Një projektligj i ri i propozuar nga qeveria po ngjall reagime të forta dhe rrezikon të kthehet në një makth për qytetarët që zotërojnë prona me statusin e monumentit të kulturës.
Pasi u vu në qendër të akuzave për betonizimin e bregdetit dhe zonave të mbrojtura, si dhe për dhënien me koncesion të pasurive kombëtare si Butrinti, ekzekutivi tashmë po synon të shtrijë duart tek objektet historike në pronësi private.
Sipas deputetes së Partisë Demokratike Ina Zhupa, ligji i ri krijon mekanizma të rrezikshëm që mundësojnë kthimin e këtyre banesave në hapësira për biznes dhe ndërtim në favor të palëve të treta klienteliste.
Situata paraqitet veçanërisht alarmante për banorët e qyteteve historike si Berati dhe Gjirokastra, ku një pjesë e madhe e trashëgimisë është pronë private, por edhe në qytete si Durrësi apo Elbasani.
Gracka ligjore që pritet të përdoret lidhet me detyrimin për restaurim. Neni 30 i projektligjit të ri i jep kompetencë Ministrit të Kulturës të përcaktojë me urdhër vlerën e shpenzimeve për ndërhyrjet e detyruara në pronat private. Kjo përkthehet në një skemë ku qytetarët që nuk mund të përballojnë faturat e majme të restaurimit sipas vendimeve shtetërore, rrezikojnë t'u merret prona e trashëguar ndër breza.
Ndërkohë, theksohet fakti se një projektligj i propozuar që në vitin 2022 për ndalimin e koncesioneve në trashëgiminë kulturore mbahet i bllokuar në sirtarët e Kuvendit.
Kjo nismë mbetet një kërkesë e paplotësuar e protestave qytetare prej më shumë se 160 ditësh, të cilët kërkojnë mbrojtjen reale të pasurive pa i kthyer ato në mundësi fitimi për bizneset pranë pushtetit.