“Mbroni qytetarët, jo pushtetarët”/ Policia ndërhyri për t’i shpërndarë, rigrupohen sërish protestuesit, polica vendoset kordon
Policia ndërhyri për t’i shpërndarë me ujë me presion, rigrupohen sërish protestuesit, disa prej tyre te “Piramida” dhe disa te parku “Rinia”, polica vendoset kordon
Protestuesit janë grupuar sërish pranë parkut Rinia, pavarësisht ndërhyrjeve të policisë me autobotë ujëhedhës për t’i shpërndarë.
Një tjetër grup qytetarësh janë organizuar në Bulevard. Është parë edhe një lëvizje e automjeteve të policisë, të cilat kanë lëvizur në disa zona në Tiranë.
Ishin vendosur ‘bllokadë’ përballë protestuesve te parku “Rinia”, tërhiqen forcat e policisë
Një pjesë e protestuesve janë zhvendosur te parku Rinia, te Tajvani.
Ndërsa përballë tyre janë vendosur forca të shumta policie, të cilët janë bërë ‘gardh’ përballë tyre.
Por pak çaste më pas forcat e policisë janë tërhequr dhe janë larguar në drejtim të Kryeministrisë.
Më herët një protestues u shoqërua nga policia. Drejt protestuesve është hedhur masivisht ujë me presion.
Gjithashtu nga pamjet shihet edhe një lëvizje e forcave të policisë duke tentuar që të shpërndajnë qytetarët.
Policia shpërndan protestuesit, boshatiset bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Policia ka tentuar të shpërndajë protestuesit nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” duke përdorur autobotet e ujit.
Nga fillimi i bulevardit e deri te Ministria e Mbrojtjes, policia i ka zmbrapsur me ujë protestuesit.
Ndërkohë, forcat policore vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri nëse do të ketë sërish tensione.
Tensionohet protesta para Kryeministrisë, hidhen fishekzjarrë drejt autoboteve
Situata përpara Kryeministrisë ka vazhduar të tensionohet.
Autobotet kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit, ndërsa këta të fundit kanë hedhur fishekzjarrë.
Ndërkohë, autobotet kanë vazhduar të hedhin ujë në mënyrë që të largojnë protestuesit.
Molotovë te Kryeministria, policia i shuan me autobot, tenton të shpërndajë protestuesit
Situata përpara Kryeministrisë është tensionuar.
Protestuesit kanë filluar të hedhin molotovë, ndërsa autobotet kanë filluar të hedhin ujë për t’i shuar.
Gjithashtu, autobotet kanë përparuar për të shpërndarë protestuesit që ndodhen përpara Kryeministrisë.
Protestuesit zmbrapsen nga policia, nisen drejt Kryeministrisë
Pas përleshjeve me policinë në Ministrinë e Arsimit, protestuesit kanë boshatisur Rrugën e Durrësit dhe janë nisur në marshim.
Stacioni i radhës pritet të jetë Kryeministria, ku gjithashtu ka prani të madhe të policisë dhe pritet të ketë sërish përplasje dhe incidente.
Protesta e nisur pas mesditës nisi me një sulm me gurë dhe duke djegur koshat e plehrave, me policinë, që u përgjigj me ujë përmes autoboteve dhe me spraj me piper.
Përshkallëzohet situata te Ministria e Arsimit, persona të maskuar po hidhnin gurë drejt policisë, ndërhyn autoboti i ujit
Situata në protestën para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar më tej.
Persona të maskuar kanë hedhur gurë në drejtim të forcave të policisë, duke bërë që të ndërhyjë edhe autoboti i ujit për të shpërndarë protestuesit.
Tensionet vijnë pas incidenteve të mëparshme, ku protestuesit u vunë flakën dy kazanëve të mbeturinave dhe i shtynë ata në drejtim të efektivëve.
Gjithashtu, drejt policisë u hodhën sende të ndryshme, ndërsa uniformat blu iu kundërpërgjigjën me spraj dhe gaz lotsjellës.
Me përshkallëzimin e situatës dhe hedhjen e gurëve, policia ka vënë në përdorim edhe autobotin e ujit.
“Berisha, mos më leh si qeni pas gardhit”/ Tensionet mes protestuesve të PD-së dhe atyre te Ministria e Arsimit, debat mes tyre: Çfarë studenteje je ti?
Pas mbërritjes së protestuesve të Partisë Demokratike pranë Ministrisë së Arsimit, aty ku ndodheshin protestuesit e thirrur nga studentët, ka pasur debate mes tyre.
Disa prej pjesëmarrësve kanë shkëmbyer fjalë lidhur me mbështetjen politike dhe praninë e demokratëve në tubimin e të rinjve.
Gjatë një bisede, një protestues e ka pyetur një protestuese se çfarë funksioni ka Sali Berisha në protestën e studentëve.
Ajo është përgjigjur se prej 150 ditësh ndodhet në shesh dhe se Berisha i mbështet studentët, ashtu siç, sipas saj, edhe ajo i mbështet ata.
Ndërkohë, një tjetër protestues ka kundërshtuar praninë dhe ndërhyrjen e Berishës në protestë, duke iu drejtuar me tone të ashpra.
Debati:
Protestuesi: Çfarë funksioni ka Sali Berisha?
Protestuesja: Kam 150 ditë në shesh. Ai na mbështet, ashtu siç i mbështesim ne studentët.
Protestuesi: Çfarë studenteje je ti?
Protestuaesja: Jam prej 150 ditësh këtu dhe i mbështes si fëmijën tim.
Një tjetër protestues:
“Berisha, mos më leh si qeni pas gardhit! Edhe ti nuk del këtu. Por arsyeja pse nuk del është e qartë: populli dhe rinia nuk të duan, ndaj nxjerr veglat e tua për të prishur protestën.”
“Largohuni”/ Protestuesit e PD-së tentojnë të hyjnë në protestën e studentëve, përplasje fizike mes pjesëmarrësve
Tensione dhe përplasje fizike janë regjistruar para Ministrisë së Arsimit, ku protestues të Partisë Demokratike kanë tentuar të afrohen dhe t’i bashkohen protestës së studentëve.
Këta të fundit kanë kundërshtuar praninë e tyre, duke u kërkuar të largohen me thirrjet: “Largohuni!”.
Situata është tensionuar mes dy grupeve të protestuesve, duke kaluar në përplasje fizike. Studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë në protestë, kanë mbajtur qëndrimin e tyre kundër përfshirjes së përfaqësuesve dhe mbështetësve të PD-së.
Kjo nuk është hera e parë që studentët kundërshtojnë afrimin e demokratëve. Edhe në protestën e së shtunës së kaluar, të rinjtë nuk pranuan që përfaqësues dhe mbështetës të Partisë Demokratike t’u bashkoheshin tubimit të tyre.
Studentët krijojnë kordon për të mos lejuar PD të afrohet në protestën e tyre, i presin me banderolë: Rama n’burg, Berisha n’Burg
Studentët kanë krijuar një kordon për të penguar afrimin e përfaqësuesve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike në protestën e tyre para Ministrisë së Arsimit.
Të rinjtë kanë dalë përpara tyre me një banderolë ku shkruhej: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Përmes këtij veprimi, studentët kanë shprehur qëndrimin e tyre për të mbajtur protestën të ndarë nga aktiviteti politik i Partisë Demokratike, duke mos lejuar që përfaqësuesit e saj t’u bashkohen tubimit.
Ata kanë vepruar njëjtë si një javë më parë, teksa situata u shoqërua me debate mes palëve.