Skenari – ja si do të formohet Qeveria e re

Aktuale

Skenari – ja si do të formohet Qeveria e re

Nga: N.Sh Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 16:20
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Qytetarët e Republikës së Kosovës, qysh në fillim të vitit që do të hyjmë do të kenë mundësinë të dalin që të votojnë për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Këto zgjedhje të jashtëzakonshme janë si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Prej momentit kur LVV e ka kontestuar votën e deputetit Hetem Arifi, si votë që kishte qenë kritike për formimin e qeverisë Hoti, shumëkush ka spekuluar për vendimin që do ta merr Gjykata Kushtetuese, duke e ditur që ai deputet ka qenë i dënuar në kohën kur kishte votuar.

Ekspertët mendonin që Gjykata Kushtetuese do ta rikthejë edhe njëherë në votim qeverinë Hoti, por duket që situata dhe disponimi në Gjykatë ka ndryshuar në orët e fundit.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese e kanë llogaritur votimin për qeverinë Hoti, si votim të dështuar, që do të thotë si votim të dytë të dështuar, e që Kushtetuta e Kosovës e parasheh qartë që nëse Kuvendi i Kosovës nuk mundet dy herë që ta zgjedhë qeverinë, atëherë Presidenti i shpall zgjedhjet në afat brenda 40 ditësh.

“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thotë neni 95, pika e 4 e Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim i Kushtetutës nuk i jep diskrecion askujt.

Ky është vendim i prerë që e detyron Presidenten thjesht dhe vetëm t’i shpall zgjedhjet.

E këto zgjedhje do të mbahen në fund të muajit janar ose fillim të muajit shkurt.

Interesant do të jetë rezultati i zgjedhjeve.

Lëvizaj Vetëvendosje pretendon se do të fitojë 51%, e që me këtë rezultat do të thyente rekord pasi që, e ka mundësinë që vetë ta formoj Qeverinë.

Por, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë pas luftës në Kosovë, që një subjekt politik të formoj Qeverinë si e vetme.

Megjithatë, rezultati që ndodhi në Podujeve, ishte një kthesë dhe shpresë për LVV.

Megjithatë, suksesi i tyre varet edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

LDK-ja nëse për këto zgjedhje do të bënte disa ndryshime brenda strukturave të saj, por edhe nëse do të kandidoj me një lider që nuk është nga kasta e vjetër e LDK-së, mund të ua prish sukseset LVV-së.

Madje LDK-ja mund të ketë një ngritje të befasishme nëse kandidati i saj është i dashur për votuesit.

Megjithatë edhe nëse LVV-ja del partia e parë, pasi që shumë kush në Kosovë e beson këtë, ajo e vetme nuk mund ta formoj Qeverinë.

E për këtë LVV-së i duhet LDK-ja.

Pra Qeveria e re, do të formohej LVV-LDK, por me një besim më të madh sesa Qeveria Kurti 1.

Kjo Qeveri do të ketë një besim më të madh, koalicioni do të ndërtohej pa kushte, sikurse që ishte qeverisja e kaluar, dhe Kurti si kryeministër nuk do të veproj sikurse që kishte vepruar me Agim Veliun.

Një burim i gazetës “Bota sot” thotë se, Qeveria Kurti 2, nuk do të ketë brenda saj ministra sikurse ajo e Qeverisë Kurti 1.

Me këtë sipas tij, do të ndodhin disa ndryshime të mira për vet Qeverinë, por edhe për partitë politikë.

Burimi shton se ishin acaruar raportet e këtyre dy subjekteve politike, por ai e sheh të arsyeshme, dhe beson shumë që Qeveria e re do të ndodh nga këto dy subjekte politike, kur ki parasysh këto se gjithmonë partitë janë acaruar dhe kanë shprehur mllef ndaj njëra tjetrës para formimit të Qeverisë.

Kjo do të jetë e shkuar sipas tij, por që e ardhmja do të jetë e ndritshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat