Gjykimi ndaj ish-deputetit Zyba dhe aktivistëve të VV-së mbetet peng, kjo është arsyeja

Aktuale

Gjykimi ndaj ish-deputetit Zyba dhe aktivistëve të VV-së mbetet peng, kjo është arsyeja

Më: 30 janar 2021 Në ora: 13:41
Ilustrim

Kanë kaluar më shumë se dy muaj prej se Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk ka njoftuar zyrtarisht me shkrim Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, për përmbushjen e detyrimit për zbulimin e provave.

Këtë detyrim Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka marrë me 23 nëntor 2020, pasi dy herë radhazi kishte dështuar të mbahej seanca fillestare, për rastin ku ish-deputeti Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Salih Zybaj dhe disa aktivistë të LVV-së akuzohen për organizimin e protestave në vitin 2015.

Në seancën e cila ishte caktuar të mbahej me 19 tetor 2020, Gjykata e Drenasit kishte kërkuar nga prokuroria e lartpërmendur që të përmbushte obligimin e saj ligjor, për sigurimin e provave për palët e akuzuara.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur në tërësi, pasi në seancën e 23 nëntorit të akuzuarit e kishin njoftuar gjykatën se kanë pranuar vetëm një pjesë të shkresave të lëndës nga ana e prokurorisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Shefqet Baleci kishte marrë vendim që seanca të shtyhej për shkak të mos përmbushjes së obligimit të prokurorisë, për pajisjen e të akuzuarve me shkresa të lëndës.

Sipas vendimit, seanca e radhës do të caktohej pasi gjykata të njoftohet zyrtarisht me shkrim nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, se është bërë përmbushja e detyrimit nga ana e saj, për zbulimin e të gjitha provave sipas nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, gjykatësi Shefqet Baleci ka thënë se ende nuk është informuar nga ana e Prokuroria Themelore në Prishtinë, se kanë kryer detyrimin e dhënë nga gjykata, në mënyrë që kjo e fundit të caktoj datën e shqyrtimit fillestar.

Ndryshe, në paragrafin 1 të nenit 244 të KPPRK-së, thuhet se: “Jo më vonë se nga ngritja e aktakuzës, prokurori i shtetit i siguron mbrojtësit apo mbrojtësit kryesor materialet e mëposhtme ose kopjen e tyre të cilat janë në posedim, në kontroll ose në mbrojtje të tij, nëse këto materiale nuk i janë dhënë mbrojtësit gjatë hetimit: 1.1, procesverbalet mbi deklarimet ose pohimet, të nënshkruara apo të panënshkruara nga i pandehuri; 1.2. emrat e dëshmitarëve të cilët prokurori i shtetit ka ndërmend t’i thërret për dëshmim dhe çdo deklarim të mëhershëm të dhënë nga dëshmitarët e tillë; 1.3. të dhënat mbi identifikimin e personave për të cilët prokurori i shtetit e di se posedojnë prova të pranueshme dhe shfajësuese ose informata lidhur me çështjen dhe çdo procesverbal të deklarimeve, të nënshkruar apo të panënshkruar nga personat e tillë për këtë çështje; 1.4. rezultatet e ekzaminimit fizik dhe mendorë, testet shkencore ose eksperimentet e bëra lidhur me çështjen; 1.5. kallëzimet penale dhe raportet e policisë; dhe 1.6. përmbledhjet ose referencat për provat materiale të mbledhura gjatë hetimit.”.

“Paragrafi 2, parasheh që deklarimet e dëshmitarëve i vihen në disponim të pandehurit në gjuhën që ai e kupton dhe e flet. Paragrafi 3, parasheh që pas ngritjes së aktakuzës, prokurori i shtetit i siguron mbrojtësit çfarëdo materiali të ri të paraparë në paragrafin 1. të këtij neni brenda dhjetë (10) ditëve nga pranimi i tyre. Kurse, në paragrafin 4, thuhet se për dispozitat e këtij neni vlejnë masat për mbrojtjen e të dëmtuarit, dëshmitarëve, të privatësisë së tyre dhe të dhënave konfidenciale, siç parashihet me ligj.”, bëhet e ditur tutje në nenin e lartpërmendur.

Në aktakuzën e ngritur me 23 janar 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba së bashku me Ngadhënjim Haxhosajn, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtarë, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare ” nga neni 410 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Augustin Zukaj, Arbër Jashari, Alban Nazifi, Bajram Llapashtica, Bashkim Bejtullahu, Bejtullah Munishi, Besart Grezda, Bardhosh Zjaça, Bajram Jonuzi, Besnik Salihaj, Dritan Gashi, Florian Sylejmani, Faik Rrustemi, Hysen Saferi, Ilir Nura, Gëzim Shatri, Kushtrim Ramadani, Kujtim Jakupi, Meriton Cakiqi, Minush Krasniqi, Rexhep Korçaj, secili veç e veç ngarkohen me veprën penale  “Pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm” nga neni 412 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, Leotrim Pacolli ngarkohet me veprën penale “Pengim i personit zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare”  nga neni 409 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit për “Pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm” me 27  janar 2015, prej orës 12:45-18:00, në Prishtinë, përkatësisht në sheshet “Skënderbeu”,  “Ibrahim Rugova”, Nëna Terezë”,  “Zahir Pajaziti”, Rruga “Tring Ismaili”, duke vazhduar në bulevardin “Bill Klinton”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në lagjen” Ulpiana”  te Posta  Kryesore, me rastin e mbajtjes së protestës gjithë popullore, të organizuara nga subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje,  e përkrahur nga dy subjektet opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, të pandehurit secili veç e veç me dashje kanë marrë pjesë në turmën e njerëzve , me qëllim që me veprimet e tyre  të përbashkëta  të shkaktojnë dhunë ndaj personave, respektivisht të dëmtojnë pasurinë.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në atë mënyrë, që në shenjë pakënaqësie për synimin dhe rrjedhën e protestës, në drejtim të zyrtarëve policore, të caktuar në ruajtjen e rendit dhe sigurinë e përgjithshme , me veprime të dhunshme, duke përdorur forcën, kanë hedhur gjësende të ndryshme të improvizuara në çast, si gurë të dimensioneve të ndryshme, kubëza betoni, pjese druri, gyp metali, shufër metali, reshetke nga metali, shishe uji, kaçavida, mjete të gjitha këto të përshtatshme për të shkaktuar dëmtime trupore ndaj zyrtarëve policore, vet protestuesve si dhe dëmtimin e pasurisë publike e asaj private.

Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë dëmtuar, thyer, automjete zyrtare, pajisje teknike dhe mbrojtëse të policisë, gardërobën e policisë, në vlerë prej 20.000 euro vetëm në regjionin e Prishtinës, kontejnerët e Kompanisë Rajonale  të Mbeturinave “ Pastrimi” Sh.a, në Prishtinë, 47 copë, në lartësi prej 16,480.80 euro, rreth 12 vetura private, në objektin e UNION-it , terrasë dhe xhami i një restoranti i krisur, tendat e lokaleve të rrëzuara.

Gjithashtu, “Pizzeria Liberto” i janë dëmtuar katër xhama, një TV plazma “Samsung”, disa karrige të objekteve private, sikurse ishte dëmtuar trotuari gjelbërimi, vazot e drunjtëve të ndryshme, anësoret e trotuarit, ku si pasoje e veprimeve të atilla 141 polic edhe protestues, sipas ekspertizës mjeko ligjore, kanë pësuar dëmtime te lehta trupore me ç `rast  përveç dëmit material, të pandehurit kanë shkaktuar rrezik të madhe për jetën e përbashkët, rendin publik, sigurinë e njerëzve dhe të pasurisë.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, në të njëjtën datë, rreth orës 14:30 minuta, në Prishtinë, përkatësisht, sheshin “Skënderbeu”  me rastin e mbajtjes së protestës gjithë popullore, të organizuara nga subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, e  përkrahur nga dy subjektet opozitare, Aleanca për Ardhmërinë  e Kosovës dhe Nisma, të pandehurit Sali Zyba dhe Ngadhënjim Haxhosaj, secili veç e veç, me dashje, drejtpërsëdrejti kanë sulmuar personat zyrtar në kryerjen e detyrës lidhur me sigurinë e përgjithshme.

Në aktakuzë thuhet se, kanë vepruar në atë mënyrë, që në shenjë pakënaqësie për rrjedhën e protestës, fillimisht të njëjtit futen brenda kordonit të sigurisë, ku me veprimet e tyre kanë shfaqur sjellje të dhunshme, duke i shtyre në vazhdimësi me duar dhe me tëre trupin zyrtarët policor, pastaj me lëvizjet e tjera me dorë e këmbë kanë tentuar të i godasin, për çka arrestohen.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë arrestimit i pandehuri Zyba, edhe më tej, ka shfaqur rezistence aktive, ku në një moment me duar nga këllëfi i  brezit, ka tentuar t`ia heq armen zyrtare, zyrtarit policor Berat Gashi, me ç ‘rast zyrtari policor Adnan Muriqi, me koleget e tjerë, i ofrojnë ndihmën dhe arrijnë të ndalojnë në marrjen e armës, e më pas të shoqërojnë të njësia më e afërt e arrestimeve.

Ndërsa, në dispozitivin e fundit të aktakuzës, thuhet se, me 26 janar 2015, rreth orës 11:45 minuara, përkatësisht afër hotel Grandit , i pandehuri Leotrim Pacolli, me dashje, drejtpërsëdrejti, me forcë mekanike ka penguar personat zyrtare në kryerjen e detyrës zyrtare, në atë mënyrë që, i njëjti edhe  përkundër tërheqjes së vërejtjes verbale të zyrtarëve policorë të caktuar në atë pikë sipas planit operativ rreth organizimit të protestës gjithë popullore, të largohet nga sheshi i qytetit, zonë kjo e ndaluar për qarkullim të automjeteve.

Ashtu që, drejton kamioneten e tipit Mercedes, për të i dërguar pajisjet teknike të zërimit, për protestën që do të mbahej në atë lokacion ditën e nesërme, me ç ‘rast gjatë lëvizjeve me kamionët ka tentuar të i shkel të gjithë zyrtarët policor në detyrë, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, në detyrë ishin zyrtarët policor Lulzim Borovci, Qamil Gashi, Besim Ibrahimi, Safet Veliu, ndërkaq Qamil Behrami, me pjesën e përparme të kamionetës goditet në trup, ku si pasojë e goditjes rrëzohet në tokë, mirëpo në atë kohë nuk kërkon trajtim mjekësorë.

Me këto veprime, Prokuroria në Prishtinë, e ka ngarkuar  me veprën penale “Pengim i personit zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare”  nga neni 409 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, në arsyetimin e aktvendimit mbi kalimin e kompetencës territoriale, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, thuhet se gjyqtarja e çështjes, Sulltane Hoti, me kërkesën e parashtruar me 11 nëntor 2019, duke u bazuar në nenin 39, paragrafi 3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, ka kërkuar përjashtimin dhe delegimin e kompetencës territoriale, të kësaj çështje penale, me arsyetimin se këtu Kushtrim Ramadani, ka të punësuar babain e tij, Fatmir Ramadani, referent në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga i cili fakt ka konsideruar se ekzistojnë rrethana të pa përshtatshme për vendosjen e kësaj çështje penale në këtë gjykatë.

Në mënyrë që të mos vihet në dyshim objektiviteti dhe  paanshmëria e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka propozuar që kjo qështje të procedohet dhe vendoset nga një gjykatë tjetër brenda territorit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndaj, bazuar në këto arsye, me qellim që të mos krijohen dilema në objektivitetin dhe paanshmërinë me rastin e vendosjes së kësaj çështje penale dhe duke konsideruar se në këtë rast këto rrethana paraqesin pengese faktike për të u zhvilluar procedura është vendos që të  aprovohet kërkesa që të kalohet kompetenca territoriale.

Gjykata Themelore në Prishtinë,  me 13 nëntor 2019, ka marr  aktvendim  me të cilin ka aprovuar kërkesën e gjykatëses Sulltane Hoti, për përjashtimin nga procedimi dhe vendoja në këtë çështje penale.

Për procedim dhe vendosje të kësaj çështje penale është vendosur që të kalohet kompetenca territoriale, nga Gjykata Themelore në Prishtinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, të cilën çështje penale do të gjykoj, gjykatësi Shefqet Baleci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat