KQZ: Nuk e kemi asnjë cent për zgjedhje

Aktuale

KQZ: Nuk e kemi asnjë cent për zgjedhje

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 10:52
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se është në pritje të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve në mënyrë që të fillojë përgatitjet intensive për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Nga KQZ, e kanë konfirmuar se nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për këtë proces zgjedhor. 

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dy halle tashmë. Sfidat e organizimit të zgjedhjeve në kohë pandemie dhe buxhetin për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë është në pritje të vendimit që shpall datën e zgjedhjeve për në mënyrë që të fillojë me përgatitjet intensive për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

“Jemi në kohë pandemie dhe sigurisht se këto zgjedhje janë sfiduese për faktin se KQZ-ja krahas përgatitjeve teknike për organizimin e këtyre zgjedhjeve duhet të merret edhe me zbatimin e masave apo rekomandimeve të institucioneve shëndetësore që lidhen me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor”.

KQZ njofton se do të përgatisin me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellin për miratim në Qeverinë e Kosovës në kohën kur shpallen këto zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për këtë proces zgjedhor i cili nuk është i planifikuar. Prandaj, KQZ-ja do të përgatis me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës në kohën kur shpallen këto zgjedhje., thuhet tutje në përgjigje.

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme dhe ato të organizohen në afat prej 40 ditësh pas shpalljes së tyre.

Vendimi është publikuar të hënën mbrëma në faqen e Kushtetueses dhe ishte unanim. 

"Marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre", thuhet në konstatimin e Kushtetueses.

Afati 40-ditësh, sipas nenit 95 të Kushtetutës, vlen për kohën nga shpallja e zgjedhjeve deri në mbajtjen e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat