Ajo që nisi si protestë për kushtet në universitete është kthyer në krizën më të rëndë politike të viteve të fundit. Studentët kërkojnë largimin e Ramës, kryeministri flet për “dorë të huaj”, ndërsa Brukseli bën thirrje për dialog.
Për të gjashtën ditë radhazi, rrugët e Tiranës janë kthyer të dielën në skenë përplasjesh mes protestuesve dhe policisë. Protesta nisi para Ministrisë së Arsimit, kaloi te selia e Partisë Socialiste dhe pastaj para Kryeministrisë. Në mbrëmje iu vu zjarri Komisariatit nr. 3 të Policisë.
Sipas drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në sulmin ndaj komisariatit u lënduan 10 punonjës policie.
Si nisi gjithçka
Protestat e studentëve nuk lindën nga hiçi. Prej më shumë se katër muajsh, lëvizja “Revolucioni Flamingo” mbante tubime kundër qeverisë në Tiranë. Ato u nxitën nga plani për një resort luksoz në bregdetin jugor, i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Më 13 tetor, qindra studentë dhe qytetarë protestuan rreth nëntë orë para Ministrisë së Arsimit. Kërkonin kushte më të mira studimi, tarifa më të përballueshme dhe mundësi punësimi. Protesta përfundoi me përplasje: policia arrestoi 16 persona dhe procedoi penalisht 49 të tjerë.
Ditët në vijim situata u përshkallëzua:
▶︎ 14 tetor: ndërtesa e Ministrisë së Arsimit u përfshi nga zjarri. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
▶︎ 15 tetor: protestat u përhapën në Korçë, Elbasan, Shkodër dhe qytete të tjera. Seanca e Kuvendit u anulua.
▶︎ 16 tetor: Rama fajësoi “duar të huaja”. Në Tiranë, Vlorë dhe Lezhë u trajtuan 25 të lënduar, mes tyre edhe të mitur.
▶︎ 17 tetor: në terren doli RENEA dhe policia qëlloi me plumba gome. Në spital përfunduan 59 persona: 34 policë, 21 protestues dhe 4 kalimtarë.
▶︎ 18 tetor: u sulmua selia e PS-së dhe iu vu zjarri Komisariatit nr. 3.
Policia njofton se në Tiranë janë shoqëruar gjithsej 54 persona. Prej tyre 27 janë arrestuar dhe 27 të tjerë janë proceduar penalisht. Policia thotë se ka sekuestruar fishekë luftarakë dhe bomba molotov.

Çfarë kërkojnë protestuesit?
Pakënaqësitë e studentëve janë konkrete. Ata ankohen për kushtet në fakultete dhe konvikte, tarifat e larta, mungesën e mbështetjes financiare dhe vështirësinë për të gjetur punë pas diplomimit.
Me kalimin e ditëve, kërkesa kryesore u bë politike. Njëri prej protestuesve i tha Radio Evropa e Lirë se nuk ka lista për t’u negociuar me ministrinë: kërkesa është vetëm largimi i qeverisë Rama.
Platforma e lëvizjes Flamingo kërkon tre gjëra:
▶︎ dorëheqjen e qeverisë;
▶︎ një qeveri teknike kalimtare;
▶︎ zgjedhje të lira e të ndershme.
Studentët e Universitetit të Tiranës dhe të Politeknikut përbëjnë pjesën më të madhe të protestuesve. Atyre u janë bashkuar gjimnazistë dhe qytetarë të moshave të ndryshme.
Rama: Nuk jap dorëheqje
Kryeministri Edi Rama i ka refuzuar prerazi kërkesat për dorëheqje. Ai i tha Reuters se qeveritë ndërrohen përmes zgjedhjeve demokratike. Tha gjithashtu se është gati të diskutojë koston e arsimit, por jo ta tolerojë dhunën.
Të dielën në mëngjes, në një transmetim të drejtpërdrejtë nga zyra e tij, Rama u shpreh se dhuna nuk vjen nga studentët. Sipas tij, ajo është e orkestruar nga opozita dhe nga “agjentura të huaja”. Ai pretendoi gjithashtu se dy ditë më parë ishte neutralizuar një dron me eksploziv që synonte Kryeministrinë. Për këtë pretendim nuk janë paraqitur ende prova publike.
Në të njëjtën ditë, Rama anuloi vizitën zyrtare në Vjenë, ku të hënën do të pritej nga kancelari austriak Christian Stocker. Kancelaria Federale e Austrisë njoftoi se vizita u anulua nga pala shqiptare, pa dhënë arsye.
Bota: Jo dhunës, po dialogut
Komisioni Evropian dënoi të dielën zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës. Brukseli theksoi njëkohësisht se reagimi i autoriteteve duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe proporcional. Sipas Komisionit, në një vend kandidat për anëtarësim pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut.
Ambasada Britanike kishte paralajmëruar që më 14 tetor se e drejta për protestë nuk justifikon dhunën. Ajo shtoi se protesta nuk duhet të përballet as me veprime joproporcionale nga policia.
Ambasada e SHBA-së u bëri thirrje palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi.
Në Shqipëri, Këshilli Ndërfetar bëri apel për dialog, paqe dhe për t’i dëgjuar të rinjtë. Presidenti Bajram Begaj takoi të dielën krerët e komuniteteve fetare.
Diaspora në rrugë
Protestat kanë arritur edhe te shqiptarët jashtë vendit. Në New York, aktivistë shqiptaro-amerikanë protestuan para Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në OKB. Në Vjenë, diaspora marshoi me pankartën “Rama, po na vret të ardhmen”, pak ditë para vizitës që më pas u anulua.
Çfarë pritet?
Asnjëra palë nuk po tërhiqet. Studentët kanë paralajmëruar se nuk ndalen pa dorëheqjen e Ramës. Qeveria flet për rend publik dhe ndëshkim të dhunës. Rama ka paralajmëruar se RENEA do të dalë sërish në terren dhe se protestuesve të maskuar do t’u hiqen maskat. Ndërkohë, thirrjet ndërkombëtare për dialog ende nuk kanë gjetur përgjigje.