Vajzat e Anton Çetës nuk pajtohen që shtatorja e babait të tyre të vendoset në oborrin e Katedrales

Aktuale

Vajzat e Anton Çetës nuk pajtohen që shtatorja e babait të tyre të vendoset në oborrin e Katedrales

Më: 14 janar 2021 Në ora: 06:17
Anton Çeta

Vajzat e Anton Çetës, Agata dhe Donika kanë dalë kundër që shtatorja e babit të tyre të vendoset në oborrin e Katedrales “Nënë Tereza”, në Prishtinë, ashtu siç është marrë vendimi nga Ipeshkvia e Kosovës.

Të dyja përmes një postimi në Facebook, kanë deklaruar se ky veprim nuk është në përputhshmëri me misionin e babit të tyre.

Po ashtu, ato kanë publikuar edhe një letër, të cilën ia kanë dërguar Ipeshkëvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit.

Letra e plotë:

I nderuar Imzot Dodë Gjergji,

Në cilësinë e familjes Çetta, ju dërgojmë këtë letër përmes së cilës deklarohemi rreth vendosjes së shtatores së babait pranë Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Ne vlerësojmë nismën Tuaj për të respektuar figurën multidimensionale të babait tonë. Por duke njohur mirë shpirtin e tij, dhe duke qenë të vetëdijshme për jetën dhe veprën e tij, vazhdojmë të besojmë fort se, misioni i tij fisnik u realizua duke u bazuar në vlerat e pajtimit, paqes, tolerancës fetare e mbi të gjitha mbi dashurinë e madhe ndaj popullit të vet shqiptar.

Ne vlerësojmë se figura e babait duhet të jetë model që transmeton tek gjeneratat e reja vlerat duke tejkaluar të gjitha dallimet e një shoqërie multireligjioze ku ndodhemi ne, model i paanësisë dhe dinjitetit.

Vendosja e shtatores brenda mureve të oborrit të Katedrales, do të binte ndesh me parimet dhe qëllimet e tij, prandaj ne si familje nuk e miratojmë një vendim të tillë dhe shpresojmë shumë në mbështetjen Tuaj dhe mirëkuptimin e vendosjes së shtatores përballë Fakultetit Filologjik aty ku e ka miratuar Kuvendi Komunal.

Me respekt,

vajzat e Anton Çettës,

Donika Çetta Junçaj dhe Agata Çetta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat