U.D i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se partia e tij nuk shantazohet dhe nuk do të lejojë që dikush ta marrë peng shtetin e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se janë të gatshëm të ulen dhe të bisedojnë me partitë politike për tejkalimin e krizës në vend dhe ta zgjedhin një president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tonë, përcjell Bota sot.
Por, Hoxhaj ka thënë se PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që e thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë.
Ai ka thënë se kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK në Kuvend, duhet ta kuptojë që në atë propozim e ka edhe kandidatin e PDK-së.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejoj që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike paralamentare që ta tejkalojmë krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim një president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tonë. Por, PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë.
Republika jonë është mbi interesat politike dhe egot personale. Kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë, që në atë propozim e ka brenda edhe kandidatin e PDK-së!
Barrikadimi pas propozimeve individuale, ende pa filluar një diskutim politik ndërmjet partive parlamentare, është i dëmshëm dhe nuk e ndihmon tejkalimin e krizës por vetëm thellimin e saj.