Një ditë përpara protestës kombëtare të paralajmëruar për Ditën e Flamurit më 28 Nëntor në Tiranë, Qeveria e Shqipërisë ka miratuar një akt të ri normativ për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve, raporton Kosovapress.
Akti i ri normativ, i përbërë nga 16 nene, parashikon që përgjegjësi financiare për dëmet të mbajnë jo vetëm autorët e akteve të dhunës, por edhe organizatorët e protestave, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 9.
Shteti mund të kompensojë plotësisht ose pjesërisht dëmet ndaj pronës së qytetarëve dhe bizneseve me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, edhe në rastet kur autori i dëmit nuk është identifikuar.
Avokati i Shtetit do t’u kërkojë personave përgjegjës kthimin e shumave të paguara. Nëse detyrimi nuk shlyhet brenda 30 ditëve dhe nuk lidhet një marrëveshje restauruese, ndaj tyre mund të ngrihet padi në gjykatë.
Pavarësisht nëse vendoset kompensimi paraprak, sipas këtij akti normativ ose jo, në rastet kur të dëmtuarit nga aktet e dhunës janë institucione publike, Avokatura e Shtetit, në çdo rast, kërkon shpërblimin e dëmit në emër dhe për llogari të tyre.
Avokatura e Shtetit mund të lidhë marrëveshje me debitorin që detyrimi i tij të shlyhet tërësisht ose pjesërisht me punë në interes publik.
Akti i ri normativ parashikon edhe mundësinë e shlyerjes së detyrimeve financiare, tërësisht ose pjesërisht, me punë në interes publik, nëpërmjet një marrëveshjeje vullnetare. Për të miturit kërkohet pëlqimi i prindërve, ndërsa puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën dhe të mos pengojë shkollimin.
Në akt sanksionohet gjithashtu se askush nuk mban përgjegjësi vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një tubim.
Ndryshe, në Tiranë janë paralajmëruar protesta, me pjesëmarrje të studentëve për të shtunën, duke nisur rreth orës 10:00. Tubimi pritet të nisë pranë Ministrisë së Arsimit ose Sheshit “Skënderbej”, me kërkesa për ndryshime politike.