Kanë treguar lidership dhe profesionalizëm duke punuar në shumë prej institucioneve të rëndësishme të vendit, por mbi të gjitha qytetari dhe përgjegjësi sociale. Gjenerata e 6-të e Programit të AADF “LEAD Albania 2019” iu bashkua kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mbjelljen e 29 pemëve të reja në Parkun e Liqenit Artificial.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se falë reshjeve të shiut, ky muaj ka qenë fantastik për të thyer rekordin e këtij viti në mbjelljen e pemëve të reja, ndërsa vlerësoi Fondacionin Shqiptaro-Amerikan në përgatitjen e të rinjve dhe të rejave shqiptare me përvojë të drejtpërdrejtë në procesin e qeverisjes së Shqipërisë.
“Sa bukur që stina jonë e mbjelljeve shkon me një metaforë shumë të bukur të një mbjellje tjetër që ka ndodhur në Shqipëri, falë Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, që ka të bëjë me një fidanishte djemsh dhe vajzash super të talentuar të cilët kanë punuar në administratën shqiptare. Unë besoj se fidanishtja e vërtetë nuk janë pemët tona për statistikën e vitit, por janë djemtë dhe vajzat që janë mbjellë nga fondacioni në secilën ministri, bashki apo institucion”, tha Veliaj.
Duke vlerësuar nismën e Bashkisë së Tiranës, kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff tha se projekti për mbjelljen e pemëve është një metaforë shumë e mirë për programin LEAD, që synon përgatitjen e liderëve të ardhshëm në fusha të ndryshme.