​Selmanaj: Po u vjen fundi dembelëve dhe të korruptuarve në sistemin e drejtësisë

Aktuale

​Selmanaj: Po u vjen fundi dembelëve dhe të korruptuarve në sistemin e drejtësisë

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 12:38
Driton Selmanaj

Status-quo, ndryshimet ligjore, vettingu i përhershëm dhe vettingu gjithëpërfshirës, janë katër modalitetet të cilat ka zgjedhur grupi punues për vettingun, i cili ka përgatitur një raport përfundimtar për vettingun në vend.

Kjo u bë e ditur me rastin e lansimit të raportit mbi Modalitetet e llogaridhënies duke përfshirë vettingun në sistemin e drejtësisë në Kosovë, me ç'rast u tha se deri në fund të dhjetorit qeveria do të vendosë edhe llojin e modalitetit që do të zbatohet, implementimi i të cilit pritet të fillojë në janar.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj tha se me modalitetin që do të zgjedhin në konsultim me akterët tjerë, do të kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Ai shprehu bindjen e tij se në këtë mënyrë po i vjen fundi dembelëve dhe të korruptuarve në sistemin e drejtësisë, ndërsa do të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave.

Ai tha se sot po kurorëzojnë një punë të shkëlqyer që është bërë me një dokument përmbajtësor. Ai theksoi se koalicioni qeverisës është për të ndërtuar një sistem funksional të drejtësisë.

Selmanaj: Po u vjen fundi dembelëve dhe të korruptuarve

“Jemi të sigurt dhe jemi të bindur që po ju vjen fundi dembelëve brenda sistemit të drejtësisë, të korruptuarve brenda këtij sistemi dhe atyre të cilët deri sot kanë pasur qasje të papërgjegjshme. Por, normalisht, do të vlerësohen dhe do të vijnë në shprehje ata të cilët me integritetin e tyre po përballen dhe po punojnë çdo ditë me këtë pushtet. Jemi të bindur se me këtë modalitet që do të zgjedhim ne do të ndërtojmë besimin e njerëzve në Kosovë ndaj institucioneve të drejtësisë. Jemi të bindur që do të kemi edhe perceptim dhe vlerësim pozitiv edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë, dhe kur të vlerësim pozitiv nga mekanizmat ndërkombëtarë, rruga jonë drejt BE-së do të bëhet më e lehtë, vizat jemi të sigurt se do t’i marrim më shpejt dhe do ta bëjmë më funksional shtetin tonë”, tha Selmanaj.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se vettingu duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe jo politik, teksa shtoi se ka një dakordim brenda koalicionit qeverisës që ky proces të ecën. Ai tha se këtë muaj do të vendosin për llojin e vendimmarrjes që do të zgjedhin.

Selimi: Vettingu duhet të jetë permanent dhe jopolitik

“Sistemi i llogaridhënies, vettingu duhet të jetë gjithëpërfshirës sepse nuk duhet të jetë politik pasi që preferencat politike ndryshojnë përderisa sistemi i drejtësisë duhet të jetë permanent. Unë besoj se do të fillojmë menjëherë, qysh në janar, implementimin e njërit prej këtyre skenarëve, skenarin që është i ‘qepur’ më mirë për nevojat tona, dhe që të dëgjohen të gjithë që janë në këtë proces”, tha Selimi.

E kryesuesi i grupit punues, Florent Spahija bëri të ditura katër modalitetet që kanë zgjedhur t’ia prezantojnë Qeverisë së Kosovës. Ku, për modalitetin e parë, e që është “status-quo”, Spahija tha se nuk është më e mira, meqë janë mbledhur pikërisht për ta ndryshuar këtë.

Spahija: Janë 3 modalitete që do të kthejnë llogaridhënien në sistemin e drejtësisë

“Janë edhe tri modalitete tjera, është ndryshimet ligjore, modaliteti i vettingut të përhershëm, si dhe është modaliteti i vettingut gjithëpërfshirës që fillon menjëherë dhe kryhet brenda 5 vjetëve... Qeveria është e lirë të zgjedhë edhe dy modalitete, të bëjë kombinimet e tyre. Është një raport, i cili mund të ndikojë fuqishëm në përmirësimin e drejtësisë, besimin e qytetarëve në drejtësi, si dhe në rritjen e llogaridhënies brenda sistemit të drejtësisë”, tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat