LIVE: Tensione, dhunë dhe të lënduar në Tiranë/ Policia del me reagim

Shqipëria

LIVE: Tensione, dhunë dhe të lënduar në Tiranë/ Policia del me reagim

Më: 24 tetor 2026 Në ora: 14:21 Përditësuar në ora: 15:52 më 24.10.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Policia “kontrollon” Bulevardin dhe Parkun Rinia, gazi lotsjellës “pushton” zonën

Policia ka marrë nën kontroll Bulevardin dhe zonën e Parkut Rinia, pas tensioneve dhe përplasjeve me protestuesit.

Pas përdorimit të gazit lotsjellës dhe autobotëve me ujë për shpërndarjen e turmës, protestuesit janë tërhequr në disa pika të ndryshme, mes tyre në zonën e Parkut Rinia dhe në anën tjetër të lumit Lana.

Efektivët po hedhin vazhdimisht gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve. Në të gjithë zonën shihet tymi i gazit lotsjellës.

Protestuesit mësyjnë në “Myslym Shyri”, i vënë flakën kazanëve të plehrave dhe i bllokojnë rrugën. Policia i vihet nga pas

Në hyrje të rrugës “Myslym Shyri”, protestuesit kanë zhvendosur kazanët e mbeturinave dhe u kanë vënë flakën, duke krijuar një barrikadë në drejtim të forcave të policisë.

Ndërkohë, policia vijon të përparojë drejt hyrjes së rrugës me forca këmbësore dhe një autobot uji.

Një pjesë e protestuesve është zhvendosur pranë shtatores së Skënderbeut, në qendër të Tiranës.

Policia arrin të largojë protestuesit nga Bulevardi, vijon ndërhyrja në Parkun Rinia

Situata në Bulevard është tensionuar, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe tre autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit.

Gjatë përplasjes janë dëgjuar edhe të shtëna me plumba gome, ndërsa protestuesit dyshohet se kanë përdorur molotovë.

Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit janë shpërndarë në disa pika të ndryshme.

Një pjesë e madhe e tyre është tërhequr drejt Parkut Rinia, ndërsa të tjerë janë vendosur në anën tjetër të lumit Lana.

Ndërhyrja e policisë vijon ende në Parkun Rinia.

Protestuesi kapet para autobotit të policisë, largohet me forcë nga efektivët

Vijon përplasja e ashpër në bulevard mes protestuesve dhe policisë.

Një i ri ka arritur të shkojë pranë autobotit dhe është kapur në të, duke mos hequr dorë edhe pas hedhjes së ujit dhe gazit lotsjellës.

FNSH ka ndërhyrë duke e larguar me dhunë, me të riun, që më pas nuk u ndje mirë, ndikuar edhe nga sasia e madhe e gazit lotsjellës.

Tjetër përballje mes protestuesve dhe policisë, nis tensioni te Kryeministria

Ashtu siç pritej, me të mbërritur te kryeministria, ka nisur përplasja mes policisë dhe protestuesve.

Kanë qenë këta të fundit që kanë sulmuar me gurë efektivët dhe makinat e autoboteve, teksa në një moment kanë hedhur edhe një mjet piroteknik.

Pas pak çasteve policia ka vënë në veprim autobotet dhe ka hedhur gaz lotsjellës, duke shpërndarë momentalisht protestuesit.

“Me plumba gome, vazhdoni”, dëgjohet një urdhër nga megafoni.

Koçiu: PD-së i dështoi tentativa për “revolucion popullor”, s’kanë çfarë ofrojnë më

Numri dy i qeverisë, Albana Koçiu ka publikuar pamje nga marshimi i demokratëve, të cilët kanë dalë sot në protestë në mbështetje të studentëve. Koçiu thotë se PD dështoi dhe njëherë për të ngritur një revolucion, referuar pamjeve nga ku duken një numër i pakët qytetarësh.

“Kur tentativa për të fabrikuar me zor të madh një “revolucion të popullit” të dështon, përfundon si pjesë e bandës së dhunshme të atyre që as nuk u dhimbsen studentët dhe as e ardhmja e Shqipërisë.

Dialogu është rruga e atyre që kanë argumente, ndërsa dhuna është rrugica e verbër e atyre që s’kanë çfarë ofrojnë më”, shkruan Koçiu.

Protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë, pritet sërish përballje me policinë

Pas një përballjeje me policinë te Ministria e Arsimit, protestuesit janë larguar me shpejtësi, për tu mbledhur sërish në fillim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Ata kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, ku duket se do të vijojë pjesa tjetër e kësaj proteste, e cila ashtu si në ditët e kaluara, duket se ka pasur sërish dhunë.

Mbetet për tu parë nëse te Kryeministria situata do të vijojë e tensionuar apo protestuesit do të zgjedhin një mënyrë më të qetë për të protestuar.

Ndërkohë që marshojnë, protestuesit shihet të shtyjnë gurë me këmbë drejt kryeministrisë, aty ku janë marrë masa që të mos ketë mundësi sulmi.

Nis ofensiva e policisë, efektivët përgjigjen me ujë, gaz lotsjellës dhe plumba gome. Protestuesit qëllojnë me fishekzjarre

Dy autobotë ujëhedhës janë pozicionuar para Ministrisë së Arsimit.

Policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit.

Forcat e policisë po avancojnë në drejtim të protestuesve, ndërsa vërehet zhvendosja e tyre nga zona e Rrugës së Durrësit.

Nga ana e tyre, protestuesit kanë hedhur fishekzjarre drejt efektivëve, teksa këta të fundit avanconin.

Protestuesit i vënë flakën 4 koshave të mbeturinave pranë Ministrisë së Arsimit dhe hedhin gurë drejt policisë

Protestuesit kanë çuar 4 kazanë mbeturinash në rrugicën ngjitur me hyrjen e Ministrisë së Arsimit, ku janë vendosur edhe forcat e Policisë.

Katër kosha mbeturinash janë marrë nga Rruga e Durrësit dhe u është vënë flaka. Protestuesit po i drejtojnë koshat e djegur në drejtim të forcave të policisë. Po ashtu, po hedhin gurë në drejtim të Policisë së Shtetit, e cila është kundërpërgjigjur me ujë me presion.

Deri më tani, nuk raportohet për përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Protesta para Ministrisë së Arsimit/ Thyhen pallat e troturëve dhe hidhen në rrugë

Protestuesit e mbledhur para Ministrisë së Arsimit kanë nisur të thyejnë dhe të shkulin pllakat e trotuareve, e më pas I kanë hedhur në rrugë.

Protesta e të rinjve para Ministrisë së Arsimit ishte njoftuar për në orën 14:00, ndërsa drejt saj marshuan edhe protestuesit e mbledhur para kryeministrisë nga deputetët e PD-së

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat