Tirana në flakë tensionesh, Policia ‘përçan’ protestuesit, shoqërime masive

Shqipëria

Tirana në flakë tensionesh, Policia ‘përçan’ protestuesit, shoqërime masive

Më: 19 tetor 2026 Në ora: 12:34 Përditësuar në ora: 13:15 më 19.10.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Tensione në protestën para ministrisë së Arsimit, policia hedh gaz lotsjellës ndaj të rinjve

Kanë nisur tensionet në protestën studentore përpara ministrisë së Arsimit. Të rinjtë u mblodhën sikurse ditët e tjera përpara godinës, ndërkohë që efektivët e Policisë hodhën ndaj tyre gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Studentët e kanë përshkallëzuar revoltën e tyre në të dhunshme, duke artikuluar se kryeministri Edi Rama, të cilit i kërkojnë dorëheqjen, nuk ka marrë parasysh kërkesën e tyre të panegociueshme për t’u larguar.

Kryeministri, nga ana tjetër, ka refuzuar të japë dorëheqjen, ndërsa nuk ka kursyer sulmet ndaj tyre. Më herët, ditën e sotme, në një takim, shefi i qeverisë kërcënoi familjarët e tyre se të përballen me faturën financiare të dëmeve të shkaktuara.

Fillon tensioni në Tiranë/ Protestuesit hedhin gurë drejt policisë, efektivët i përgjigjen me gaz lot

Protestuesit janë vendosur aktualisht te Ministria e Arsimit, ku ata kanë shkulur pllakat e trotuarit në rrugën e Durrësit për t’u përgatitur për ‘betejën’ me policët.

Pak më parë kanë hedhur gurë ndaj policëve dhe efektivët iu kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës.

“Mos u joshni nga 2500 euro”- Humanizmi i të rinjve në protestë, i ofrojnë ushqim uniformave blu

Një gjest humanizmi është shënuar gjatë protestës së të rinjve para ministrise se Arsimit, ku disa prej protestuesve u kanë ofruar ushqim efektivëve të Policisë.

Të rinjtë kanë zgjedhur të përcjellin një mesazh që shkon përtej kundërshtive mes protestuesve dhe uniformave blu.

“Mos u joshni nga 2500 euro”,  i thote i riu efektivëve teksa i ofron ushqimin, duke pasur parasysh deklaraten e kreut te qeverise, i cili tha se do ti jape 2500 euro per ata qe jane ne vijen e pare te protestave.

I riu në protestë: Kërkuam dialog për tre muaj, tani duam dorëheqje

Në Rrugën e Durrësit, konkretisht përballë Ministrisë së Arsimit ka folur një i ri lidhur me protestën e mbajtur në këto 7 ditë.

Ai deklaron në emër të të rinjve se ata e kanë nisur me protestë paqësore por sipas tyre, asgjë nuk ka ndryshuar dhe ndihen të shpërfillur. Pas kësaj, ai shprehet se u detyruan të kalojnë në akte të tjera dhune.

“Ne kemi protestuar tre muaj paqësisht dhe jemi neglizhuar, jemi tallur,. Nuk na kanë marrë seriozisht. Në momentin që ne u revoltuam ai u ngrit të fliste me ne, por tani është shumë vonë se kur ne ishim paqësor tre muaj ti nuk doje të flisje, tani nuk duam ne të flasim dhe duam dorëheqje.

Ne kërkuam dialog para tre muajsh dhe hidhte video në TikTok duke u tallur me ne. I bëj thirrje gjithë shqiptarëve që janë në shtëpia, të dalin këtu. Protestën do e vijojmë siç po sillen me ne. Nëse na hedhin gaz lotsjellës e na godasin me shkopa, ne do gjuajmë me gurë dhe e ca të kemi. Nëse sillen mirë me ne dhe ne do sillemi”, thotë i riu në protestë.

Rama me efektivët e policisë: Durim dhe vetëpërmbajtje me të rinjtë, forcë ndaj gurëhedhësve dhe zjarrvënësve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me veprimet e dhunshme të regjistruara gjatë protestave në këto 7 ditë.

Ai është ndalur kryesisht në sulmin e ushtruar ndaj punonjësve të policisë të cilët i cilëson më të mirët në gjithë agresionin e krijuar. Kryeministri u bën thirrje efktivëve të cilët përbalen me këto sulme, që të tregojnë durim dhe vetëpërmbajtje.

“Respekt dhe po, jeni më të mirët në këto ditë agresioni me gurë e me zjarr mbi ëndrrën e  Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian.

Durim dhe vetëpërmbajtje me të rinjtë që protestojnë. Forcë me gurëhedhësit dhe zjarrvënësit e maskuar”, tha Rama.

​Dita e shtatë e protestave në Tiranë, studentët mblidhen para Ministrisë së Arsimit

Ka nisur grumbullimi i studentëve dhe gjimnazistëve përpara Ministrisë së Arsimit, në ditën e shtatë të protestës në Tiranë.

Ndryshe nga ditët e mëparshme, protesta e sotme ka nisur me këngë dhe valle, ndërsa të rinjtë janë mbledhur për të vijuar qëndrimin e tyre përpara institucionit.

Ndërkohë, efektivët e Policisë së Shtetit janë pozicionuar përballë Ministrisë së Arsimit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të tubimit.

Prej gjashtë ditësh, studentë, nxënës dhe qytetarë kanë protestuar në kryeqytet. Tubimet e ditëve të mëparshme janë shoqëruar me episode dhune dhe ndërhyrje të Policisë së Shtetit, djegie të disa bizneseve private, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe lëndime nga të dyja palët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat