Rezultatet e zgjedhjeve të fundit në SHBA tregojnë më shumë një humbje të republikanëve sesa një fitore të demokratëve. Kështu u shpreh Klajdi Bregu, i cili në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, analizoi zhvillimet politike në Shtetet e Bashkuara dhe mesazhin që votuesit përcollën për partitë politike.
Bregu theksoi se zgjedhjet ishin një sinjal i qartë për politikanët që të përqendrohen në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, duke nënvizuar se presidenti Donald Trump erdhi në pushtet me një sërë premtimesh, por ka arritur të përmbushë vetëm një pjesë të tyre.
Sipas tij, pavarësisht se demokratët do të kenë një pozicion më të favorshëm në raport me Kongresin, edhe ata rrezikojnë të ndëshkohen nga votuesit nëse nuk përmbushin pritshmëritë e tyre.
Bregu u ndal edhe te faktorët që, sipas tij, ndikuan në humbjen e një pjese të koalicionit elektoral të Trump. Ai përmendi votuesit e pakënaqur me politikat shëndetësore, cilësinë e ushqimeve dhe mënyrën e trajtimit të sistemit mjekësor në SHBA.
Një tjetër grup që, sipas Bregut, është larguar nga mbështetja për Trump janë libertarianët, të cilët vlerësojnë lirinë ekonomike, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e dokumenteve të Jeffrey Epstein, duke argumentuar se mosbërja publike e të gjithë informacionit, pavarësisht ligjit të miratuar nga Kongresi dhe të firmosur nga presidenti Trump, ka zhgënjyer një pjesë të votuesve, veçanërisht të rinjtë dhe libertarianët.