Ekspertiza: Ky ishte shkaku i aksidentit në Rrugën e Kombit, ku vdiq familja nga Kosova

Aktuale

Ekspertiza: Ky ishte shkaku i aksidentit në Rrugën e Kombit, ku vdiq familja nga Kosova

Më: 15 janar 2021 Në ora: 22:04
Vendi ku ka ndodhur aksidenti

Një parakalim i gabuar u bë shkak për aksidentin fatal pasditen e së enjtes në Rrugën e Kombit, në aksin rrugor Milot-Rrëshen, në afërsi të pikës së karburantit “Toma”, në të cilin humbën jetën katër anëtarë të familjes Avdiaj nga Kosova.

Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore, i cili ka qenë pjesë e grupit hetimor, ka bërë të ditur se drejtuesi i mjetit “Citroen” nuk e ka llogaritur mirë hapësirën për parakalim. “Njëri prej drejtuesve të mjeteve nuk ka mbajtur krahun. Mjeti “Citroen” ka bërë parakalim të gabuar dhe ka dalë në krah të kundërt dhe është përplasur me kamionin që po vinte përballë. Kemi një humbje të kontrollit, kemi një neglizhencë, jo vëmendje e përqendruar gjatë drejtimit të lëvizjes. Ai nuk e ka parashikuar që hapësira që ka pasur në dispozicion nuk mund ta lejonte parakalimin”, ka thënë eksperti Islam Qibini.

Konkluzionet e ekspertizës kanë bërë që drejtuesi i kamionit, Isa Shala nga Kosova, me të cilin u përplas autovetura tip “Citroen” të lihet i lirë, pasi ishte shoqëruar pas aksidentit në Komisariatin e Policisë Rrëshen. Drejtuesi i kamionit mësohet të ketë thënë se ka qenë duke lëvizur në krahun e tij të rrugës kur mjeti “Citroen” i ka ardhur përballë me shpejtësi në mënyrë të befasishme, duke sjellë dhe përplasjen. Pak metra larg vendit të aksidentit është një kthesë jo e fortë, dhe në këtë pjesë të rrugës parakalimi është i ndaluar, siç tregon edhe sinjalistika. Tentativa e drejtuesit të autoveturës ku udhëtonte familja nga Kosova rezultoi fatale. Për shkak të errësirës në rrugë, siç duket 45-vjeçari Blerim Avdiaj nuk e ka vënë re kthesën dhe mjetin e tonazhit të rëndë, duke sjellë dhe përplasjen fatale.

Aksidenti rezultoi vdekjeprurës drejtuesin e mjetit Blerim Avdiaj dhe për bashkëshorten e tij Anjeza Avdiaj, 45 dhe 34 vjeç, vajzën e tyre Medina 5 vjeçe, si dhe për nipin Klejdi Koçi 11-vjeç, ndërsa ka mbetur e plagosur rëndë vajza e dytë e familjes, Violeta 3-vjeçare, e cila po lufton për jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Familja Avdiaj, me origjinë nga Kosova, jetonin në Zvicër prej shumë vjetësh dhe kishin ardhur për të kaluar festat e fundvitit në vendlindjen e tyre. Numri i aksidenteve në Rrugën e Kombit që nga ndërtimi i saj ka qenë i madh. Kjo edhe për shkak se rruga nuk ka përfunduar, megjithëse kanë kaluar 11 vjet që nga lëshimi për qarkullim. Në segmentin Milot-Rrëshen ka ndodhur pjesa më e madhe e aksidenteve me pasojë vdekjen në Rrugën e Kombit.

Vendi ku ka ndodhur aksidenti, pikërisht në këtë segment është me dy kalime duke formuar “hinken” në autostradë. Ndërkohë prej më shumë se dy vjetësh, edhe pse e papërfunduar, kjo rrugë është me pagesë duke filluar me 5 euro. Shuarja e familjes nga Kosova mbrëmjen e 14 janarit, është ngjarja e dytë e rëndë me pasojë aksidentet rrugore në Shqipëri me viktima shtetas të Kosovës. Më 14 tetor të vitit 2004, si pasojë e një aksidenti tragjik në Fushë-Arrëz, humbën jetën 15 gjimnazistë të Malishevës dhe u plagosën 35 të tjerë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat