LIVE: Flakë dhe kaos para Kryeministrisë, policia ndërhyn me autobotë

Shqipëria

LIVE: Flakë dhe kaos para Kryeministrisë, policia ndërhyn me autobotë

Nga: Bota sot Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 13:57 Përditësuar në ora: 14:25 më 07.11.2026
Pamje nga protesta në Tiranë

Nuk ndalet revolta studentore! Tensione te Ministria e Arsimit, shoqërohet një protestues

Momente tensioni janë regjistruar pranë Ministrisë së Arsimit, ku po zhvillohet protesta e studentëve, të cilëve u janë bashkuar edhe qytetarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike.

Raportohet për shoqërimin e disa personave nga policia në ambientet pranë Ministrisë së Arsimit. Protesta vijon në këtë zonë.

“Qeveri e krimit, jepni dorëheqjen!”/ Protestuesit marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit: Ju erdhi fundi!

Me thirrjet “Arrestoni Ramën”, “Arrestoni Ballukun”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë” dhe “Ju erdhi fundi!”, vijon marshimi i qytetarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike drejt Ministrisë së Arsimit, për t’iu bashkuar protestës së studentëve.

Gjatë marshimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë dëgjuar edhe thirrje si “Qeveri e krimit”, ndërsa protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.

Kjo është një tjetër protestë kombëtare kundër qeverisë, ku qytetarët dhe mbështetësit e opozitës i bashkohen tubimit të studentëve për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Shënohet incidenti i parë në protestën e PD-së/ Protestuesi thërriti “Rama n’burg, Berisha n’burg”, demokratët e përzënë me shpulla

Një incident është regjistruar gjatë protestës së Partisë Demokratike para Kryeministrisë, ku një protestues është përplasur me disa pjesëmarrës të tjerë.

Gjithçka nisi pasi protestuesi bëri thirrje kundër të dy liderëve politikë, duke brohoritur “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Më pas kanë nisur tensionet, ku demokratët në protestë e kanë goditur me shpulla dhe me fjalë. Më pas kanë ndërhyrë edhe të tjerë protestues.

Ky është incidenti i parë i raportuar gjatë tubimit të sotëm të Partisë Demokratike, i organizuar para Kryeministrisë.

Tirana sërish në shesh: studentët dhe PD protestojnë veç e veç, 1200 policë në terren

Tirana po përjeton sot, të shtunën, një tjetër ditë protestash kundër qeverisë së Edi Ramës. Studentët kanë thirrur në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, protestën e parë kombëtare sipas kalendarit të ri të lëvizjes. Dy orë më herët, Partia Demokratike nisi tubimin e saj para Kryeministrisë.

Me këtë protestë, lëvizja studentore kalon në atë që vetë organizatorët e quajnë fazë e re organizimi. Nga kjo javë, protestat kombëtare do të mbahen dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, gjithmonë në orën 14:00. Sipas grupimit "Studentët n'protestë", qëllimi është që presioni ndaj qeverisë të mos ndërpritet dhe që studentët e mbështetësit të kenë kohë të mobilizohen më mirë.

Kërkesa kryesore mbetet e njëjtë: dorëheqja e kryeministrit Rama, të cilën studentët e konsiderojnë të panegociueshme. Ata e përshkruajnë situatën në vend si autokraci dhe paralajmërojnë një përballje të gjatë me pushtetin. "Autokracia do të bjerë, ashtu siç ra edhe diktatura", thuhet në deklaratën e tyre.

PD marshon drejt Kryeministrisë, Berisha mungon

Mbështetësit e PD-së u mblodhën fillimisht te selia e partisë dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, me deputetët Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj në krye. Është e shtuna e tretë radhazi që demokratët protestojnë para godinës së qeverisë. Kreu i PD-së, Sali Berisha, mungoi në marshim. Rreth Kryeministrisë kishte prani të madhe policore, por situata ishte e qetë.

Berisha e kishte paralajmëruar tubimin si mbështetje të plotë për studentët dhe u kishte bërë thirrje qytetarëve të të gjitha bindjeve politike t'i bashkoheshin. PD-ja kërkon largimin e Ramës, një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

Marrëdhënia mes studentëve dhe opozitës mbetet e tensionuar. Më 31 tetor, studentët u kërkuan deputetëve të PD-së të largoheshin nga protesta para Ministrisë së Arsimit, duke brohoritur "Rama në burg, Berisha në burg". Kështu ata e ndanë qartë kauzën e tyre nga partitë politike.

1200 policë dhe gjobat e para sipas aktit normativ

Për dy protestat e sotme janë vendosur në terren rreth 1200 efektivë policie, ndërsa autobotët ujëhedhës janë në gatishmëri.

Paradite, Policia e Tiranës njoftoi se kishte gjobitur me nga 5 mijë lekë 10 persona. Sipas policisë, ata bllokuan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të djeshëm në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", pavarësisht thirrjeve të përsëritura me megafon. Gjobat u vendosën në bazë të Aktit Normativ nr. 5, të datës 28 tetor 2026, ndërsa materialet iu dërguan Prokurorisë.

Akti normativ parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë, rreth 5500 euro, ndërkohë që paga mesatare mujore bruto në Shqipëri është rreth 930 euro. Gjoba nuk kufizohet vetëm te ata që ushtrojnë dhunë. Ajo mund t'i jepet edhe kujtdo që qëndron në një turmë që kryen dhunë ose plaçkitje, apo që fsheh identitetin. Akti i lejon gjithashtu policisë t'i kufizojë përkohësisht tubimet pranë shkollave, institucioneve shëndetësore dhe ndërtesave qeveritare, kur vlerëson se ka rrezik dhune. Masat hynë në fuqi menjëherë, por duhet të miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve. Rama ka thënë se u frymëzua nga një projektligj i ngjashëm në Francë.

Studentët u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos frikësohen nga gjobat dhe masat policore. Në mbështetje të tyre janë shprehur publikisht edhe disa pedagogë.

Rama ofron dialog, studentët refuzojnë

Kryeministri Rama ka përsëritur ftesën për dialog dhe ka hapur platformën online "Fol me Kryeministrin", përmes së cilës thotë se dëshiron të komunikojë drejtpërdrejt me studentët. Protestuesit e kanë refuzuar edhe këtë ofertë.

Si u arrit këtu

Lëvizja protestuese, pa udhëheqës formalë, nisi paqësisht në maj. Ajo u përshkallëzua ndjeshëm nga 13 tetori, kur një protestë studentore para Ministrisë së Arsimit përfundoi me përplasje me policinë. Studentët protestojnë për kushtet e rënduara në universitete, koston e lartë të studimeve, mbështetjen e pakët financiare dhe perspektivën e dobët për punë pas diplomimit. Shumë shpejt protesta u kthye në kërkesë politike për largimin e Ramës, i cili e drejton qeverinë që nga viti 2013.

Në ditët që pasuan, protestuesit u vunë flakën disa ndërtesave qeveritare, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Sipas agjencisë Reuters, deri më 17 tetor ishin ndaluar 500 protestues, dhe ishin regjistruar 120 policë dhe 45 protestues të plagosur. Sipas vlerësimeve zyrtare që cituan mediat ndërkombëtare, nga mesi i tetorit dëmet kanë kaluar 2 milionë euro dhe numri i të plagosurve ka kaluar 350.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat