Sot përfundon edhe një afat i dhënë nga Kushtetuesja, s’ka ende vendim për Qeverinë

Aktuale

Sot përfundon edhe një afat i dhënë nga Kushtetuesja, s’ka ende vendim për Qeverinë

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 09:08
Foto ilustrim

Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka dhënë fjalën e fundit për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifin në seancën e votimit të Qeverisë Hoti. Sot, përfundon edhe afati kur palët kanë mundur që t’i dorëzojnë në GJK argumentet e tyre për rastin.

Pesë ditë më parë gati gjashtë orë në Gjykatë Kushtetuese në një seancë publike është diskutuar për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi.

Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar nga Kushtetuesja që të interpetojë nëse vota e deputetit Arifi në seancën e votimit të Qeverisë Hoti ishte e ligjshme ose jo. Kjo pasi që sipas tyre, në kohën kur ai kishte votuar kishte qenë i dënuar me vendim të prerë të Gjykatës.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore që zgjati gati gjashtë ore, kryetarja e Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi, ka njoftuar se palët kanë kohë deri me datë 7 dhjetor të përcjellin me shkrim argumentet që kanë dhënë në seancë.

“Palët kanë mundësi që argumentet që i kanë prezantuar t’i dorëzojnë edhe me shkrim pranë Gjykatës, nuk janë të obliguar por mund ta bëjnë deri me datën 7 dhjetor, këto argumente që janë adresuar. Ne e kemi pranuar një shkresë nga avokati Berisha përmes emailit ku ka dërguar një përmbledhje vetëm që të jemi të qartë. Ajo është përmbledhje e argumenteve”, ka thënë ajo.

Sot pra përfundon edhe ky afat që ka dhënë Gjykata, derisa, kryetarja e GK-së ka deklaruar atë ditë se në ditët në vazhdim do të merret vendimi.

“Për njoftim do të njoftohen palët dhe publiku. Tash Gjykata Kushtetuese do të tërhiqet edhe në ditët në vijim do të mblidhet në seancën për këshillim dhe votim ku do të vendosë për çështjen, Palët do të informohen me kohë”, tha ajo.

Në këtë seancë Lëvizja Vetëvendosje është përfaqësuar nga Blerim Sallahu dhe deputeti Artan Abrashi. Qeveria nga avokati Besnik Berisha ndërkaq Kuvendi nga këshilltari ligjor i kryeparlamentares Vjosa Osmani, Artan Murati. Në seancë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga KGJK-ja dhe KQZ-ja.

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Për këtë arsye LVV-ja ishte drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat