Protesta e gjashtë kundër Ramës përfundon mes tensioneve, molotovëve dhe gazit lotsjellës – 28 të lënduar

Shqipëria

Protesta e gjashtë kundër Ramës përfundon mes tensioneve, molotovëve dhe gazit lotsjellës – 28 të lënduar

Nga: Bota sot Më: 18 tetor 2026 Në ora: 12:56 Përditësuar në ora: 19:20 më 18.10.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Protesta vijon me tensione te blloku i ministrisë së Brendshme dhe Infrastrukturës, hidhet fishekzjarre në drejtim të policisë

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të Policisë janë intensifikuar në zonën pranë Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës në Tiranë.

Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë në drejtim të efektivëve, ndërsa Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Tensionet në këto dy zona të kryeqytetit vijnë në një moment kur protesta është shoqëruar me përplasje të forta dhe episode të përsëritura konfrontimi mes protestuesve dhe uniformave blu.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa Policia vijon ndërhyrjen për të shpërndarë protestuesit.

Merr flakë Ministria e Infrastrukturës pas tensioneve në Tiranë

Godina e Ministrisë së Infrastrukturës është përfshirë nga flakët pas tensioneve të regjistruara në Tiranë gjatë protestës.

Ngjarja vjen pas përplasjeve të forta mes protestuesve dhe forcave të Policisë, me hedhje molotovësh dhe përdorim të gazit lotsjellës në disa zona të kryeqytetit.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa ende nuk ka informacion të plotë mbi përmasat e zjarrit, dëmet e shkaktuara apo nëse ka persona të lënduar në ambientet e ministrisë.

​Nuk ndalen molotovët, protestuesi dhunon me shkop druri policin

Momente të rënda dhe paniku kanë ndodhur në sheshin Skënderbej, ku duket se tashmë “lufta” mes policisë dhe protestuesve është përshkallëzuar.

Policia ka vijuar me hedhje uji dhe gazi lotsjellës te protestuesit që qëndronin në shesh. Ndërkohë, këta të fundit në një moment janë afruar, ku nuk kanë reshtuar bombat molotov.

Një prej protestuesve është afruar te autoboti dhe me një shkop druri në dorë ka dhunuar një prej efektivëve. Një tjetër ka hipur mbi autobotin, ndërsa ka tentuar që të hapë edhe derën e mjetit, por nuk ia ka dalë. Policia ka vijuar me gaz dhe ujë, duke tentuar që t’i shpërndajë ata, e duke ia dalë t’i largojë.

Prej gjashtë ditësh, studentë, nxënës dhe qytetarë kanë protestuar në Tiranë, shoqëruara me akte dhune dhe ndërhyrje të Policisë së Shtetit.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, shprehu sot shqetësimin për situatën në Tiranë, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit.

Ai dënoi dhunën, pavarësisht burimit të saj, duke përfshirë si individët që mund të depërtojnë në protesta me qëllime të dhunshme, ashtu edhe veprimet e shtetit dhe të policisë.

Në cilësinë e raportuesit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, ai përsëriti shqetësimin për situatën në kryeqytet dhe bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit.

Skenë ‘lufte’ në Bulevard, protestuesit rrokullisin drejt policisë blloqet e mëdha të betonit, ata mësyjnë me ujë e gaz lotsjellës

Situata është tensionuar ndjeshëm në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku vijojnë përplasjet mes protestuesve dhe forcave të Policisë.

Pavarësisht përplasjeve që nisën më herët, protestuesit nuk janë tërhequr nga bulevardi.

Disa prej tyre kanë marrë blloqe të mëdha betoni në formë cilindrike, të vendosura përgjatë bulevardit, dhe i kanë rrotulluar në drejtim të efektivëve dhe autobotit me ujë me presion.

Ndërkohë, Policia është kundërpërgjigjur duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion, me qëllim shpërndarjen e turmës.

 

Pas shkatërrimit të selisë së PS-së, protestuesit zhvendosen te Kryeministria, marrin gurë me vete dhe barriera metalike

Ndërsa në orët e para të mëngjesit punonjësit e Bashkisë nisën të “zhveshin” trotuaret përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me qëllim që protestuesit të mos kishin mundësi të merrnin gurë për t’i hedhur drejt institucioneve dhe efektivëve të Policisë, protestuesit kanë gjetur sërish gurë në pjesë të tjera të qytetit.

Pas shkatërrimit të selisë së Partisë Socialiste, ata janë mbledhur para Kryeministrisë, ku janë pozicionuar me gurë në duar dhe barriera metalike.

Përballë tyre ndodhen dy autobotë me ujë dhe forca të shumta policie, raporton Anila Hoxha.

Protestuesit hedhin gurë drejt selisë së PS-së, forcat e Policisë mbërrijnë menjëherë në zonë

Protestuesit kanë ndaluar para selisë së Partisë Socialiste, ku kanë nisur ta sulmojnë godinën me gurë, duke goditur edhe pjesën e derës dhe duke thyer xhamat.

Forcat e Policisë ndodheshin pranë zonës, por nuk ndërhynë menjëherë.

Pak çaste më vonë, efektivët hodhën gaz lotsjellës me qëllim shpërndarjen e turmës.

Shpërndahen në grupe protestuesit, të rinjtë i vënë flakën koshave në mes të rrugës

Protestuesit janë shpërndarë në grupe, ndërsa disa të rinj u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave në mes të rrugës.

Pas zhvillimeve gjatë protestës, një pjesë e protestuesve janë larguar nga grumbullimi kryesor, duke u shpërndarë në grupe të vogla.

Ndërkohë, disa të rinj kanë djegur kosha mbeturinash në rrugë, duke krijuar situata tensioni.

Zhvillimet vijnë në vijim të protestës, e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje.

Frikë nga grumbullimi i protestuesve, Policia zhvendoset te Kuvendi dhe “blindon” hyrjet

Policia ka arritur të shpërndajë protestuesit që ishin mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit, ku pas përplasjeve me ta u përdorën ujë me presion dhe gaz lotsjellës.

Ndërkohë, teksa turma është zhvendosur drejt sheshit “Skënderbej”, Policia ka nxituar të vendosë forca shtesë pranë Kuvendit.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raportoi se disa furgonë policie kanë mbërritur në zonë dhe po bllokojnë hyrjet e Kuvendit.

Ujë me presion dhe gaz lotsjellës! Përplasje mes policisë dhe protestueseve para Ministrisë së Arsimit

Përplasjet mes policisë dhe protestuesve janë përshkallëzuar sërish para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Forcat e rendit kanë përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën.

Janë shoqëruar disa të mitur.

Situata është tensionuar gjatë protestës së studentëve dhe të rinjve, të cilët vijojnë të kundërshtojnë qeverinë dhe të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre. Para godinës së ministrisë janë regjistruar incidente të përsëritura, ndërsa raportimet për përplasjet mes protestuesve dhe efektivëve kanë shoqëruar tubimet e ditëve të fundit.

Policia ndryshon strategji në protestë, kordoni vendoset më larg Ministrisë së Arsimit

Policia ka ndryshuar strategjinë e menaxhimit të protestës së sotme, duke vendosur kordonin e efektivëve më larg Ministrisë së Arsimit, ndryshe nga ditët e mëparshme, kur forcat qëndronin pranë institucionit.

Sipas raportojnë gazetaret e Top Channel në terren, Anila Hoxha dhe Dorjana Bezat, kjo lëvizje synon menaxhimin e turmës, e cila afrohej nga të dyja anët e rrugës.

Ndërkohë, dera kryesore e Ministrisë është fortifikuar me një mbulesë metalike, ndërsa dritaret e katit të parë janë përforcuar me mbrojtëse hekuri.

Në zonën ku dje qëndronin efektivët e Policisë janë konstatuar edhe fishekë plastikë, përfshirë disa të paplasur, të cilët, sipas raportimit nga terreni, janë mjete të përdorura gjatë përplasjeve të djeshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat