Protesta e gjashtë kundër Ramës përfundon mes tensioneve, molotovëve dhe gazit lotsjellës – 28 të lënduar

Shqipëria

Protesta e gjashtë kundër Ramës përfundon mes tensioneve, molotovëve dhe gazit lotsjellës – 28 të lënduar

Nga: Bota sot Më: 18 tetor 2026 Në ora: 12:56 Përditësuar në ora: 22:41 më 18.10.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Mbyllet protesta e gjashtë kundër qeverisë, protestuesit shpërndahen pas përplasjeve me policinë

Protesta e gjashtë kundër qeverisë, e zhvilluar këtë të diel në Tiranë, është mbyllur pas disa orësh me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.

Gjatë mbrëmjes, situata u tensionua në disa zona të kryeqytetit, ku protestuesit hodhën molotovë dhe mjete piroteknike në drejtim të forcave të rendit dhe institucioneve shtetërore. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Protesta u shoqërua me incidente edhe pranë Komisariatit nr. 3, ku sipas Policisë së Shtetit, persona të maskuar sulmuan godinën me molotovë, gurë dhe mjete piroteknike. Si pasojë, 10 efektivë mbetën të plagosur, sipas deklaratës së policisë.

Tensione pati edhe pranë selisë së Partisë Demokratike, ku u përdor gaz lotsjellës. Kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi policinë se kishte hedhur gaz në ambientet e selisë, ndërsa Policia e Shtetit deklaroi se efektivët reaguan pasi u sulmuan me molotovë nga persona të maskuar që më pas u futën në ambientet e jashtme të godinës.

Gjatë protestës u raportuan gjithashtu flakë në godinën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe hedhje molotovësh në drejtim të selisë së Partisë Socialiste dhe Parlamentit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri në orën 21:00, në Spitalin Universitar të Traumës kishin marrë ndihmë mjekësore 23 persona: 17 efektivë policie, një protestues i mitur, një përfaqësuese e medias dhe katër kalimtarë. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ishin paraqitur edhe pesë persona të tjerë, dy efektivë policie dhe tre protestues.

Policia reagon për tensionet te selia e PD-së: Na sulmuan me molotovë, përdorëm gaz lotsjellës

Policia e Shtetit ka reaguar pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës në Tiranë, duke deklaruar se efektivët janë sulmuar me molotovë nga një grup personash të maskuar, të cilët më pas janë futur në ambientet e jashtme të selisë së Partisë Demokratike.

Përmes një reagimi zyrtar, Policia e Shtetit sqaron se ngjarja është zhvilluar gjatë patrullimeve në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Sipas policisë, një grup personash të cilësuar si të dhunshëm dhe të maskuar kanë sulmuar me molotovë punonjësit e policisë. Për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga efektivët, ata janë futur në ambientet e jashtme të selisë së Partisë Demokratike, ku, sipas versionit zyrtar, kanë vijuar sulmin ndaj forcave të rendit.

Policia bën me dije se, në përgjigje të sulmit me molotovë, efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës.

Në reagimin e saj, Policia e Shtetit i cilëson pretendimet e tjera mbi ngjarjen si të pavërteta dhe dashakeqe, duke pretenduar se ato synojnë të fshehin të vërtetën mbi atë që ka ndodhur gjatë protestës.

Ngjarja vjen pas tensioneve të shënuara në kryeqytet, ku një pjesë e protestuesve janë futur në ambientet e selisë së PD-së, ndërsa forcat e policisë kanë qëndruar jashtë godinës.

Njoftimi:

REAGIM I POLICISË SË SHTETIT

Nga patrullimet në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, sqarojmë se:

Shërbimet e Policisë janë sulmuar me molotovë nga një grup personash të dhunshëm dhe të maskuar, të cilët, për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga ana e Policisë, u futën në ambientet e jashtme të selisë së subjektit politik Partia Demokratike dhe vijuan sulmin ndaj punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë iu përgjigjën sulmit me molotovë nga ana e protestuesve të dhunshëm me gaz lotsjellës.

Të gjitha pretendimet e tjera janë të pavërteta, të qëllimshme dhe dashakeqe, me qëllim fshehjen e së vërtetës.

Tensione te Ministria e Brendshme, policia shoqëron disa protestues

Situata pranë Ministrisë së Brendshme është shoqëruar me tensione, ndërsa policia ka shoqëruar disa prej protestuesve të pranishëm në tubim.

Sipas informacioneve paraprake, momentet e tensionit janë shoqëruar me ndërhyrjen e efektivëve të policisë, të cilët kanë shoqëruar disa protestues.

Protesta e dhunshme ka hyrë në ditën e saj të gjashtë, ku gjatë këtyre ditëve ka patur përplasje të forta mes efektivëve të policisë dhe protestuesve.

Ndërkohë këta të fundit u kanë vënë flakën disa prej institucioneve shtetërore, bizneseve private, kioskave, koshave të mbeturinave.

“Ishte skenar”/ Tensionet në Selinë e PD-së, Berisha: Asnjë protestues nuk na ka sulmuar këto ditë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbërriti në seli, ku komentoi tensionet e fundit që ndodhën.

Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se ky ishte një skenar i Edi Ramës, që sipas tij, protestuesit të duken sikur kanë sulmuar selitë e të dyja partive.

“Njeriu që po përpiqet të përzgjedhë vendin e azilit politik, i them këtu që vendi i vetëm i azilit do të jetë qelia e burgut. Sot, ai përhap nëpërmjet rrjetit të tij në protestë, përhap lajmin që Kryeministrinë nuk e marrim dot, ndaj duhet të sulmohen dy selitë e partive të mëdha. Ai prandaj mori dhe futi brenda partisë së tij tre inspektorate, banditë të pajisur me hunj e mjete të tjera. Skenari i dështoi, sepse iniciatorët, ose puthadorët e Ramës nuk i ndoqi njeri. Dështoi të sillte protestuesit që shprehnin urrejtjen ndaj partisë së krimit. Natyrisht që nuk kishin motiv të vinin. Tani që i dështoi projekti, u përpoqën që selia e PD-së të sulmohej nga ora 8:30-9:30. Njerëzit e vërtetë në protestë nuk mund të manipuloheshin. Jagon e Edi Ramës e braktisën masivisht.

Kësaj here kur dështuan, ora erdhi dhe kur panë që skenari nuk po realizohej, policia në mënyrën më hakmarrëse dhunon territorin e Partisë Demokratike, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës. Jo vetëm që hedhin sasi të mëdha bombolash gazi, pa pasur motiv, vetëm reprezaljet e PD-së për dështimin e skenarit të tyre. I kanë helmuar njerëzit dhe ju e patë vetë. Nuk ka pasur asnjë tentativë nga asnjë protestues që të kryejë dëmin më të vogël ndaj kësaj partie. Paralajmëroj Edi Ramën se do të mbahen personalisht përgjegjës si manipulator të shpifur që bëjnë gjithçka brenda protestës kundër protestës. Demokratët janë në mosbindje civile më shumë se kurrë. Dhe jo vetëm në Tiranë.

Çdo i mitur që sulmohet, është i mitur dhe do të mbrohet nga Partia Demokratike. Ata që sulmojnë të miturit, ata shkelin ligje dhe Kushtetutën e vendit. Unë i përgëzoj demokratët që i marrin në mbrojtje të miturit”, u shpreh Berisha.

Tirana në kaos nga protesta e dhunshme, Ministria e Shëndetësisë: 28 të lënduar në total, 19 policë, 1 gazetar, 4 protestues dhe 4 kalimtarë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë një përditësim rreth të lënduarve të protestuesve dhe efektivëve të policisë gjatë ditës së sotme, ora 21:00.

Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 23 të lënduar, 17 efektivë policie, 1 protestues i mitur, 1 përfaqësues i medias dhe 4 kalimtarë.

“Aktualisht në urgjencën e SUT po merr trajtim 1 efektiv policie, ndërsa përfaqësuesja e medias është shtruar për ekzaminime të mëtejshme, gjendja shëndetësore është e mirë”, njofton MSH.

Ndërkohë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 5 të lënduar, 2 efektivë policie dhe 3 protestues.

“Aktualisht, vetëm njëri prej efektivëve vijon të marrë shërbim mjekësor në urgjencë, ndërsa personat e tjerë janë larguar pas marrjes së këshillës mjekësore”, njofton Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Njoftimi i plotë:

PËRDITËSIM Informacioni mbi të lënduarit, 18 tetor 2026 ora 21:00

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, informon se gjatë ditës së sotme në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 23 të lënduar:

-17 efektivë policie

-1 protestues (i mitur)

-1 përfaqësuese e medias

– 4 kalimtarë

Aktualisht në urgjencën e SUT po merr trajtim 1 efektiv policie, ndërsa përfaqësuesja e medias është shtruar për ekzaminime të mëtejshme, gjendja shëndetësore është e mirë.

Nga data 13 tetor e në vijim, numri i personave të shtruar në spital dhe që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14, 5 efektivë, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 5 të lënduar:

-2 efektiv policie

-3 protestues

Aktualisht, vetëm njëri prej efektivëve vijon të marrë shërbim mjekësor në urgjencë, ndërsa personat e tjerë janë larguar pas marrjes së këshillës mjekësore.

MSHMS shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë mjekët, infermierët dhe ekipet shëndetësore, të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi po ofrojnë kujdesin e nevojshëm për çdo të lënduar, ndërsa mbetet e angazhuar në misionin e saj të përhershëm për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, duke garantuar kujdes shëndetësor me përkushtim, pa dallim dhe në çdo rrethanë.

Hita: 10 efektivë policie të plagosur nga sulmi ndaj Komisariatit nr. 3, do të identifikohen autorët

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas sulmit ndaj Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë, ku mbetën të plagosur 10 punonjës policie. Sipas tij, persona të maskuar përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës dhe efektivëve që ndodheshin në shërbim.

Në deklaratën e tij, Hita theksoi se punonjësit e plagosur nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave. Ai shtoi se sulmi krijoi rrezik edhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të komisariatit.

“Sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë”, deklaroi Hita, duke e cilësuar dhunën ndaj efektivëve si të papranueshme dhe të dënueshme me ligj.

Kreu i Policisë së Shtetit bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar sulme të tjera ndaj uniformave blu, me gurë, lëndë piroteknike, sfera metalike dhe bomba molotov, të cilat kanë shkaktuar plagosjen e disa punonjësve të tjerë.

Sipas Hitës, prej gjashtë ditësh efektivët e policisë po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërsa vijojnë të garantojnë rendin dhe sigurinë publike.

Ai njoftoi se strukturat policore po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë në sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve të drejtësisë. Hita paralajmëroi se personat për të cilët provohet përgjegjësia penale do të përballen me pasojat e parashikuara nga ligji.

Njëkohësisht, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u shpreh se e drejta për protestë paqësore mbetet e garantuar, por theksoi se ajo nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën apo sulmet ndaj institucioneve.

Hita tha se ka udhëzuar strukturat policore të veprojnë me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar ligjin, procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.

“Vendosmëria për të ndaluar dhunën duhet të shoqërohet në çdo rast me respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve”, u shpreh ai.

Në përfundim, kreu i Policisë së Shtetit u bëri thirrje protestuesve që ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e tyre të distancohen nga aktet e dhunshme, ndërsa siguroi se policia do të vijojë detyrën për garantimin e sigurisë publike.

“Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre”, përfundoi Hita.

Shpërthime pranë Kuvendit, protestuesit hedhin molotovë, policia përdor sasi të mëdha gazi lotsjellës

Tensione të forta janë regjistruar pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku janë dëgjuar shpërthime të shumta gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave të Policisë.

Protestuesit kanë hedhur bomba molotov në drejtim të efektivëve, ndërsa palët janë gjendur shumë pranë njëra-tjetrës, në një situatë të tensionuar.

Në përgjigje, Policia ka përdorur sasi të mëdha gazi lotsjellës për të shpërndarë turmën. Ndërhyrja ka shoqëruar përshkallëzimin e përplasjeve në zonën pranë godinës së Kuvendit.

Situata vijon të jetë e tensionuar, ndërsa hedhja e molotovëve dhe përdorimi intensiv i gazit lotsjellës kanë shënuar një tjetër moment të fortë të protestës në kryeqytet.

Moska i përgjigjet Ramës mbi akuzat për ndërhyrje në protestat në Shqipëri

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama për përfshirjen e Rusisë dhe Iranit në protestat që po zhvillohen në Shqipëri.

Përmes një reagimi të shpërndarë nga Ambasada Ruse në Tiranë, Zakharova kundërshton pretendimet për ndërhyrje të huaj, duke ia atribuar protestat pakënaqësisë së qytetarëve shqiptarë.

“Jo, Edi Rama, janë qytetarët e vendit tuaj që kanë dalë në rrugë në protestë dhe ju nuk duhet t’ua hidhni fajin të tjerëve. Zgjidhini vetë problemet tuaja të brendshme”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së diplomacisë ruse.

Reagimi i Moskës vjen në një moment kur protestat në Shqipëri janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë, ndërsa debati për përgjegjësit e tensioneve është zhvendosur edhe në marrëdhëniet diplomatike.

Kryeministri Edi Rama ka ngritur pretendime për përfshirjen e Rusisë dhe Iranit në zhvillimet e fundit, duke i lidhur ato me përpjekjet për të penguar rrugën evropiane të Shqipërisë. Moska, nga ana tjetër, i kundërshton këto akuza dhe këmbëngul se protestat janë pasojë e problemeve të brendshme të vendit.

Përplasja mes Tiranës dhe Moskës e vendos në qendër të debatit çështjen e ndërhyrjes së huaj, ndërsa pretendimet për përfshirjen e aktorëve të jashtëm kërkojnë prova dhe verifikim të pavarur.

Kaos pranë bankës së Shqipërisë, protestuesit nuk ndalojnë shpërthimet e fishekzjarrëve drejt policisë

Tensione pranë Bankës së Shqipërisë, ku protestuesit vijojnë të shpërthejnë fishekzjarrë në drejtim të forcave të policisë.

Pavarësisht ndërhyrjeve të efektivëve, hedhja e fishekzjarrëve nuk është ndalur, duke shtuar tensionet në zonën ku protestuesit janë përballë kordonit policor.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e rendit vijojnë të përballen me turmën.

Protestuesit largohen nga PS, policia hedh gaz lotsjellës

Selia e Partisë Socialiste në Tiranë është bërë sërish epiqendër e përplasjeve gjatë protestës, ku një grup protestuesish kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të godinës.

Përballë këtij sulmi, forcat e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke përdorur gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit dhe për të larguar turmën nga ambientet e selisë.

Situata është tensionuar sërish në këtë zonë të kryeqytetit, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe efektivëve vijojnë të shoqërojnë protestën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat