Policia shpërndan protestuesit, nis pastrimi i Bulevardit në Tiranë
Pas orë të tëra përplasjeje në ditën e 12-të të protestave në Tiranë, gjendja në terren duket se është qetësuar.
Ndërhyrja e forcave të rendit ka bërë të mundur largimin e turmës që ushtronte akte dëmtuese përgjatë akseve kryesore.
Sipas pamjeve nga terreni, në vendngjarjet ku u zhvilluan përplasjet kryesore janë pothuajse plotësisht të lira dhe bëhet me dije se momentalisht rrugët e Tiranës janë të boshatisura prej protestuesve.
Paralelisht me normalizimin e qarkullimit, ka nisur puna për skanimin e dëmeve të shkaktuara në hapësirat publike. Veçanërisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka nisur pastrimi nga gurët dhe sendet e tjera të forta të hedhura gjatë protestave.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka arrestuar disa protestues pas akteve vandale në kryeqytet.
Përditësimi i fundit: 15 të lënduar gjatë protestës në Tiranë
Sipas përditësimit të Ministrisë së Shëndetësisë, deri në orën 19:45 të kësaj të shtune, 15 persona kanë marrë ndihmë mjekësore pas lëndimeve gjatë protestës në Tiranë.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 9 persona, mes tyre 7 protestues dhe 2 përfaqësues të medias. Pesë prej tyre kanë lënë spitalin pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm, ndërsa 4 protestues po vijojnë ekzaminimet dhe trajtimin. Njëri prej protestuesve ka pësuar dëmtim në sy, por është jashtë rrezikut për jetën.
Në QSUT kanë marrë ndihmë mjekësore një protestues dhe një efektiv policie. Të dy kanë lënë spitalin pas trajtimit.
Ndërkohë, në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë janë paraqitur edhe dy efektivë policie, të lënduar në sy. Edhe ata kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar nga poliklinika.
Protesta në Tiranë, reagon Policia e Shtetit: Efektivët janë përballur me akte të vazhdueshme dhune
Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me tensionet dhe incidentet e regjistruara gjatë protestës së sotme në Tiranë.
Në reagim, institucioni shprehet se punonjësit e Policisë janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, të cilat, sipas tij, rrezikojnë jetën dhe shëndetin e efektivëve.
Gjithashtu, qytetarëve u kërkohet të shmangin zonat ku po zhvillohen akte dhune dhe të mos përfshihen në veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
“Gjatë protestës së ditës së sotme, punonjësit e Policisë së Shtetit janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e qytetarëve.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të cilët sulmojnë punonjësit e Policisë dhe institucionet, si dhe dëmtojnë pronën publike e private.
U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku po ushtrohen akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj. Dhuna, sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private janë të papranueshme dhe ndëshkohen me ligj.
Çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin.
Policia e Shtetit vijon të jetë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve“, thuhet në reagimin e tyre.
Protestuesit shpërndahen në rrugët e Tiranës, u vënë flakën kazanëve
Në ditën e 12-të të protestës, situata në Tiranë mbetet e tensionuar pasi protestuesit vijojnë të lëvizin në grupe në disa zona të ndryshme të kryeqytetit shqiptar.
Protestuesit janë ndarë në disa grupe në zona të ndryshme dhe kanë djegur disa kazanë mbeturinash që më pas i kanë vendosur në mes të rrugës.
Ndërkohë, policia ka përdorur gaz lotsjellës gjatë përpjekjeve për të menaxhuar situatën dhe nuk po i lejon protestuesit t’i afrohen ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë.
Revansh i protestuesve! Hedhin fishekzjarre e molotovë drejt selisë së PS-së, policia qëllon me plumba gome
Një revansh i protestuesve është shënuar në këtë moment nga ana e protestuesve.
Ata kanë hedhur fishekzjarre dhe mjete piroteknike në drejtim të policisëve pranë selisë së PS-së.
Efektivët janë vendosur në mbrojtje të selisë të Partisë Socialiste.
Protestuesit kanë përdorur molotovë dhe mjete piroteknike. Vatra zjarri janë përhapur pranë selisë së PS-së.
Policia ka qëlluar protestuesit me plumba gome.
Protestuesit kanë thënë se nuk do të tërhiqen derisa kryeministri i vendit Edi Rama të japë dorëheqjen. Sot në protestë kombëtare janë bashkuar fraksione të ndryshme.
Zjarre pranë selisë së PS-së, protestuesit rrethojnë godinën, policia ndërhyn me gaz lotsjellës
Zjarre janë përhapur pranë godinës të Partisë Socialiste, për shkak të molotovëve të protestuesve.
Policia ka marrë në mbrojtje godinën, teksa qëndron e vendosur në pozicionin e saj, pranë Teatrit të Kukullave.
Protestuesit janë tek Sheshi Skënderbej, prej nga ku nuk kanë lëvizur për asnjë moment.
Përplasje të forta janë shënuar sot më 24 tetor në përplasjet mes protestuesve dhe efektivëve.
8 të plagosur në protestë, mes tyre një deputet dhe 4 protestues
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale ka bërë përditësimin e fundit sa i përket të lënduarve dhe atyre që janë paraqitur në spitale për ndihmë mjekësore sa i përket protestës që po zhvillohet në Tiranë.
Sipas asaj që bën me dije ministria, deri në orën 16:30 janë paraqitur në spital tetë persona.
Mes tyre është një deputet i Kuvendit, dy përfaqësues të medias, katër protestues dhe një efektiv policie.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies sociale:
Informacion mbi të lënduarit gjatë protestës 24 tetor 2026 ora 16:30
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se gjatë protestës së sotme, sipas informacioneve paraprake në SUT dhe QSUT janë paraqitur dhe kanë marrë trajtim:
QSUT
– Një deputet i Kuvendit të Shqipërisë
– Një përfaqësuese e medias
– Katër protestues
Të gjithë të lënduarit kanë lenë spitalin pas marrjes së trajtimit.
SUT
– Një efektiv policie
– Një përfaqësues i medias
Gjendja shëndetësore stabël
Protestuesit i vënë flakën Ministrisë së Bujqësisë, digjet një nga dyert e godinës
Protestuesit i kanë vënë flakën një prej hyrjeve të godinës së Ministrisë së Bujqësisë në Tiranë.
Si pasojë, është djegur dera e një prej hyrjeve të institucionit. Pas pak minutash flakët u arritën të shuheshin.
Më herët, protestuesit kanë djegur kosha mbeturinash në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, duke bllokuar qarkullimin, ndërsa grupe të tjera janë përqendruar pranë Bashkisë së Tiranës, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe sheshin “Skënderbej”.
Vijon e tensionuar protesta, grupi më i madh i protestuesve qëndron në lulishten e sheshit Skënderbej
Protesta në Tiranë vijon mes tensioneve, ndërsa grupi më i madh i protestuesve qëndron i përqendruar në lulishten e sheshit “Skënderbej”.
Situata në zonën e sheshit vijon të karakterizohet nga tensione, ndërsa protestuesit mbeten të grumbulluar në këtë hapësirë të kryeqytetit.
Një pjesë e protestuesve vendoset pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, qëndrojnë 100 metra larg saj
Një pjesë e protestuesve është vendosur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Tiranë, duke qëndruar rreth 100 metra larg godinës.
Ndërkohë, protesta vijon, ndërsa grupi më i madh i protestuesve qëndron i përqendruar në lulishten e sheshit “Skënderbej”.