Studentja nga Kosova në Shqipëri përcjell mesazh bashkimi para protestës në Tiranë
Studentja nga Kosova, Desea Ramadani, e cila studion në Universitetin e Mjekësisë në Shqipëri, u ka bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar në Tiranë.
Përmes një mesazhi, Ramadani ka ftuar shqiptarët që të marrin pjesë në protestë, duke theksuar rëndësinë e bashkimit.
“Gjithë shqiptarët t’i bashkohen protestës në Tiranë”, është thirrja e studentes nga Kosova.
Mesazhi i saj vjen në kohën kur në kryeqytetin shqiptar pritet të mbahet protesta, ku pjesëmarrësit do të shprehin qëndrimet dhe kërkesat e tyre.
Tensione në protestë, nis hedhja e gurëve
Tensionohet protesta para Ministrisë së Arsimit.
Gazetarja e Top Channel bën me dije se kanë nisur protestuesit me hedhjen e gurëve.
“Rama s’i dëgjoi për muaj të tërë”/ Pedagogët në mbështetje të studentëve
Një pedagog ka shprehur mbështetjen për studentët dhe kërkesat e tyre, duke kritikuar mënyrën se si institucionet kanë reaguar ndaj protestave që prej muajsh zhvillohen në Shqipëri.
Në një prononcim për News24, ai u shpreh se të rinjtë kanë dalë në shesh me kërkesa të qarta për më shumë se tre muaj, por, sipas tij, nuk janë dëgjuar nga qeveria.
Pedagogu theksoi se kjo situatë ka sjellë përshkallëzimin e protestave, ndërsa e cilësoi përdorimin e dhunës ndaj të rinjve si një fatkeqësi kombëtare.
“Jam pro studentëve dhe kërkesave të tyre. Për mbi tre muaj, rinia ishte në shesh me kërkesa të qarta. Duhet të dëgjoheshin, por nuk u dëgjuan për kaq kohë dhe situata eskaloi në këtë gjendje. Është fatkeqësi kombëtare të përdoret dhunë dhe terror ndaj të rinjve kur kërkojnë vetëm dorëheqje”, u shpreh ai.
Sipas pedagogut, në një vend demokratik, zgjidhja e krizave politike duhet të kalojë përmes zgjedhjeve, ku qytetarët vendosin nëse duan t’i japin sërish besimin një qeverie.
Qetësia përpara stuhisë! Biznese të fortifikuara dhe lëvizje të reduktuara, situata në Tiranë përpara protestës
Tirana paraqitet e qetë, me lëvizje të reduktuara në rrugë dhe biznese që kanë marrë masa mbrojtëse, në prag të protestës së gjashtë.
Në kryeqytet disa biznese kanë fortifikuar ambientet e tyre, me hekura, ndërsa qarkullimi i qytetarëve duket i reduktuar.
Kjo e diel shënon ditën e gjashtë të protestës së nisur nga studentët, të cilëve u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë.
Edhe sot ka nisur grumbullimi i protestuesve pranë Ministrisë së Arsimit, ku shihen të rinj me dhe pa maska, me flamuj kombëtarë në duar dhe me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.
Ndërkohë, protesta e sotme ka nisur me një detaj ndryshe, ku disa të rinj kanë kërcyer dhe kënduar në mes të rrugës, para efektivëve të Policisë.
Nis ndryshe protesta/ Të rinjtë i'a marrin valles në Rrugën e Durrësit
Protesta studentore ka marrë një tjetër atmosferë këtë të diel.
Ndryshe nga pesë ditët e para, të shoqëruara me tensione dhe përplasje me policinë, sot të rinjtë kanë zgjedhur një formë tjetër proteste, duke kërcyer në mes të Rrugës së Durrësit, nën ritmet e daulleve.
Me valle dhe muzikë, studentët kanë krijuar një atmosferë krejt të ndryshme nga ditët e mëparshme, duke e kthyer rrugën në një hapësirë proteste me nota festive.
Pas pesë ditësh të karakterizuara nga tensionet me uniformat blu, dita e sotme shënon një ndryshim në mënyrën se si po zhvillohet protesta, me të rinjtë që kanë zgjedhur të shprehin qëndrimin e tyre përmes muzikës dhe valles.
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit, i riu gris në shenjë revolte certifikatën si fitues i Olimpiadës së Historisë
Kjo e diel shënon ditën e gjashtë të protestës së nisur nga studentët, të cilëve u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë.
Edhe sot ka nisur grumbullimi i protestuesve pranë Ministrisë së Arsimit, ku shihen të rinj me dhe pa maska, me flamuj kombëtarë në duar dhe me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.
Njëri prej protestuesve, pasi u ka bërë thirrje bashkëprotestuesve të mos ushtrojnë dhunë ndaj efektivëve të Policisë, në shenjë revolte ka grisur certifikatën që i ishte dhënë nga ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini, si fitues i Olimpiadës së Historisë.
Në ditët e mëparshme protestat janë zhvilluar në mënyrë paqësore me thirrje kundër qeverisë, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar në përplasje të dhunshme.
Tubimet kanë sjellë kaos dhe trazira në kryeqytet, ku protestuesit kanë djegur kosha mbeturinash, reklamat në rrugë dhe kanë sulmuar godinat e institucioneve dhe po ashtu disa biznese të vogla.
Protestat janë shoqëruar edhe me përplasje të ashpra mes forcave të policisë dhe të rinjve, ku ka pasur disa të lënduar nga të dy palët. Gjithashtu ka pasur edhe dhjetëra protestues të arrestuar gjatë dhe pas zhvillimit të protestës.