Ismaili: Qeveria po nënshtrohet Serbisë, vaksinimi i qytetarëve në Veri të Kosovës goditje e sovranitetit

Aktuale

Ismaili: Qeveria po nënshtrohet Serbisë, vaksinimi i qytetarëve në Veri të Kosovës goditje e sovranitetit

Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 12:51
Uran Ismaili

Qeveria në detyrë e Kosovës është deklaruar në lidhje me vaksinimin e qytetarëve në Veri të Mitrovicë kundër COVID-19.

Reagimin e saj e quan të ngathët sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili.

Ismaili thotë se vaksinimi kundër COVID-19 për të cilin u raportua që ka filluar në Veri të Mitrovicës nga Serbia është goditje e sovranitetit të vendit dhe fyerje për qytetarët e Kosovës. Ai ka theksuar se është hera e tretë që Qeveria Kurti e Hoti janë nënshtruar para veprimeve të Serbisë.

Në konferencën për media, Ismaili tha se është e domosdoshme që Kosova të sigurojë urgjentisht vaksinat për të gjithë e jo për vetëm për një pjesë të saj.

Ismaili: Vaksinimi në veri të Kosovës nga Qeveria e Serbisë goditje për sovranitetin tonë

“Vaksinimi kundër Covid-19 që ka filluar në veri të Kosovës nga Qeveria e Serbisë - është një goditje për sovranitetin e shtetit tonë dhe fyerje e rëndë për qytetarët tanë. Kjo është hera e tretë, në pak muaj, që Serbia, në emër të pandemisë, cenon sovranitetin e shtetit tonë. Është hera e tretë që dy Qeveritë e kaluara, Hoti dhe Kurti, u nënshtruan para veprimeve të Serbisë dhe në dëm të Republikës së Kosovës. Kjo mënyrë e depërtimit të Serbisë në Kosovë - një herë me teste, pastaj me personel shëndetësor, e sot edhe me vaksina, shpërfaq strategjinë e Serbisë, që përmes pandemisë, ta shkelë dhe dobësojë sovranitetin e Kosovës dhe ta avancojë agjendën e saj kundër shtetit tonë. Me tolerimin dhe me heshtjen e dy Qeverive të kaluara, hap pas hapi, Aleksandar Vuçiq po e portretizon Serbinë si humaniste - duke tentuar që para botës ta mbulojë të kaluarën e saj gjenocidale në Kosovë”, tha Ismaili.

Ismaili kërkon që kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti të sqaroj para qytetarëve të Kosovës se si president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e filloi vaksinimin në veri të Kosovës.

Ismaili: Është e pafalshme se si Hoti e Kurti u strukën para Vuçiqit

“Pse ky reagim i ngathët përballë shkeljes së sovranitetit. Është e rëndë dhe e pafalshme të shohim se si dy Kryeministrat, Hoti dhe Kurti, u strukën para Vuçiqit dhe hoqën dorë nga sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës, për të cilin u sakrifikua shumë, nga shumë breza. Është irrituese për qytetarët tanë të shohin se si një Qeveri armike e Kosovës hyn në Kosovë, vaksinon kundër Covid-19, e qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës jo vetëm që nuk kanë filluar të vaksinohen, por nuk kanë madje as më të voglën informatë se kur do të nisë vaksinimi nga shteti i Kosovës. Duke ditur se vaksina është mënyra e vetme që i jep fund pandemisë, prioriteti më i lartë i kësaj Qeverie do të duhej të ishte sigurimi i vaksinës”, tha Ismaili.

Mes tjerash Ismaili tha se sigurimi i vaksinave për gjithë qytetarët e Kosovës ka pasoja shëndetësore dhe pasoja ekonomike gati të pallogaritshme dhe tejet të rënda.

Ai madje theksoi se derisa Kosova ka zero vaksinim, vendet e rajonit tashmë kanë blerë vaksinat kundër COVID-19. Mungesa e vaksinave sipas Ismailit është tregues i paaftësisë dhe mungesë e përkujdesjes dhe përgjegjësisë ndaj shëndetit të qytetarëve.

Ismaili: Derisa Kosova ka zero vaksinim, rajoni i ka blerë ato

“Derisa Kosova sot ka zero vaksinim, Komisioni Evropian tashmë ka siguruar mbi 2 miliardë doza të vaksinës dhe shumica e shteteve anëtarë të BE-së kanë filluar vaksinimin. Derisa Kosova sot ka zero vaksinim, vendet e rajonit tashmë kanë blerë vaksinat, duke iniciuar programet e vaksinimit në dhjetor dhe janar, por vetëm Qeveria e Kosovës nuk ka përgjigje të saktë se kur do të fillojë dhe kur do të përfundojë vaksinimi. Mungesa e vaksinave, fatkeqësisht, i lë qytetarët tanë të përballen me mbylljen pa afat, i lë punëtorët shëndetësorë çdo ditë të ekspozuar ndaj rrezikut, dhe thellon krizën drejt falimentimit ekonomik. Ky është tregues i qartë i paaftësisë, mungesës së vizionit, mungesës së përkujdesjes dhe papërgjegjësisë së plotë të këtyre njerëzve ndaj shëndetit, ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve tanë”, tha ai.

Megjithëkëtë ai thotë se është e domosdoshme që urgjentisht Kosova t’i sigurojë vaksinat ndaj COVID-19

Ismaili: Urgjentisht Kosova t’i sigurojë vaksinat kundër COVID-19

“Është e domosdoshme që Kosova të sigurojë urgjentisht vaksinat për të gjithë popullatën, e jo vetëm për një pjesë të saj – siç po deklarohet se janë siguruar vaksina vetëm për 20 për qind të popullatës. Është e domosdoshme që të investohet në zinxhirin ftohës dhe në trajnimet e personelit, pra që të krijohen të gjitha kushtet për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinave nëpër gjithë Kosovën. E jo të kemi centralizim si në rastin e testeve, vetëm në Prishtinë, me radhë të gjata të pritjes. Gjithashtu, duhet një plan i vazhdueshëm i komunikimit për t’i njoftuar të gjithë qytetarët për fazat e programit të vaksinimit, e jo siç jemi sot - kur çdo gjë është jotransparente dhe pa afate”, tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat