Rama ndan fotoalbumin e javës, nga takimet në Paris e Dublin te Asambleja Kombëtare e PS-së

Shqipëria

Rama ndan fotoalbumin e javës, nga takimet në Paris e Dublin te Asambleja Kombëtare e PS-së

Më: 15 nëntor 2026 Në ora: 21:20
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një fotoalbum me momentet kryesore të aktivitetit të tij gjatë javës, ku spikasin pjesëmarrja në Forumin e Paqes në Paris, takimet në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Dublin dhe angazhimet politike në vend .

Në fillim të javës, Rama zhvilloi një vizitë në Paris, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, ku në fokus ishte qeverisja efektive si një faktor për garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit përballë sfidave gjeopolitike, teknologjike dhe klimatike.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, kryeministri, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, mori pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, në Pallatin Élysée.

Rama ndau gjithashtu pamje nga pjesëmarrja në sesionin e posaçëm “Spotlight”, ku diskutoi mbi perspektivën europiane të Shqipërisë dhe rëndësinë e procesit të integrimit në Bashkimin Europian për brezat e rinj.

Një tjetër moment i rëndësishëm i javës ishte pjesëmarrja në Samitin e nëntë të Komunitetit Politik Europian (EPC), në Dublin, ku kreu i qeverisë zhvilloi takime me liderë dhe përfaqësues të lartë europianë.

Gjatë vizitës në Irlandë, Rama ishte i ftuar edhe në aktivitetin e organizuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), me temë “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”. Në fjalën e tij, ai u ndal te rëndësia e integrimit gradual në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë si një mënyrë për të ngushtuar hendekun ekonomik dhe financiar mes vendeve kandidate dhe vendeve anëtare.

Në fund të javës, kryeministri mori pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku u diskutuan zhvillimet dhe çështjet që lidhen me veprimtarinë e forcës politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat