Shoqërimi i protestuesve nga Policia, Avokati i Popullit dërgon grupe monitorimi në disa komisariate

Shqipëria

Shoqërimi i protestuesve nga Policia, Avokati i Popullit dërgon grupe monitorimi në disa komisariate

Më: 15 tetor 2026 Në ora: 21:22
Përfaqësues të Avokatit të Popullit monitorim në komisariate

Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me situatën e krijuar gjatë protestave të zhvilluara këtë të enjte, më 15 tetor, duke bërë të ditur se ka nisur monitorimin e veprimeve të Policisë së Shtetit ndaj personave të shoqëruar. Sipas njoftimit zyrtar, në Korçë dhe Shkodër janë shoqëruar gjithsej 30 persona, nga të cilët 16 të mitur, ndërsa vijon verifikimi i situatës në Tiranë. Në Komisariatin e Policisë Korçë janë shoqëruar 26 persona, mes tyre 16 të mitur. Avokati i Popullit bën të ditur se të gjithë personat e shoqëruar janë liruar, ndërsa një pjesë e tyre po procedohen në gjendje të lirë.

Ndërkohë, në Shkodër, përfaqësuesit e zyrës rajonale të Avokatit të Popullit kanë monitoruar Drejtorinë Vendore të Policisë, ku janë kryer veprimet procedurale ndaj katër personave të shoqëruar. Institucioni ka administruar ankesat e këtyre personave lidhur me mënyrën e trajtimit nga policia, që prej momentit të shoqërimit, si dhe pretendimet e tyre për mosgarantimin e të drejtave kushtetuese.

Sa i përket Tiranës, një grup pune po kryen monitorime në komisariatet e policisë dhe në spitalet ku po trajtohen personat e lënduar. Avokati i Popullit njofton se gjetjet paraprake do të bëhen publike pas verifikimit të tyre. Institucioni thekson se qëllimi i monitorimit është të verifikohet nëse personave të shoqëruar u janë garantuar të drejtat themelore gjatë ndërhyrjeve dhe procedurave policore.

Përveç hetimeve të nisura kryesisht, Avokati i Popullit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe familjarëve të personave të shoqëruar që të paraqesin ankesa individuale në rast se pretendojnë se janë cenuar të drejtat e tyre nga Policia e Shtetit.

“Përditësim mbi situatën e të shoqëruarve gjatë protestave të sotme Avokati i Popullit ka dërguar grupe monitorimi në komisariatet e policisë dhe në drejtoritë e policisë në Korçë, Shkodër dhe Tiranë, si dhe në spitalet ku trajtohen personat e lënduar. Qëllimi është të verifikohet nëse të shoqëruarve u garantohen të drejtat themelore, dhe të publikohen gjetjet pasi të konfirmohen.

Korçë

Në Komisariatin e Policisë Korçë ditën e sotme janë shoqëruar 26 persona, nga të cilët 16 të mitur. Aktualisht të gjithë personat e shoqëruar janë liruar dhe një pjesë e tyre po procedohen në gjendje të lirë.

Shkodër

Përfaqësuesit e zyrës rajonale kanë monitoruar Drejtorinë e Policisë Shkodër, ku janë kryer veprimet procedurale për katër persona të shoqëruar. Ne kemi administruar ankesat e tyre për trajtimin që në momentin e shoqërimit nga policia, si dhe pretendimet për garantimin e të drejtave të garantuara në Kushtetutë.

Një grup pune po monitoron situatën në komisariatet e policisë dhe në spitalet e Tiranës, dhe shumë shpejt do të raportojmë mbi gjetjet parapake.

Përveç hetimeve kryesisht, Avokati i Popullit fton qytetarët dhe familjarët e tyre t'i drejtohen institucionit me ankesa individuale për pretendime në lidhje me trajtimin nga Policia e Shtetit”, deklaroi Avokati i popullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat