Roland Islami, i ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News, ka komentuar protestat dhe përshkallëzimin e tyre, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e policisë në zhvillimet e fundit.
Sipas Islamit, protesta përbën një mundësi që qytetarët të shprehin pakënaqësitë e tyre dhe të kërkojnë të dëgjohen, por njëkohësisht mund të shërbejë edhe si një mundësi për pushtetin për të krijuar një hapësirë qetësie dhe për të orientuar zhvillimet politike e institucionale.
Ai u ndal edhe te veprimet e protestuesve kundër institucioneve, duke argumentuar se shkatërrimet nuk duhen parë thjesht si akte të izoluara dhune, por duhet analizuar edhe mënyra se si ka vepruar policia gjatë protestës.
“Ky lloj shkatërrimi nuk vjen pa një nxitje të dhunës nga krahu tjetër”, u shpreh Islami, duke ngritur dyshime për neglizhencë ose lejim të qëllimshëm nga ana e strukturave policore.
Sipas tij, protesta nuk mund të analizohet vetëm si një përplasje e çastit mes qytetarëve dhe institucioneve, pasi në këtë dinamikë duhet të shqyrtohet edhe ndërveprimi mes protestuesve dhe policisë.
“Një protestues në rastin konkret nuk mund të bëjë veprime kundër institucioneve nëse nuk kemi të bëjmë me dy veprime: neglizhencën e policisë dhe dashjen direkte të institucioneve të policisë për të lejuar shkatërrimin e tyre”, deklaroi Islami.