Halimi: Vendimi i Supremes për Albin Kurtin do t’i mobilizojë votuesit e VV-së

Aktuale

Halimi: Vendimi i Supremes për Albin Kurtin do t’i mobilizojë votuesit e VV-së

Më: 29 janar 2021 Në ora: 21:50
Albin Kurti

Gjykata Supreme i ka pranuar pesë ankesa nga subjektet politike të ushtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat janë ndarë me short dhe janë shqyrtuar nga kolegjet gjyqësore brenda afateve ligjore.

Supremja ia ka pranuar pjesërisht ankesën Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë.

Kjo gjykatë e ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që kandidatëve Liburn Aliu dhe Labinotë Demi-Murtezajt, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë, kurse jashtë mbetet kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Sociologia Sibel Halimi konsideron se ky vendim i Gjykatës Supreme lidhur me Albin Kurtin, vetëm se do t’i mobilizojë votuesit e VV-së.

Në Rubikon, ajo ka thënë se VV do ta përdorë këtë vendim në fushatën tashmë të njohur të saj se “institucionet dhe i gjithë shteti është i kapur”.

“Duke ditur strategjinë e fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje, natyrisht se edhe kjo çështje ka me u përfshi në fushatë”.

“Simbolikisht Albin Kurti nuk do të jetë prijës i listës për të kërkuar vota legale që të vihen në emër të tij, por realisht ai do të marrë pjesë në fushatë dhe kjo për VV-në do të ketë ndikim pozitiv sepse do ta shtrijë fushatën tani të njohur se shteti është i kapur”.

“Duke pasur parasysh mendësinë e shoqërisë në Kosovë, gjithmonë kur viktima kategorizohet në një dimension të tillë, ata do të mobilizohen shumë më shumë dhe natyrisht kjo do të ndikojë pozitivisht për VV-në”.

“Nuk do të ketë rënie sepse Kurtit nuk i është ndaluar të bëjë fushatë, vetëm se do t’i shtohet një argument shtesë për të marrë vota shumë më shumë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat