Hoti pranon vendimin e Kushtetueses, flet edhe për kandidatin për kryeministër nga LDK-ja

Aktuale

Hoti pranon vendimin e Kushtetueses, flet edhe për kandidatin për kryeministër nga LDK-ja

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 14:00
Avdullah Hoti

(E plotësuar 17:54) - Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti deklaroi sot se pranon dhe do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila mbrëmë ka marrë vendim se qeveria e udhëhequr nga ai është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese.

Hoti, në konferencën e parë pas vendimit të Kushtetueses, tha se do të vazhdojnë të kryejnë të gjitha detyrat në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve si qeveri në detyrë.

Ai tha se vendimin e ka parë vetëm atëherë kur është publikuar nga Gjykata Kushtetuese.

Hoti: E pranoj plotësisht këtë vendim dhe do ta respektojë pa asnjë diskutim

“Sigurisht unë e pranoj plotësisht këtë vendim dhe do ta respektoj pa asnjë diskutim lidhur me këtë vendim, nuk do të lëshohem fare në diskutimin e këtij vendimi është çështje e Gjykatës Kushtetuese dhe ky është parimi elementar i punës tonë dhe besoj që nuk është asgjë e re dhe ju e dini këtë qasje. Më lejoni të them që më vjen mirë që Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se bazuar në parimin e sigurisë juridike edhe fakti që ky aktgjykim nuk mund të ketë efekt prapaveprues vendimet e qeverisë aktuale mbeten në fuqi dhe qeveria mbeten në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Ne do të vazhdojmë të kryejmë detyrën tonë si qeveri në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve si qeveri në detyrë. Tash është obligim kushtetues që të përfillim procedurat për shpalljen e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues. Ne do t’i kryejmë obligimet tona sigurisht tash në rrethana të reja pas këtij vendimi. Dëshiroj të siguroj qytetarët dhe partnerët me të cilët po punojmë, bizneset që do të jemi në krye të detyrës për t’u marrë me obligimet që kemi karshi qytetarëve të vendit sidomos në menaxhimin e situatës me pandeminë, për të cilën kemi treguar rezultate të mira”, tha Hoti.

Kryeministri në detyrë tha se do të vazhdojë të zbatojnë pakon e rimëkëmbjes ekonomike pjesën që ka mbetur dhe tha se pas miratimit të buxhetit do të vazhdohet edhe me pakon e rimëkëmbjes për vitin 2021.

Hoti tha se para caktimit të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme duhet të miratohet buxheti, e për këtë çështje ai tha se gjatë ditës ka diskutuar me të gjitha partitë parlamentare, për çka tha se ka gatishmëri nga grupet parlamentare për ta votuar buxhetin për vitin 2021.

Hoti: Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti për vitin 2021

“Bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti për vitin 2021. Sot kam pasur një takim me komunitetin e biznesit, me Odat e ndryshme ekonomike për të diskutuar masat që kemi në votim tani brenda në Qeveri dhe ka qenë edhe kërkesë e tyre që buxheti të miratohet sa më parë. Duke qenë se pakoja e rimëkëmbjes ekonomike për 2021 është e lidhur me këtë buxhet dhe bashkë me këtë buxhet edhe marrëveshjet ndërkombëtare, disa marrëveshje ndërkombëtare, sepse një pjesë e buxhetit në veçanti në shëndetësi po edhe pakoja e rimëkëmbjes ekonomike bazohet në disa marrëveshje ndërkombëtare që i kemi nënshkruar dhe që presim për ratifikim në Kuvend. Kështu që, pres që Kuvendi të miratojë buxhetin dhe të ratifikojë këto marrëveshje ndërkombëtare. Unë kam zhvilluar bisedime gati me të gjitha grupet parlamentare sot gjatë ditës për t’iu kërkuar atyre që të organizojnë seancë të veçantë dhe të miratojmë buxhetin dhe këto marrëveshje”, tha ai.

Se a do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër, Hoti tha se për këtë çështje do të diskutohet brenda partisë.

Hoti: Konsultimet e brendshme si parti për të ardhur te kandidati për kryeministër

“Tash do t’i kryejmë konsultimet e brendshme si parti politike si çdo parti tjetër për të ardhur te kandidati për kryeministër...Nuk ka pasur si të diskutohet se vendimi është marr mbrëmë nga Gjykata Kushtetuese dhe tash nga sot e tutje fillojmë diskutimet brenda strukturave të partisë. Jo nuk mund ta tregoj sot, sepse varet nga diskutimet e gjëra brenda strukturave të partisë dhe besoj që si LDK jemi ndër partitë më të strukturuara dhe më demokratike sa i përket vendimmarrjes. Nuk është vendim ad-hoc dhe nuk është vendim i vogël nxjerrja e kandidatit për kryeministër...Ne jemi duke bërë të gjitha përgatitjet për të shkuar të vetme në zgjedhje, por prapë po them nuk është kjo fjala ime përfundimtare sepse nuk janë diskutuar ende formalisht këto çështje në parti”, tha ai.

Ndërsa, i pyetur rreth një koalicioni të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje apo me listën paralajmëruar të ushtrueses së detyrës së presidentit Vjosa Osmani, Hoti tha se Osmani i ka ndarë rrugët përgjithmonë me LDK-në.

Hoti: Unë besoj që ajo i ka ndarë rrugët përgjithmonë me LDK-në

“Të dyja janë pyetje hipotetike, e para është vërtetë hipotetike dhe nuk mund të përgjigjem. Ne po përgatitemi dhe besoj që kemi përvojën e duhur si parti politike dhe kemi bagazhin politik gjatë këtyre 6- 7 muajve të qeverisjes si favorit për të fituar këto zgjedhje, e mandej koalicionet do të përcaktohen në bazë të programeve që do t’i dakordojmë me partitë e tjera. Sa i përket Osmanit, unë besoj që ajo ka zgjedhur rrugën e vet. Unë besoj që ajo i ka ndarë rrugët përgjithmonë me LDK-në”, tha ai.

Për datën e zgjedhjeve të reja, Hoti tha se nuk ka hapësirë për konsultime dhe krejt çka mund të flitet është caktimi i datës së mbajtjes së tyre.

Sipas tij, koalicioni qeverisës i udhëhequr nga ai ka funksionuar mirë, por që tha se kanë pasur sfida të cilat i kanë tejkaluar me biseda të brendshme.

Hoti: Çdo gjë do të bëhet në përputhje me ligjin dhe me kompetencat që ka Qeveria

“Sa i përket emërimeve të reja çdo gjë do të bëhet në përputhje me ligjin dhe me kompetencat që ka Qeveria dhe besoj që ky ka qenë parimi i punës tonë nga fillimi. Se për çka do të mbahet mend kjo qeveri, unë besoj që qytetarët e dinë më së miri, ne e kemi marrë qeverisjen në një situatë shumë të vështirë, të mbyllur, e kemi hapur shoqërinë, e kemi hapur ekonominë. Ne e kemi marr gjendjen në një situatë gati të raporteve të ngrira me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, me qindra miliona euro dhe dollar amerikan të ngrira për shkak të sjelljeve të qeverive paraprake dhe e kemi hapur Kosovën. I kemi çel të gjitha dyert e BE-së dhe miqve tanë ndërkombëtarë pa asnjë përjashtim. Kemi mbërri marrëveshjen e Uashingtonit, kemi filluar procesin e dialogut pas dy viteve ndërprerje mbi parime të qarta, e kemi zhvilluar pakon e rimëkëmbjes ekonomike, më e madhja në regjion dhe përtej regjionit proporcionalisht fuqinë ekonomike që ka vendi dhe besoj që kemi udhëhequr me parime të qartë sipas ligjit dhe Kushtetutës duke dhënë shembullin më të mirë se si duhet udhëhequr një shtet demokratik që aspiron për integrim euroatlantik”, tha ai.

Në këtë konferencë, Hoti foli edhe për masat e reja të antiCOVID të cilat tha se janë duke u votuar në mënyrë elektronike.

Hoti: Është në votim elektronik vendimi për masat e reja

“Sa i përket masave për COVID, ndërkohë që po flasim është në votim elektronik vendimi për masat e reja të konsultuara gjerësisht që një javë e sa me profesionistët shëndetësorë, të konsultuara dy herë edhe me shoqatat, me Odat ekonomike dhe me grupet e tjera. Tash në bazë të vlerësimeve të fundit të ekspertëve të shëndetësisë një lloj i ri ose variant i ri i këtij virusi tani më është paraqitur në Britani. Jemi duke i ndjekur protokollet e njëjta sikurse vendet e tjera përfshirë shpejt besoj edhe kufizimin në lëvizje në fluturimet nga Kosova në Britani. Jemi duke e shqyrtuar, jemi duke i ndjekur protokollet që janë zhvilluar nga organizata ndërkombëtare për këtë”, tha ai.

I pyetur për atë se pas marrëveshjes së Uashingtonit ishte propozuar që liqeni i Ujmanit të emërohet sipas presidentit Donald Trump, Hoti tha se marrëveshjet e nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë janë historike dhe se të gjitha pikat e tyre do të zbatohen. 

***

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Avullah Hoti tha se e pranon dhe do ta respektojë vendimin e saj.

"Jeni në dijeni që vendimi i Gjykatës është bërë publik, sigurisht unë e pranoj plotësisht këtë vendim dhe do ta respektoj pa asnjë diskutim. Nuk do të lëshohem fare në diskutim. Më vjen mirë që Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se vendimet e qeverisë aktuale mbeten në fuqi dhe qeveria mbetet në detyrë. Ne do të vazhdojmë të kryejmë detyrat. Tash është obligim kushtetues që të ndiqen procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve. Ne do t’i kryejmë obligimet tona, dëshiroj t’i siguroj të gjithë qytetarët se do të jemi në krye të detyrës karshi obligimeve", tha ai.

Ai ka bërë thirrje që të votohet buxheti për vitin 2021 para se vendi të shkojë në zgjedhje.

"Tash përpara e kemi një punë që është buxheti dhe bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërbëhet pa votimin e buxhetit për vitin 2021. Kam mbajtur një takim edhe me bizneset dhe kërkesë e tyre është ky buxheti të votohet", tha ai.

***

Kreu i Qeverisë tashmë në detyrë do të dalë në konferencë për media sot në ora 15:00.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Qeveria.

“ Kryeministri Avdullah Hoti mban konferencë për media. VENDI: Ndërtesa e Qeverisë KOHA: 15:00”, shkruhet në njoftim.

Kjo është hera e parë që Hoti po deklarohet para mediave që pas vendimit të mbrëmshëm të Gjykatës Kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat