Zyrtarët e MEA-së arsyetojnë lejet për hidrocentrale, deputetët dyshojnë për shkelje ligjore

Aktuale

Zyrtarët e MEA-së arsyetojnë lejet për hidrocentrale, deputetët dyshojnë për shkelje ligjore

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 16:15
Komisioni

Dy zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, Gani Berisha dhe Muhamet Malësiu kanë arsyetuar lëshimin e lejeve për operim me hidrocentralet për kompaninë “Kelkos Energy”.

Ata gjatë raportimit të sotëm në Komisionin hetimor për procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve, thanë se “Kelkos” ka aplikuar në bazë të ligjit dhe rregullave për leje mjedisore dhe pëlqim ujor në vitin 2012. Por me këtë nuk u pajtuan disa prej deputetëve të cilët ngritën dyshime se me lëshimin e kësaj leje ka pasur shkelje ligjore.

Drejtori i Autoritetit të rajonit të pellgjeve lumore në MEA, Gani Berisha tha se me lëshimin e këtyre lejeve për hidrocentralet mund të ketë dëmtim të ujërave, por sipas tij çdo zhvillim që bëhet ka dëmtim e degradim të mjedisit, por kur kalkulohen nevojat atëherë procesi është brenda normave.

Ndërkaq në bazë të pyetjeve të deputetëve se si duhej të veprohej me këtë rast, të lëshohej leja ujore apo të jepet me koncesion, Berisha tha se më e favorshme për Kosovën që ka shkuar në formën e lëshimit të lejes ujore.

Berisha: Më mirë është që kemi shkuar me leje ujore se me koncesion

“Më mirë është që kemi shkuar me leje ujore se me koncesion, si bindje personale, jo institucionale për arsye se procesi i koncesionit dihet se çfarë kushte ka, çfarë kushte ka. Investitori kur dëshiron të marrë një të drejtë ujore për koncesion, ose i thuaj koncesion, ose nuk i thua. Përndryshe, ai kishte gëzuar dyfish më shumë të drejta në raport me institucionet për shfrytëzimin e ujit sesa aplikuesit me leje ujore dhe kohëzgjatja do të ishte dyfishi ose trefishi më i madh. Ndryshe nuk mund ta quash koncesion ose ndonjë kombinim më ndryshe, por koncesioni i ka kornizat e veta bazë të cilave bëhet një shfrytëzim strategjik afatgjatë i një resursi natyror”, tha ai.

Por me këtë arsyetim, nuk u pajtua deputeti i LVV-së, Artan Abrashi i cili tha se shtetet rajonale të gjitha lejet kompanive private i japin me koncesion, derisa pyeti zyrtarin ministror për kriteret e fitimit të kësaj leje ujore.

Abrashi: Cilat janë kriteret kur një operator privat fiton të drejtën mbi një resurs publik?

“Çka ndodh në rastet kur ka më shumë se dy ose tre operatorë të interesuar për një leje ujore. Si bëhet përzgjedhja e atyre operatorëve, cili është kriteri? Cilat janë kriteret që një operator privat e fiton të drejtën për të shfrytëzuar një resurs publik, si bëhet përzgjedhja pa koncesion?”, tha ai.

E Berisha tha se lëshimi i lejeve mjedisore shkon në bazë të vullnetit të komunës.

Berisha: Procesi i lejes mjedisore nuk përfshin vetëm ministrinë

“Procesi i lëshimit të lejes mjedisore nuk është që e përfshin vetëm ministrinë, por disa institucione. I pari që e merr një leje nga drejtoria përkatëse komunale, ai e fiton të drejtën në raport me gjithë të tjerët. Ai llogaritet se është në interes të komunitetit dhe komunës”, tha ai.

E vendimin për lëshimin e lejeve për kompaninë Kelkos, e arsyetoi edhe drejtori i Departamentit të mjedisit dhe ujërave në MEA, Muhamet Malësiu, i cili tha se i njëjti është marrë në përputhje me direktivat evropiane dhe se projektet e “Kelkosit” do të shqyrtohen rast pas rasti.

Por këtij i reagoi anëtarja e komisionit nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila tha se me marrjen e këtij vendimi ka pasur shkelje të Ligjit për Parkun Nacional.

Haxhiu: A është shkel Ligji për Parkun Nacional?

“Janë dhënë leje, së fundi tash, këtë vit po flas për dy hidrocentralet, a është shkel ky ligj ajo”, tha ai.

Musliu tha se në periudhën kur janë lëshuar lejet e para nuk ka qenë në fuqi Ligji për Parkun Nacional.

Malësiu: Në kohën kur u lëshuam lejet e para, s’ka qenë në fuqi Ligji për Parkun Nacional

“Në periudhën kur janë lëshuar lejet e para nuk kanë qenë në fuqi Ligji për Parkun Nacional. Kur janë lëshuar pëlqimet mjedisore nuk ka qenë ende park nacional. Kështu që janë lëshuar, nuk mundesh t’i thuash investitorit se kur kanë nisur të ndërtojnë tash se është nxjerr një ligj i ri dhe se nevojitet të ndalen të gjitha”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat