Veliaj: Pas Resë, edhe instalacione të tjera artistike - Bota Sot
Veliaj: Pas Resë, edhe instalacione të tjera artistike

Tirana

E mërkurë, 17 tetor 2018

Veliaj: Pas Resë, edhe instalacione të tjera artistike

Më: 25 maj 2018 Në ora: 13:23
Erion Veliaj

Prej dy vitesh, Reja është shndërruar jo vetëm në një prej instalacioneve më të fotografuara nga turistët e huaj, por edhe një hapësirë unike, ku qytetarët e Tiranës takohen, diskutojnë  dhe shijojnë aktivitete të ndryshme artistike. Prej një jave, në edicionin e dytë të saj, Reja është kthyer në qendrën e aktiviteteve kulturore në Tiranë, ndërsa dje në mbrëmje kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ambasadori i Japonisë, Makoto Ito, ndoqën një shfaqje kërcimi japonez Butoh.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që në tre vjet, Tirana ia doli të shtojë gamën e aktiviteteve artistike e kulturore për publikun. “Kjo ka qenë një ëndërr e imja për qytetin dhe më vjen mirë që pas 3 vitesh, jemi në një situatë ku në një natë ndodhin 5-6 aktivitete kulturore të ndryshme. Pra, tashmë dilema është ku do shkojmë më parë. Ndaj, u jam shumë mirënjohës bashkëpunëtorëve të cilët e financojnë, e ndihmojnë dhe i japin energji Resë”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se instalacione të ngjashme si “Reja”, do të vendosen edhe në zona të tjera të Tiranës. Artistë dhe arkitektë të njohur në botë kanë shprehur dëshirën dhe gatishmërinë për të lënë një gjurmë të tyre edhe në kryeqytetin shqiptar, që pritet të nxisin jetën artistike në Tiranë. “Ata që jetojnë në Tiranë e ndiejnë se nuk janë vetëm kalimtarë ose rezidentë të përkohshëm, por duan të lënë një gjurmë fizike ose kreative për qytetin. Po diskutojmë si mund ta zgjasim qëndrimin e Resë në Tiranë, por edhe për të sjellë një instalacion të arkitektit Bjarke Ingels nga galeria Serpentine. E po ashtu, jemi në negociata me Stefano Boerin për të sjellë “Radurën”, një tjetër instalacion që do t’i jepte hijeshi qytetit”, njoftoi kryebashkiaku.

Ndërkaq, ai falenderoi përfaqësuesit e Japonisë që sollën këtë shfaqje në Festivalin e Resë dhe vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes Bashkisë së Tiranës dhe autoriteteve japoneze për zbatimin e mjaft projekteve të përbashkëta.

Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për organizimin e festivalit artistik dhe të pranishmit për interesin e treguar për të ndjekur një prej kërcimeve avangarde që po le gjurmë të thella në kulturën japoneze. “Faleminderit Tirana dhe Bashkia, për organizmin e këtij eventi fantastik. Ju tashmë jeni duke udhëtuar në një blog, ndaj mirëseerdhët në Japoni! Unë jam një fans i madh i Butoh. Është bashkëkohore, avangarde, eksperimentale, krejtësisht e ndryshme prej kërcimeve tradicionale dhe disa herë, kërcimtarët e Butoh, performuesit e saj, shfaqin ndjenjat e tyre, ose vetveten”, tha Makoto Ito.

Muzikë, valle, kërcim, letërsi, arte moderne, performanca të ndryshme artistike është ajo që ofron këto ditë Festivali i Resë ku marrin pjesë 120 artistë nga 15 shtete të ndryshme të botës, të cilët kanë sjellë në Tiranë kultura dhe tradita të popujve të ndryshëm. Natyrisht, Festivali i Resë është vetëm fillimi i një vere të mbushur me aktivitete kulturore dhe artistike nga Bashkia e Tiranës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test