëson zjarrin.

Por ama shkaku duhet të jetë gabimi njerëzor, kështu që policia po heton. Jemi të qetë me monumentet, nuk kemi asnjë dëm për momentin, as në artefakte, as në pjesën muzeale, as në pjesën monumentale. Në park brenda nuk kemi asnjë dëm dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe kjo na gëzon, por natyrisht mbetet... si të themi... meraku për banorët që janë afër parkut dhe për gjithçka që lidhet me atë vlerë që është edhe natyrore e kësaj kodre, ullinj apo pemë shumë të vjetra dhe që janë dhe bukuria e kësaj zone kaq... të themi holistike dhe që ne nuk duam ta humbim. Kështu që do duhet të kemi shumë më tepër vëmendje.

Ne po punojmë të nxjerrim çdo konkluzion për menaxhimin nga ana jonë dhe për gjithçka që duhet të përmirësojmë nga ana jonë, ndërkohë që policia dhe gjithë forcat e ndërhyrjes së shpejtë, emergjencat civile, dhe ushtrinë që e falënderojmë, po punon për pjesën e fikjes".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat