Miftaraj flet për kandidimin e Kurtit: Gjykata nuk e bëri dallimin mes dënimit me kusht dhe atij të prerë

Aktuale

Miftaraj flet për kandidimin e Kurtit: Gjykata nuk e bëri dallimin mes dënimit me kusht dhe atij të prerë

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 21:30
Albin Kurti

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, pasi u pyet për rastin e kryetarit të LVV’së, ka thënë se Gjykata Kushtetuese, në sqarimet e lëshuara në vendimin e dhënë për votën e deputetit të Etem Arifit për votimin e Qeverisë Hoti, nuk e ka qartësuar se a duhet të jetë dënimi me kusht apo ai efektiv për ndalimin e një personi për kandidim.

Miftaraj, ka vlerësuar se Kushtetuesja e ka kthyer garancën kushtetuese për garim në garancë ligjore, duke iu referuar sqarimeve të fundit të dhëna nga kjo gjykatë.

“Nese lexojmë nenin 45, e përcakton në mënyre të qartë se çdo shtetas i Republikës së Kosovës ka te drejte te zgjedhët dhe të zgjedhë. Përjashtim i këtij rregulli është kufizimi gjyqësor. Gjykata Kushtetuese e ka kthyer në garanci ligjore. Iu është referuar ligjit për zgjedhje, qe pastaj jashtë kushtetutës e ka përcaktuar kufizimin per çdokënd që është i dënuar ne 3 vitet e fundit t’i kufizohet e drejta për te kandiduar”, deklaroi Miftaraj.

Tutje, ai ka thënë se dënimet me kusht dinë të jenë më të rënda sesa ato me vendim të prerë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, dy vite më parë, i shpalli fajtorë katër deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje”,  Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për dy veprat penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Albin Kurti u dënua me 1 vit e 3 muaj burgim për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, kurse për veprën penale të pengimit të personit zyrtar është dënuar me gjashtë muaj burgim. Ndaj tij, është shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht.

Aktakuza ndaj tyre nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, është ngritur më 16 dhjetor 2015.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat