Blendi Fevziu: Qeverisja Kurti-Osmani e realizueshme nëse ajo ‘çan’ LDK-në a

Aktuale

Blendi Fevziu: Qeverisja Kurti-Osmani e realizueshme nëse ajo ‘çan’ LDK-në a

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 21:41
Blendi Fevziu

Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit në politikën e Kosovës ka pasur dominim të krahut të luftës, ish-komandantëve të UÇK-së, sipas gazetarit Blendi Fevziu kjo nuk mund të vijojë më pasi tashmë ka ardhur koha që politikën ta marrë përsipër gjenerata e re dhe një elitë e pa-provuar më parë në drejtimin e vendit.

“A ishte zgjidhja më e mirë për Kosovën [dominimi i politikës nga krahu i luftës]? Është e vështirë ta them për momentin, por ia kam thënë edhe Presidentit Hashim Thaçi kur ishte në detyrë, se Kosova nuk mund të mbetet peng i katër komandantëve edhe njëzetë vjet pas luftës kur vjen një brez i ri, i cili natyrisht ka aspirata të reja,” – tha Fevziu, i cili shtoi se në aspektin “e të rinjve në politikë” nuk mund të cilësohet i tillë Albin Kurti, duke qenë se ka qenë i angazhuar që prej vitit 1996-97.

Megjithatë Fevziu tha se në aspektin e sprovës në drejtimin e Kosovës, Kurti është “i pa-provuar”.

“Kurti në fakt ka testuar [drejtimin] për rreth 50 ditë Kryeministër, fitoi zgjedhjet jo me diferencë të vogël, por që bëri gabime thelbësore kryesish në aspektin ideologjik, tentativa për të krijuar një tendencë të majtë në qeverisje është pak problematike dhe përplasja me SHBA-të, i dha kosto Albin Kurtit, shpresoj që ky test të jetë i mirë t’i ketë vlejtur atij për raundin e dytë. Nuk ka dyshim me sa shoh unë sondazhet që Albin Kurti do të jetë fitues i zgjedhejve të ardhshme, çështja është me kë do të kombinohet,” – u shpreh Fevziu.

Në këtë pikë gazetari i njohur tha se nëse paralelisht me Kurtin, Vjosa Osmani, e cila ishte ndër më të parapëlqyerat nga elektorati i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të dalë me një listë për “ta çarë” ish-partinë e saj në mënyrë që t’i japë vota Vetëvendosjes, atëherë sipas Fevziut mund të arrihet një kombinim qeverisës Kurti-Osmani.

“Nëse Osmani do të dalë për krijimin e një liste, dhe do ketë mundësi për ta çarë LDK-në aq sa t’i garantojë numrin e votave që do t’i duhen Vetëvendosjes për qeverisjen atëherë qeverisja mes Kurtit dhe Osmanit është e thjeshtë, Kurti shkon kryeministër dhe Osmani Presidente, por problemi është nëse ajo nuk do ta çajë LDK-në në të tilla nivele,” – tha Fevziu, i cili e konsideroi Vetëvendosjen në pozita më të mira në zgjedhje pasi PDK-ja e ka kryetarin në Hagë.

“Pra Albin Kurti do jetë në një fushë të zbrazur, përballë një penalltie me portë pa portier,” – paralelizoi Fevziu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat