Restelica: Nga e hëna ‘Prishtina Parking’ i shtohen 10 policë në terren

Aktuale

Restelica: Nga e hëna ‘Prishtina Parking’ i shtohen 10 policë në terren

Më: 25 janar 2021 Në ora: 09:56
Liridon Restelica

Kryeshefi ekzekutiv në “Prishtina Parking”, Liridon Restelica ka njoftuar se gjatë kësaj jave, këtij projekti të komunës i shtohen 10 policë të cilët do të shihen në terren.

Restelica tha se nga sot një javë në të gjitha pikat postare, qytetarët do të kenë mundësinë të regjistrohen si banorë rezidentë dhe t’i marrin ngjitëset të cilat do t’i vendosin në xhamin e veturës.

“‘Prishtina Parking’ është funksionalizur 100 për qind, aktualisht jemi duke bërë vetëm trajnim profesional të stafit për ekzekutimin në terren. Kemi bërë analiza dhe kemi vlerësuar duke marrë vendim që të shkojmë me informim edhe këtë javë sepse e kemi theksuar që nuk jemi të interesuar të bëhemi kundërshtarë me qytetarët por bashkëpunëtorë të tyre. Nga sot, ‘Prishtina Parking’ i bashkëngjiten 10 policë të cilët do të bëjnë punën sekondare. Ata do të shihen në terren dhe nga sot 1 javë do të fillojmë që çdo rrugë të shkojë me pagesa. Ju njoftoj se nga sot 1 javë në të gjitha pikat postare, qytetarët do të kenë mundësi të regjistrohen si banorë rezidentë dhe t’i marrin stikerat të cilat vendosen në xhamin e veturës. Nga 1 marsi do të ekzekutohen rregullat në të gjitha lagjet e kryeqytetit”, tha Restelica

Ai shtoi se në bazë të një pyetësori që është hartuar, mbi 95 për qind të qytetarëve e kanë mirëpritur këtë projekt.

“‘Prishtina Parking’ iu lehtëson qytetarëve rezidentë gjetjen e parkingut”, shtoi ai.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte njoftuar se nga 13 janari do të nis zbatimi i pagesës për makinat e parkuara në rrugë.

Ahmeti ka thënë se banorët e kryeqytetit do të kenë mundësinë të aplikojnë deri më 28 shkurt për të marrë kartën rezidente për parking.

Po ashtu, sipas tij, personat që nuk janë banorë të Prishtinës, për ta kufizimi vlen prej dy orësh. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat